Prej ditës së parë të gushtit, Festivali i artit në hapësirë publike, “HAPU”, do ta pushtojë edhe Gjakovën, programi është i ngjeshur me artistë nga Franca, Gjermania e Portugalia. Natyra dhe një lloj dialogu me të janë në qendër të kësaj ngjarjeje e cila edhe në edicionin e 11-të ruan frymën e saj, duke e bërë artin të qasshëm për këto. Në ditën e tretë, “HAPU” rikthehet në Prishtinë
Për mbi një dekadë, “HAPU” ka sjellë art unik të skenës ndërkombëtare që komunikon me natyrën e Prishtinës dhe jo vetëm. Sivjet festivali i artit në hapësirë publike do të jetë në dialog me peizazhet e kryeqytetit e veçmas me ato të qytetit të Gjakovës. Për pesë ditët e edicionit të 11-të, hapësirat publike do të transformohen në ato artistike me artistë nga Franca, Gjermania e Portugalia.
“HAPU” për këtë vit ka bashkuar forcat me “Fondacionin për Gjakovën” për të zbërthyer mjeshtërinë, guximin e kreativitetin e artistëve të huaj në këtë qytet.
Më 1 gusht hapet programi me artistin francezo-argjentinas Juan Ignacio Tula me veprën “L'instant-T!” në parkun kulturor “Ali Podrimja” në këtë qytet. Një ditë më pas, në po të njëjtën hapësirë, me artistin gjerman Frank Bölter do të bëhen punime të origamit në tri orare. Artisti njihet për veprat e tij të guximshme dhe bashkëpunuese, që bashkojnë komunitete të ndryshme përmes përvojave krijuese, shpesh të çuditshme, sfiduese dhe plot fantazi.
“Tac o tac”, ansambël francez prej tri personazhesh vjen në Gjakovë mbrëmjen e 2 gushtit e një ditë më pas edhe në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu” duke rrëfyer histori me performancën “Take off”. Artisti Tula do të shtegtojë po ashtu në Prishtinë me të njëjtën vepër më 2 gusht, sikurse edhe Frank Bölter me punimin e origamit më 4 e 5 gusht në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Kërcimtari dhe akrobati francezo-argjentinas, Juan Ignacio Tula, është trajnuar në Qendrën Kombëtare për Artet e Cirkut dhe njihet për mjeshtërinë e tij poetike me rrotën cyr.
Krejt në mbyllje të edicionit, bendi portugez “Mimo's Dixie Band” në bulevardin “Nënë Tereza” e më pas edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” e përmbyllin edicionin e 11-të.
Sjell shfaqjen “Go Go & Stay Stay Street” një performancë që përshkruhet si sa e gjallë, aq edhe statike, njashtu edhe e lëvizshme, e menduar për rrugë dhe hapësira publike.
Drejtori i festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU”, Florent Mehmeti, ka thënë se lëvizja në qytetin e Gjakovës është veçantia e ngjarjes sivjet.
“Në Gjakovë ka qenë një bashkëpunim më parë që kemi pasur dhe bisedime me ‘Fondacionin për Gjakovën’ të cilët duke parë performancat e viteve të kaluara, na janë ofruar dhe kanë kërkuar të bëjmë diçka të tillë edhe në Gjakovë, në kuadër të organizimeve që bëjnë. Kemi vendosur që në kuadër të ‘HAPU’ të zgjerohemi edhe atje. Më 1 dhe 2 gusht në Gjakovë programi është më i fokusuar në ato dy ditë e me datat 3, 4 dhe 5 edhe në Prishtinë”, ka thënë ai.
Në deklaratën e tij publike, ka veçuar performancën e Juan Ignacio Tula dhe punën me origami të Frank Bölter.
“Elementet e cirkut bashkëkohor, do të hapin këtë edicion të festivalit, përmes një performance magjepsëse të Juan Ignacio Tula. Duke manipuluar me rrethin e madh dhe rrotullimet e tij pafund, frymëzuar nga rrotullimi i dervishëve, do të na zhysin në një përvojë të veçantë. Performanca na fton në një rrugëtim të përjetimeve universale e personale dhe gjithçka që ekziston ndërmjet tyre. Bashkë do të palosin origami, por jo të zakonshme. Figura origami gjigande, të madhësisë reale të Frank Bölter, bashkërisht do i palosim. Krijimet tona origami do t’i përcjellim e festojmë me njëri-tjetrin dhe në fund, do t’i transformojmë, ripërdorim e riciklojmë”, shkruhet aty.
Me përshkrimin e tij jep edhe imazhin e veprave të ansamblit “Tac o Tac” dhe të “Mimo’s Dixie Band”
“Do të zhytemi në lojën e artistëve francez nga ‘Tac o Tac’, në kërcimet e tyre në kingalat me pneumatikë, do t’i përcjellim e do të ripërjetojmë rrugët e Gjakovës dhe Prishtinës, në një atmosferë të tjetërsuar, në një rizbulim të qiellit, të gatshëm për fluturim. ‘Hapu’ me Gjakovën e Prishtinën dhe zhytu në lojë! Loja e ‘Mimo’s Dixie Band’ do të na sjellë tingujt e veçantë që do të na përfytyrojnë rrugët e vjetra të Nju Orlinsit. Do të na dhurojnë lojën e përbashkët me publikun, me elemente cirku e teatri si dhe me energjinë e tyre mahnitëse duke e sjellë publikun në qendrën e vëmendjes”, shkruhet në deklaratën e Mehmetit.
Kur kanë mbetur më pak se një javë deri në nisje të edicionit të Festivalit, gjithçka është gati dhe Mehmeti shpreson që publiku ta shijojë programin. Ky edicion është përcjellë me sfida për organizatorët, por nuk është e re për Mehmetin.
“Përgatitjet përcillen me shumë sfida, si zakonisht këtu te ne. Një prej tyre ka qenë edhe hapësira publike, shumë ndodhi në të njëjtën kohë. Është e pamundur të koordinohesh dhe kemi qenë të varur edhe prej disa datave që janë rezervuar shumë më herët për artistët në kohën kur kanë qenë të lirë. Në Prishtinë përpos shumë ngjarjeve është edhe ‘Akull n’verë’ me të cilën na është dashur ta koordinojmë programin për të gjetur hapësirë, e që është sfidë më vete, sepse hapësira është bukur e ngjeshur me shtëpizat e tyre dhe për një kohë të gjatë janë aty”, ka thënë ai.
Si edicionet e kaluara, edhe i sivjetmi vë në dialog natyrën me artin.
“Ky edicion ka qenë më i veçantë pasi me natyrën ka qenë me ekskluziv. Ka tema për natyrën, por edhe punë të tjera artistike që janë me elemente bashkëkohore”, ka thënë Mehmeti.