Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arkivi Komunal i Prishtinës shënoi 50-vjetorin me kërkesën për digjitalizim

Arkivi Komunal i Prishtinës, të hënën, ka shënuar 50-vjetorin e këtë e ka bërë duke ia hapur dyert nxënësve të shkollës fillore “Elena Gjika”. Një serie të pyetjeve për historikun e për sfidat u është përgjigjur drejtori i këtij institucioni, Abaz Makolli. Në fjalimin e shkurtër ka folur edhe për planet e synimet. Ka përsëritur mungesën e digjitalizimit ani pse kanë bërë hapa në këtë drejtim. Arkivi Komunal i Prishtinës posedon rreth 1 milionë e 500 mijë dokumente, që në mënyrë elektronike me një klik do t’u ofrohen palëve që i kërkojnë. Sa i përket digjitalizimit të lëndës, përparimi nuk është i theksuar.

Makolli ka thënë se digjitalizimi i një pjese të vogël të lëndës ka filluar.

Edhe në këtë ceremoni është përmendur suksesi i vitit 2017, kur Arkivi Komunal i Prishtinës nga Arkivi i Perandorisë Osmane në Stamboll ka marrë 38 mijë e 500 dokumente që lidhen me kryeqytetin. Këto dokumente kanë të bëjnë me periudhën 1322 – 1912. Një pjesë e tyre janë digjitalizuar, por ka edhe një hap të radhës.