Kulturë

Animatorët e rinj bashkohen për mesazhe vetëdijesuese në kohë pandemie

Disa shtëpi me ngjyrë të kaltër, mbi to zemra të verdha dhe mbishkrimi “rri n’shpi” ngjyrë qielli, janë disa nga elementet që animatorja e re Lira Gjikolli i ka bërë bashkë në animacionin e saj 14-sekondash. Videoja e saj është e para e publikuar në rrjete sociale të martën, nga Akademia e Animacionit e “Anibarit”.

Në ditët në vazhdim do të publikohen edhe disa animacione të tjera, përfshirë ato të realizuara nga studentët Gent Cakaj e Elza Hasani. Që të tre animatorët e rinj nëpërmjet animacionave do të japin mesazhe vetëdijesuese në lidhje me pandeminë. Studentët në mënyrë kreative do të mundohen që të japin përgjigje edhe në pyetjet se “pse duhet të qëndrojmë në shtëpi” dhe “çfarë mund të bëjmë në shtëpi?”. Realizimin e videove të tilla Akademia e ka nismuar si mënyrë atraktive për të dhënë informacione për pandeminë në gjuhën shqipe, duke mbajtur njëkohësisht të angazhuar studentët e saj edhe gjatë kohës së koronavirusit, raporton KOHA.

Lira Gjikolli i takon gjeneratës së tretë të Akademisë së Animacionit të “Anibarit” në Prishtinë, ku merr njohuri sesi ta përdorë mediumin e animacionit si mjet për të sjellë në jetë ilustrimet të cilat i realizon. Kësaj shkolle unike i është bashkuar sivjet.

“Animacioni i shkurtër që kam realizuar ka qëllim që të bartë mesazhin që vetëm përmes bashkëpunimit kolektiv mund ta kapërcejmë këtë situatë. Duke qëndruar nëpër shtëpitë tona ne kontribuojmë në të mirën e përbashkët”, ka thënë ajo për animacionin e saj të realizuar me metodën tradicionale që ndryshe njihet si “frame by frame”. Fuqia e animacionit të saj qëndron te thjeshtësia e mesazhi i qartë: “rri n’shpi”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.