Kulturë

Arti i Balzanos – një shëtitje jashtë botës në kërkim të identitetit

“Jashtë botës”, është titulli i ekspozitës së tij që zanafillën e gjen edhe te një hartë e 1580-s, por si tërësi shtron çështje si feja, kontinentet e shtetet. “Feja” e Christian Balzanos është arti. Sepse ai beson në fuqinë e tij. “Të gjitha artet mund të ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit, mund të japin një pasqyrë tredimensionale të ideve që arti mund të prodhojë, sepse arti ka një forcë shumë të madhe”, ka thënë Balzano. Shpjegimi i disa prej veprave nëpërmjet video-projeksionit të tij tok me artisten Zake Prelvukaj e me shkrimtaren e ligjëruesen Majlinda Bregasi kanë hapur disa tema

Rrëfimi për ekspozitën “Fuori dal mondo” (Jashtë botës), prapaskenat dhe idetë që konkretizon ajo, e kanë sjellë artistin italian Christian Balzano në Prishtinë. Diskutimi për veprat që synojnë të ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e planetit dhe rreth asaj nëse mund të ndryshojë identiteti historik e kulturor i vendit, ka qenë shkas i takimit të tij me publikun.

Feja, kontinentet, shtetet, koncepti i kufijve, janë disa prej temave që janë shtjelluar nëpërmjet shpjegimeve të ekspozitës. Krahas saj, artistja Zake Prelvukaj komunitetin italian në Prishtinë e ka njoftuar me artin e saj.

Veprat e italianit – shumica prej tyre monumentale – janë sjellë në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë nëpërmjet pamjeve. Aty shihet se veprat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Zanafilla e idesë së tij kishte qenë një hartë e vitit 1580 e hartografit Epichtonius Cosmopolites.

“Më ka inspiruar një hartë e vitit 1580 e quajtur ‘Harta e Njeriut të Çmendur’, ku ishte e shkruar një thënie në latinisht: ‘Mbretëritë dhe njerëzit bëjnë projekte me të cilat njeriu qesh’. Duhej të bëja një projekt mbi këtë hartë antike, sepse është diçka që fatkeqësisht ka ndodhur dhe ne vazhdojmë ta jetojmë atë. Materialin e saj e mendova si një individ, pastaj e përdora në vende të ndryshme, si për shembull e kam futur në ujë për shumë ditë për të treguar se çfarë ndodh me emigrantët që udhëtojnë në det drejt një bote tjetër”, ka thënë artisti Balzano në prezantimin të enjten pasdite derisa ka bërë ndërlidhjen midis njeriut dhe natyrës.

Sipas tij është e vështirë të arrihet të bëhen ndryshime pozitive në planet derisa nuk kuptohet kjo lidhje e ngushtë mes dy faktorëve.

Aty shfaqet, mes të tjerash, një glob i formësuar prej tekstili anash të cilit qëndrojnë vulat me shenjat e religjioneve, të rrëzuara si figura shahu.

“Është një provokim, sepse religjionet kanë krijuar dhe krijojnë luftëra, por në fakt vula është diçka identitare. Simbolizon për mua qëndrueshmërinë. Këto vula që prezantojnë identitetin janë përdorur për të bërë këto punë”, ka thënë artisti Balzano.

Në fakt, një seri e pikturave në kuadër të ekspozitës që ngjan në piktura me ngjyrë ari është punuar prej atyre vulave. Artisti ka treguar se i ka stampuar shenjat e religjioneve në material me ngjyrë të zezë duke përdorur materiet kimike. Aty janë vulat e 11 religjioneve, mes të cilave edhe ajo me figurën e demit, që sipas tij është simbol për natyrën.

Në këtë pikë është ndërlidhur artistja e ligjëruesja Zake Prelvukaj, e cila e ka vlerësuar të fuqishme shprehjen artistike të Balzanos.

“Mu duk shumë interesante, kudo ku kam shkuar në botë e ka përdorur demin si motiv, pasi demi përdoret në çdo kontinent. Shprehja artistike e artistit është vërtet e fortë. Konceptet e ndryshme që i pashë, mendoj se thyejnë barrierat dhe na bashkojnë”, ka thënë ajo.

Artistja Prelvukaj e ka vlerësuar trajtimin e artefaktit duke e vënë në shërbim edhe në ditët e sotme.

“Ndonjëherë artistët në krijimtarinë e tyre pa ditur se ekzistojnë, krijojmë me dashje dhe pa dashje. Çfarë më fascinoi, ishte se kur një artist di të prekë faktografinë e viteve ‘50 dhe i sjell në mënyrën më të bukur, dhe çfarë na shërben sot. E ka bërë shumë bukur. Mendoj që ne do të donim që të mos kishte kufij. Një artist di të mos e lërë artin të kufizuar brenda një hapësire, por zgjedh hapësira siç janë katedralet e ndryshme apo hapësirat e tjera që komunikojnë mesazhe të ndryshme”, ka thënë Prelvukaj, e cila gjithashtu ka folur edhe për artin e saj.

Image
Veprat e italianit – shumica prej tyre monumentale – janë sjellë në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë nëpërmjet pamjeve. Aty shihet se veprat janë të lidhura me njëra-tjetrën

Ka kujtuar kur në vitin 1997, në rrethana krejt më ndryshe dhe nën represion, me veprën e saj thyente tabutë e shoqërisë.

“Ato vite kanë qenë delikate në çfarëdo forme, ka qenë edhe represioni. Nuk ka qenë qëllimi të tregohet trupi, por ka qenë një mesazh për të liruar gratë dhe mendoj se arti erotik zë vend shumë të mirë dhe të merituar pasi përndryshe nuk ekziston asnjë art”, ka thënë artistja më tej.

Majlinda Bregasi, profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë, ka parashtruar pyetje për artistët. Njëra prej tyre ka qenë se sa ka forcë arti të ndryshojë rrethanat. Sipas artistit Balzano, arti nuk mund të ndryshojë botën, por kulturën po.

“Të gjitha artet mund të ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit, mund të japin një pasqyrë tredimensionale të ideve që arti mund të prodhojë sepse arti ka një forcë shumë të madhe. Na prek në emocione të fuqishme. Sipas meje nuk mundet i vetëm të ndryshojë gjëra kaq të mëdha siç është problemi i ndryshimit klimatik. Arti duhet të ndërrojë mendjen e njeriut dalëngadalë’, ka thënë artisti Balzano,

Në serinë e veprave të prezantuara të Balzanos, harta vjen në formën e një kapele ku në vend të fytyrës paraqitet bota. Ekspozita, siç ka thënë artisti, zhvillon tema të përsëritura për çështjet e mëdha të globalizmit, integrimit social e ndryshimeve klimatike. Ishte hapur më 19 janar të këtij viti në “Palazzo Medici Riccardi” në Firence të Italisë.

Balzano ka diplomuar si mjeshtër i artit të qelqit dhe kristalit në vitin 1987 në Institutin e Artit të Pizas e më pas ka ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Ka marrë pjesë në shumë ngjarje në Itali e në skenën ndërkombëtare. Prej ekspozitave të tij të fundit janë “Supernatual”, “Resilienza”, “Io ero, io sono, io saro” e të tjera.

Fuqinë e artit Zake Prelvukaj e ka ndërlidhur me situatën e viteve ‘90 në Kosovë.

“Prej krejt specifikave që kemi pasur në Kosovë, në kohët më të vështira na ka lidhur arti, por edhe na ka vetëdijesuar. Në qoftë se ne kemi prodhuar art në kohën kur nuk ka pasur tjetër art pos librave – tash është duke u bërë edhe një monografi e koncepteve të viteve '90 – arti komunikon mes vete sesi jemi lidhur me miqtë tanë më fortë. Mendoj se ndërlidhshmëria më e mirë, më e pastër dhe naive është arti”, ka thënë Prelvukaj.

Ngjarja është organizuar në kuadër të Javës së Gjuhës Italianë në Kosovë, e organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë. Sipas zëvendësambasadorit Ugo Ferrero, ngjarja ka fjalë të përbashkët gjuhën italiane.

“Çdo vit zgjidhet një temë që është kryefjalë e gjuhës italiane. Këtë vit tema është ‘Qëndrueshmëria’. Këtu kemi një artist të afirmuar që me punën e tij vetëdijeson se sa tema i trajton arti që kanë të bëjnë me njeriun, planetin. Arti dhe kultura janë faktorë të rëndësishëm që na e hapin mendjen, na emocionojnë. Një emocion që në këtë rast na bën të veprojmë”, ka thënë Ferrero.

Krejt në fillim të ngjarjes, profesoresha Majlinda Bregasi ka thënë se është mrekulluar me punën e Bolzanos.

“Projekti ‘Jashtë botës’ në të cilin ai ka punuar dy vjet, është përfunduar në Pallatin e Firences. Kam mbetur e mrekulluar nga gjetjet artistike. Idetë dhe realizimi i tij janë për të dhënë emocionin, për të menduar, por edhe për të vepruar”, ka thënë Bregasi. Ndjesi të tillë ka dhënë prezantimi i artit të tij në Prishtinë, ani pse publiku është “takuar” me veprat e tij nëpërmjet video-projeksionit.