Kulturë

Ansambli “ReMusica” me magjinë e vokalit nëpër perlat e muzikës korale

“ReMusica” me edicionin e sivjetmë i dedikohet shëndetit mendor e tokës. Mbi të gjitha, njeriut. E ansambli që mban emrin e festivalit, ka dëshmuar fuqinë e zërit të njeriut. Ansambli prej tetë anëtarësh ka sjellë emocione me gërshetim epokash nga renesanca e baroku me perlat shqipe

Me magjinë vokale, ansambli “ReMusica” ka përthekuar programin me vepra vendore e botërore, bashkëkohore e tradicionale. Ka debutuar para publikut vendës në shtëpinë e tij në Festivalin ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica”, pas paraqitjes së parë në Bruksel ku kishte zbuluar traditën e lashtë e të pasur muzikore shqiptare dhe atë të sotmen. Ansambli prej tetë anëtarësh ka sjellë emocione me gërshetim epokash nga renesanca e baroku me perlat shqipe.

“ReMusica” i ka “zvogëluar” dimensionet e kishës katolike “Shën Ndou” në kryeqytet të enjten mbrëma, në natën e dytë edicionit të 22-të të festivalit. Publikun e ka lënë të reflektojë në një formë në rendet e saj me drita të fikura. Ca reflektorë me të kaltër në pjesën ballore të hapësirës kanë qenë krejt ndriçimi aty dhe jo rastësisht. Bashkë me lulen gjigante prej puplash të bardha dhe me shkronjat në dysheme të cilat formojnë emërtimin e Festivalit, kanë qenë krejt shenjat që paralajmërojnë ngjarjen. Megjithatë, nuk është dashur ndërhyrje tjetër aty për ta shpalosur madhështinë e ansamblit vokal “ReMusica” në paraqitjen e parë para publikut në Kosovë.

Pak minuta pas kohës së paraparë, tetëshja është drejtuar nga publiku që i ka pritur me duartrokitje. U është bashkuar edhe dirigjenti e themeluesi i Festivalit, Rafet Rudi e krejt bashkë, kanë rrëmbyer edhe publikun dhe e kanë futur në rrugëtim muzikor mes epokash. Koncertin e kanë nisur me meloditë e gotave gjysmë të mbushura që i krijojnë me gishtërinj mbi pjesën e sipërme të tyre. Ato që përfshihen në veprën “Stars” të lituanit Erics Esenvalds kanë bërë që të vihen më në pah në interpretimin me intensitet më të ultë dhe të përhumben krejt kur ato vokali kumbon. Ka simbolizuar qëndrimin e qetë dhe gjendjen stabile, përkundër kaosit që krijohej prej zërave.

Si shumica e programit, edhe vepra “The Lamb” e kompozitorit anglez, John Tavener, ka qenë me interpretim minimalist ku kombinohet harmonia me dinamiken. Karakteristikë kanë qenë zërat që mbanin të lidhur ndarjet në vokal. Në veprën e Mendi Mengjiqit, “OEIA”, ansambli ka ngjyrosur atë me zërat tradicionalë. Nganjëherë ngjanin në thirrjet që dikur malësorët komunikonin mes vete nga një distancë e konsiderueshme. Shpesh edhe në interpretimin e këngës iso-polifonike të Jugut. Ndonëse interpretimi është temperament, ka një mes që e mban në linjë dhe e vazhdon pa ndalur.

“Haec dies” e anglezit William Byrd ka trazuar energjitë me kontrastin e ulje-ngritjeve të vokalit. Bashkë me veprën “O magnum mysterium” të spanjollit Tomas Luis de Victoria, kanë ngjarë në liturgji dhe i janë përshtatur ambientit ku ansambli ka interpretuar. Anëtarët kanë ndjekur instruksionet e dirigjentit Rafet Rudi në përcjelljen e ritmit që tenton të krijojë atmosferë dinamike e harmonike, por shkrihet në fillet e qeta të saj.

Në interpretim të “Psalt” të Jan Kukuzelit gërshetohen zërat në kor që në fillim konfuzojnë se në lojë janë përfshirë tinguj të lehtë të instrumenteve. Zërat e grave dhe të burrave diferencohen në këtë vepër mes interpretimit të lehtë dhe të krejt anëtarëve bashkë. Në “Crucifixus” të italianit Antonio Lotti kryefjalë është tronditja ritmike dhe në një formë te publiku përcillet frika në interpretim dhe përpjekja e pandërprerë për t’u ringjallur.

“Lamento della Ninfa” e italianit Claudio Monteverdi ka qenë vajtim për dashurinë. Sopranoja Kaltrina Miftari ka përcjellë emocionet me këndim për pikëllimin e saj dhe qëndrimin e ftohtë të tyre.

Altoja Diellza Sylejmani, tenorët Etrit Nura, Rizah Jahaj e Safet Berisha, sopranot Kaltrina Miftari e Shkurta Hykaj-Rexhepi, basi Nikollë Gjini e baritoni Shaban Behramaj, kanë sjellë edhe vargjet e këngës shqipe me “Të falemi o dhe” të Rauf Dhomit ku i këndojnë atdheut, bukurisë së gruas e frymës shqiptare në përgjithësi. Kanë interpretuar edhe pjesën tradicionale “An Irish blessing” e “Come again sweet love” të anglezit John Dowland që ka qenë si thirrje për bashkim. “Dindirindin” dhe “Fair Phyllis I saw sitting all alone” të kompozitorit tjetër anglez, John Farmer, kanë qenë vepra më të gjalla e harmonike.

Pikërisht ansambli “ReMusica” karakterizohet me repertor të gjerë stilistik, duke filluar nga muzika e vjetër shqiptare – renesancë dhe barok, me repertorin modern shqiptar, e deri te repertori botëror bashkëkohor. Nën udhëheqjen e dirigjentit maestro Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me finesë dhe ndjeshmëri në interpretim.

Image
Anëtarët kanë ndjekur instruksionet e dirigjentit Rafet Rudi (Foto: Rrahman Osmani)

Dinamizmi rikthehet në interpretimin e veprës “Ater umbra” të Memli Kelmendit. Interpretimi që fillon si i lehtë forcohet çdoherë dhe sa merr hov të arrijë një pikë të lartë, ndërpritet. Këtë e arrin kur nis prapë interpretimi, por kur kthehet në pikën fillestare drejtimin e veprës e merr baritoni Shaban Behramaj, pjesë e shtuar në vepër.

“Kjo është një vepër që Memli e ka shkruar para disa viteve, por pas një kohe e ka shtuar pikën solistike të cilën ju e dëgjuat, me dedikim ekstra për mua”, ka treguar Behramaj.

Kompozitori i veprës Memli Kelmendi ka përgëzuar dirigjentin Rudi e anëtarët e ansamblit për interpretimin.

Rudi ka udhëhequr Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës ku nën drejtimin e tij kanë realizuar një mori veprash vokalo-instrumentale. Veprimtarinë e ka shtrirë si kompozitor, dirigjent, autor në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës. Është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve. Viteve të fundit i përkushtohet zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë si Gjergj Danush Llapacaj e Jan Kukuzeli, veprat e të cilëve ishin interpretuar në koncertin në Belgjikë.

Pritja e publikut, sipas tij, ka qenë e ngjashme me atë në Bruksel ku kishin mbajtur koncertin “Vitrail Albanese” në kuadër të festivalit “La Semaine du Son – De week van de Klank” në shkurtin e sivjetmë, porse me emocione të tjera. Disa prej veprave që janë interpretuar kanë qenë e përbashkëta mes festivalit belg dhe “ReMusicas”.

“Të gjitha veprat që i keni dëgjuar janë vepra korale, ndërsa ne kemi arritur t’i sjellim në një formacion më të vogël, një oktet. Do të thotë se vështirësitë rriten, sepse në këtë rast gjithë përgjegjësia bie mbi ne. Të gjitha veprat kanë pasur orkestra të mëdha dhe pa diskutim programi ka qenë shumë kërkues”, ka thënë Behramaj që është njëherësh edhe organizator i ansamblit.

Përfaqësues të institucioneve muzikore e muzikantë vendorë kanë qenë të pranishëm në mesin e publikut.

Tenori Safet Berisha ka thënë se mbështetja e publikut kur aty gjenden profesionistë të fushës i motivon për të vazhduar më tej. Ka thënë se vepra të periudhave të arta të muzikës vokale janë përfshirë në program.

“Ka qenë repertor i shumëllojshëm, nuk ka qenë tradicional në kuptimin e stilit të muzikës klasike, por i shtrirë në periudha të ndryshme të muzikës serioze. Programi ka qenë sfidues, ka pasur vepra moderne të kompozitorëve tanë. Por ka pasur edhe vepra që janë perla të muzikës klasike korale’, ka thënë Berisha.

Në interpretim të veprës tradicionale “Janinës ç’i panë sytë” është përshtatur versioni klasik me atë të iso-polifonisë. Me këtë vepër është përmbyllur koncerti, por duartrokitjet e gjata të publikut, i kanë kthyer në skenë në interpretim të kësaj vepre si falënderim për ta.