Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Art në ambient të hapur vjen nga java tjetër me “Summer Cult”

Në fillim të javës së ardhshme, në Prishtinë do të organizohet Festivali “Summer Cult”, me pjesëmarrjen e artistëve të rinj. “Summer Cult” është një ngjarje artistike, tashmë tradicionale që organizohet në kryeqytet, në ambient të hapur.

Drejtoresha artistike e këtij projekti, profesoresha e regjisë së Teatrit, Elmaze Nura, ka thënë për televizionin publik se artistët që marrin pjesë në “Summer Cult” interpretojnë performanca teatrore, muzikore dhe realizojnë piktura.

“Qëllimi i këtij projekti është që të forcojë lidhjet e artistëve me publikun dhe t’u japë mundësi të rinjve, studentëve, talenteve në fushat e artit, të shprehin aftësitë e tyre perfomuese”, u shpreh Nura.

Gjatë dy ditëve, me 13 dhe 14 gusht në dy sheshet e Prishtinës, te “Zahir Pajaziti” dhe te sheshi “Skënderbeu”, publiku artdashës mund të shohë pjesë teatrore, të dëgjojë muzikë si dhe të përcjellë nga afër punën e piktorëve.

Arti në hapësirat publike, është i njohur në vende të ndryshme të botës dhe organizata Cult Club, me një përvojë të gjatë në aktivitetet artistike, i ka mbetur besnike konceptit të tillë të “Summer Cult”.

Kjo është hera e pestë që organizohet Summer Cult.

Image