Kulturë

“Arti pamor si rezistencë (1990-1999)” me koka demash në ditët e dhunës

esat valla

Në ekspozitën e Esat Vallës dramat e viteve ’90 shpërfaqen tragjike. Kompozicionet kanë simbolika të shumta. Vrazhdësia e asaj kohe vjen me ngjyra të rënda, përderisa piktori i ka gjetur vend edhe shpresës në tablotë e tij

Janë 17 vepra që shkruajnë po aq kapituj të historisë së këtij vendi në periudhën e viteve të dhunës e vrasjes së shqiptarëve. Esat Valla, nuk qëndronte duarkryq. Nga ballkoni i banesës së tij i shndërruar në atelie, do të bëhej dëshmitar e dokumentues i atyre skenave. “Arti pamor si rezistencë (1990-1999)” është si testament për ato vite. Demi është konstant në tablo të tilla, dhe simbolika e tij vjen e fuqishme si krejt arti ekspresionist i Vallës

Simbolet nacionaliste shihen brenda dritares së thyer. Është aso shenje që fton për bashkim serbët gjoja për ta shpëtuar Serbinë. E poshtë dritares është një kafkë kafshe sa figurative aq edhe abstrakte. Brirët duket se i ka lënë aty kur ka thyer dritaren. Tablonë e dominon e kuqja dhe e zeza.

Është e nënshkruar më 1998 dhe mban titullin “Demolimi i Fakultetit Teknik”. Hyn te cikli i veprave të Esat Vallës nëpërmjet të cilave ai zbërthen se si dëshmitar në kohë represioni u bë edhe dokumentues nëpërmjet shprehjes së tij artistike –  pikturës. 

“Arti pamor si rezistencë (1990-1999)”, titullohet ekspozita personale e Esat Vallës e hapur të mërkurën mbrëma në galerinë “Open Art” në Prishtinë. Në 17 vepra ilustrohen punimet e Vallës në dekadën më të vështirë të Kosovës. Pushteti serb kishte përjashtuar shqiptarët nga jeta institucionale, nga ndërmarrjet, shumica e shkollave e ambientet e Universitetit i Prishtinës. Shqiptarët jetonin si të huaj në Kosovë, përderisa pakica serbe ushtronte masa dhune nëpërmjet policisë e ushtrisë. 

“Demolimi i Fakultetit Teknik”, paraqet agresion të Serbisë në Kosovë. Këtë frymë e kanë edhe veprat e tjera të Vallës të punuara në vitet ’90. I mbyllur në banesën e tij, piktori i lindur më 1944 në Gjakovë, po dokumentonte kohën në të cilën jetonte. Kishte zgjedhur që me figura kafshësh të rrumbullakonte shprehjet e tij artistike. Dhuna ishte kafshërore. E tillë edhe vjen. Janë koka demash ose fosile kokash që vërsulen e të tjera që vuajnë. Koka e demit është konstante në veprat e këtij cikli, por që ka fuqinë të lexohet ndryshe.

I mbyllur në banesën e tij, piktori Esat Valla, po dokumentonte kohën në të cilën jetonte. Kishte zgjedhur që nëpërmjet figurave të kafshëve të rrumbullakonte shprehjet e tij artistike

Protestat e demonstratat shqiptare ndaj dhunës sistematike shtypeshin nëpërmjet makinerisë policore e ushtarake. Gomat e kësaj makinerie vijnë si simbolikë e dhunës në tablotë ku e kuqja dhe e zeza japin emërues të përbashkët. Edhe pranvera ku çdo gjë mugullon e ringjallet shtypet nëpërmjet gomave. Valla nëpërmjet pikturave si “Sulmi i kokëboshëve” përshkruan dhunën, frikën e sjelljet jonjerëzore.

Në ekspozitën me kurator Zeni Ballazhin dramat e viteve ’90 shpërfaqen tragjike. Kompozicionet kanë simbolika të shumta. Vrazhdësia e asaj kohe vjen me ngjyra të rënda, përderisa piktori i ka gjetur vend edhe shpresës në tablotë e tij. Vetë fakti se armiku paraqitet si kokëbosh a fosil i një koke të demit, tregon se ishte fundi i një periudhe kur zullumi sa vinte e shtohej dhe shpërtheu me luftën e viteve 1998-1999. 

“Në vitet ’90 ishte kohë e aparteidit. Te çdo njeri ndikon ajo gjendje jonormale. Ne piktorët jemi pak më të ndjeshëm dhe e kam shprehur këtë në pikturat e mia. E kam regjistruar atë situatë 100 për qind. Kemi qenë të rrethuar me makineri ushtarake me goma e me kafka. I kam paraqitur në mënyrë simbolike kafkat, demat. Armikun e kam paraqitur në atë mënyrë. Pastaj protestat që i kanë shtypur. Ne jemi shtypur. Kemi një pranverë të ndrydhur me shenja të gomës në një prej veprave”, ka thënë Valla, i cili pas Shkollës së Artit në Pejë kishte studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd në klasën e profesorit Zoran Petroviq. 

Te i njëjti profesor edhe kishte përfunduar magjistraturën. Valla ka thënë se simbolika e tij ka qenë që nëpërmjet kafshëve të paraqiten personazhet, një person ose një popull dhe presioni i një mase të dhunshme. 

“Janë kokat boshe të demave. Nuk është dem i gjallë por vetëm fosile e demit. Mendoj se e kam realizuar atë që kam dashur ta nxjerr gjatë asaj periudhe. Ka qenë mjaft vështirë. Kam qenë i mbyllur e s’kemi dalë shumë. Normal që kemi qenë të rrezikuar. Një ballkon të banesës e kam bërë studio dhe i kam bërë këto punë”, ka thënë profesori universitar i pikturës Esat Valla. 

Veprat e këtij cikli hyjnë tek ato nëpërmjet të cilave Esat Valla zbërthen se si dëshmitar në kohë represioni u bë edhe dokumentues nëpërmjet shprehjes së tij artistike –  pikturës

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është po ashtu një kokë demi. Pos me ngjyrat e pikturën sa reale aq edhe abstrakte ka luajtur edhe me titullin duke përdorur emërimin e një prej veprave më të njohura letrare shqiptare në botë, atë të Ismail Kadaresë. Përderisa te “Gjenerali...” i Kadaresë, eprori ushtarak kthehet për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë në Shqipëri te piktura e Vallës ai është një fosil që personifikon dhunën. 

“Kjo është periudha e rebelizmit tim. Isha një piktor e njeri tjetër. U rebelova duke parë kohën”, ka thënë Valla.  

Kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se  karakteristikë e veçantë sot mund të jetë pikërisht periudha e viteve ’90 e Esat Vallës. Sipas tij, 25 vjet pas luftës kemi të bëjmë me një gjeneratë të re të artistëve që mund të marrin diçka nga një periudhë që nuk e kanë përjetuar. 

“Ky përjetim është mjaft i dukshëm në një cikël të punëve të tij të përzgjedhura në këtë ekspozitë. Këtu kemi bërë një përzgjedhje që mendoj se është përzgjedhja që e prezanton më denjësisht atë në këtë temë apo këtë koncept”, ka thënë Ballazhi.

Në këtë rast ka shtuar se është periudha kur Kosova ka kaluar në një fazë mjaft të vështirë.

“Po të ndalemi në çdo vepër shohim se ka një histori më vete. Një pjesë e një tabloje e thotë mjaft qartë se shenjat e lëna nga regjimi në Fakultet i ka shfrytëzuar për piktura. Personazhi i tij në këtë rast është demi. Nëpërmjet demit parqet historinë e dhimbshme. Në vepra dominon e kuqja. Galeria është e ngjyrosur me të kuqen dhe të zezën që janë dominuese në këto piktura”, ka thënë Ballazhi.

Ekspozita e Vallës në rrethana më ideale do të hapej në ndonjë përvjetor të çlirimit të Kosovës e edhe në ndonjë institucion shtetëror të artit pamor

Ai beson se ekspozitat e tilla duhet të jenë më të shpeshta në Kosovë pasi ka mjaft artistë të mirë të gjeneratës së parë e të dytë që shfaqin pikërisht këto tema, këto rezistenca të asaj kohe nëpërmjet veprave të artit. Ekspozita e Vallës në rrethana më ideale do të hapej në ndonjë përvjetor të çlirimit të Kosovës e edhe në ndonjë institucion shtetëror të artit pamor, pasi këto institucione janë edhe hapësira të kujtesës e jo veç me synime për të vrapuar pas trendëve. Gjithëpërfshirja përmbajtjesore do të ishte më ideale sesa veç veprat që paraqesin kontekste deri në mijëra kilometra larg Kosovës e edhe vepra për të cilat autori vjen në gjendje të thotë se nganjëherë s’di t’i shpjegojë tablotë e tij. Por ekspozita e Vallës flet mjaft edhe në galerinë “Open Art”. Krijimtaria e tij e ka atë fuqi jo veç për shkak të dramës që paraqet, por edhe për shkak të mjeshtërisë.