EXPRESS

Pasioni - formula e suksesit të animacionit

Nisur nga krijimtaria e gjatë personale në krejt kontinentet, artisti japonez Motomichi ka shpalosur shprehjen artistike para audiencës së “Anibarit”. Në projektorin e teatrit “Jusuf Gërvalla” ka prezantuar dhjetëra punë të tij, e në bazë të tyre ka folur rreth krijimit artistik e të detajuar të animacioneve.

Artisti japonez me prezantimin e tij të titulluar, “Eksplorimi i frikës, kuriozitetit dhe lidhjeve të përbashkëta në mediat artistike”, ka shpjeguar rolin që pasioni dhe emocionet personale kanë në krijimtarinë e një artisti.

Motomichi, që lë gjurmë nëpërmjet tri ngjyrave: së kuqes, së zezës dhe së bardhës, ka sjellë interpretimin që ato kanë edhe në Pejë.

“Si artist duhet të ndash me të tjerët atë që të pëlqen. Nëse krijon diçka me pasion duhet ta ndash me të tjerët me të njëjtin pasion. Nëse krijon diçka në këtë mënyrë, atëherë edhe njerëzit do ta pëlqejnë atë”.

E dita e tretë e Festivalit të filmave të animuar ka bërë që shumë pjesëmarrës të diskutojnë rreth kryefjalës së sivjetme, dashurisë.

Në panelin “Fifty shades of Love: Impact of Cinematography” treshja e filmbërësve, Marko Djeshka, Blerta Zeqiri e Erblin Nushi, ka kritikuar mediat tradicionale që u kanë dhënë pak hapësirë komuniteteve të margjinalizuara.

“Në kohën e përgatitjes së filmit ‘Martesa’ kam qenë në gjendje që u pata lodhur nga disa projekte kinematografike që shihja në raport me luftën. Në atë kohë mendoja se po ndërtoheshin konstrukte të familjeve të paqëndrueshme. Doja ta ekspozoja atë në atë kohë. Kur ke fokus diku atë, atëherë e bën një gjë më të madhe. Po ta realizoja tash, nuk do ta bëja filmin njëjtë”.

Ndërsa Erblin Nushi ka thënë se është rritur duke parë veç një lloj të dashurisë në media.

“Fatkeqësisht mbetet në gjeneratat e reja që të jenë më gjithëpërfshirës në atë që shpërfaqim në media. Problemi më i madh mendoj që është të mos jesh në gjendje të shohësh dashuri midis gjinisë së njëjtë”.

Edhe Marko Djeshka ka një përvojë të gjatë në filmbërje. Sidomos në animacion. Filmi i tij, “All Those Sensations in my Belly”, ka ndezur projektorin e “Anibarit” sivjet. Ai ka bërë thirrje që artistët duhet të jenë të kujdesshëm për atë që shfaqin në publik. E këtë thirrje e bën edhe festivali sivjet.

“Personazhi kishte sfidë për të gjetur partnerë, pasi u tregonte se është transeksual. Ne rritemi me stereotipa dhe është vështire të shmangesh prej tyre”.

Në ditën e tretë të “Anibarit”, gara e filmit të metrazhit të gjatë, gara e studentëve dhe gara ndërkombëtare, kanë bërë që në ekranet e tri kinemave në Pejë të shfaqin gjithsej 10 filma të animuar.