(E përditësuar 15:22) - “Mirëdita, dobar dan” i paraparë të hapet sonte në Beograd, është anuluar. Me urdhër të Serbisë edicioni i 11-të nuk do të mbahet. Ekipi i Kosovës i ndaluar nga Policia e Serbisë rreth 25 kilometra pa hyrë në kryeqytetin e serb, tashmë po kthehet prej nga është nisur.
Pjesëtarë grupesh radikale, tok me zyrtarë me të lartë shtetëror, ia kanë arritur qëllimit kaherë të paralajmëruar që një festival si ky të mos mbahet.
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq ka dhënë urdhrin për ndalim.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!” për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më mëdha”, citohet të ketë thënë Daçiq.
“Kjo është jonormale”, ka qenë komenti i parë i Kushtrim Koliqit, udhëheqës i “Integras” bashkorganizatore e festivalit me Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare të Serbisë.
Mbi 100 protestues kanë dalë te objektet ku parashihej të hapej festivali.
Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka shkruar në Facebook se në Beograd kanë mbetur edhe 16 pjesëmarrës nga Kosova. Ai ka kërkuar që atyre t’u ofrohet siguri.
Njëzetekatër orë para nisjes së “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, ekstremistët djathtistë serbë tok me zyrtarë shtetërorë kishin intensifikuar thirrjet për pengimin e mbajtjes së festivalit, i cili në thelb ka prezantimin e kulturës së Kosovës para publikut në Serbi. Ekstremistët haptazi kanë ftuar qytetarët që ta pengojnë “Mirëdita...” përderisa, siç raporton mediumi i Beogradit, “Insajder”, organet shtetërore nuk i kanë dënuar këto paralajmërime “përkundër premtimit të ministrit të Policisë, që do të bëjë gjithçka që është e mundur që të mos ketë prishje të rendit dhe paqes”. “Por në anën tjetër, për herë të parë sivjet, anulimin e Festivalit e kishin kërkuar edhe zyrtarë të lartë”.
Policia e Serbisë ndalon ekipin e Kosovës të “Mirëdita, dobar dan!” drejt Beogradit
(14:27) - Policia e Serbisë, ka ndaluar ekipin e Kosovës të “Mirdita, dobar dan!” drejt Beogradit. Pjesëtarë të stafit organizativ dhe mediash, nuk janë lejuar të vazhdojnë drejt kryeqytetit serb, ku sonte ishte paraparë hapja e edicionit të 11-të të festivalit.
“Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”, ka qenë deklarata e policit, 25 kilometra pa arritur në destinacion.
Gjatë gjithë kohës, ekipi ka qenë në përcjellje te vazhdueshme të autoriteteve policore. Ne pikën kufitare në Merdarë, ka pasur kontrolle të detajuara.
Organizatorët kanë pasur leje për kalim sikurse dhe për festivalin. Por pluhuri rreth “Mirëdita, dobar dan!” ka javë që është ngritur dhe kanë qenë zyrtarët më të lartë shtetëror të Serbisë që kanë kërkuar anulimin e tij siç kanë nxitur edhe thirrjet për ta penguar atë.
Mediumi serb, Danas, ka raportuar se grupe huliganësh janë mbledhur në Beograd për të mos lejuar mbajtjen e këtij festivali.
Sofija Todoroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka thënë se një pjesë e pjesëmarrësve të festivalit nuk mund të mbërrijë deri te Dorcol Platz, për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm të policëve në terren dhe përreth këtij vendi.
Organizatorë protestash janë deklaruar grupi i tifozëve të “Crvena Zvezdas”, “Delije sever”. Kanë bllokuar rrugët për ne vendet ku ishte paraparë hapja e festivalit. E kishin paralajmëruar këtë edhe disa ditë më parë, por institucionet shtetërore të Serbisë kanë heshtur ndaj kërcënimeve por edhe vetë kanë nxitur kundërshtimin e festivalit.

“Mirëdita Serbi! Në Dorcul Plac sot do të tentojnë ta mbajnë ‘festivalin’ Mirdita, që promovon Kosovën e pavarur. Kemi ardhur që në mënyrë të qetë të mos lejojmë mbajtjen e tij në kryeqytetin serb. Këtu do të jemi gjithë ditën derisa të sigurohemi që ky ‘manifestim’ nuk do të mbahet”, është shkruar në njoftimin e këtyre tifozëve.