“Four Souls of Coyote” ka qenë një dëshmi që thyen klishetë e kahershme te përkufizimi i filmit të animuar. Ka të bëjë me dashurinë ndaj planetit, sfidat universale të njerëzimit. Por, që të depërtojë te publiku artisti japonez Motomichi ka thënë se animacioni ka një kusht kryesor: pasionin e artistit. “Si artist duhet të ndash me të tjerët atë që të pëlqen”, ka thënë ai të mërkurën, në ditën e tretë të “Anibarit”. Temë e një tjetër paneli kanë qenë stereotipat dhe fuqia e mediave dhe e industrisë së filmit për t’i thyer ato
Bëhet fjalë për një legjendë të kahershme që kthehet në kohën tonë nëpërmjet animacionit. Periudha e popullimit të asaj që sot është Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sillte edhe industrializimin e asaj pjese të botës. Për vendësit, kjo gjë ishte goditje në lule të ballit. Nuk imagjinohej dot industrializimi e shkatërrimi i natyrës me të cilën kishin edhe lidhje shpirtërore. Dashuria e tyre për ambientin ku jetonin vjen nëpërmjet “Four Souls of Coyote”. Produksioni hungarez nën regji të Aron Gauder zbërthen traumën e vendasve dhe pandjesinë e atyre që kishin marrë në dorë zhvillimin e atij kontinenti. Është një asi animacioni që garën e filmave të gjatë e mbush me përralla e imagjinatë. Por, mbretëron dashuria ndaj planetit, sikurse edhe festivali i animacionit “Anibar” që në edicionin e sivjetmë e ka temën “Love|Dashni”.
Si ngjarje e vendosur në ditët e sotme, adoleshentët vendas amerikanë përballen me ekuipazhin e një projekti të tubacionit të naftës, pikërisht poshtë kodrës nga toka e paraardhësve të tyre. E gjyshi evokon përrallën e lashtë të mitit të tyre të krijimit duke ua kujtuar të gjithëve se sfidat me të cilat përballet njerëzimi janë universale dhe se duhet të gjenden zgjidhje në rrethin e madh të krijesave.
Ky film që është dhënë të mërkurën midis nëntë kategorive, shtatë prej tyre garuese, ka kthyer vëmendjen te natyra dhe te njerëzit.
Motomichi, artisti që shtyn kufijtë e shprehjes artistike
Për njerëzit në një tjetër dimension ka folur edhe artisti japonez Motomichi. Prezantimi i tij i titulluar “Eksplorimi i frikës, kuriozitetit dhe lidhjeve të përbashkëta në mediat artistike” ka prekur krijimtarinë e tij të gjatë në krejt kontinentet. Njihet si artist multidimensional që lë gjurmë nëpërmjet tri ngjyrave: të kuqes, të zezës dhe të bardhës. Kështu po vepron edhe në “Anibarin” e sivjetmë që ka nisur të hënën e do të zgjasë deri të dielën mbrëma. Sipas tij, pasioni dhe emocionet personale luajnë një rol të rëndësishëm në procesin krijues. Ai beson se shprehja e këtyre emocioneve përmes artit mund të ketë një ndikim të thellë te shikuesit. Motomichi eksploron vazhdimisht media të reja për të shtyrë kufijtë e shprehjes artistike.
“Si artist duhet të ndash me të tjerët atë që të pëlqen. Nëse krijon diçka me pasion duhet ta ndash me të tjerët me të njëjtin pasion. Nëse krijon diçka në këtë mënyrë, atëherë edhe njerëzit do ta pëlqejnë atë”, ka thënë ai. Është një gjë që i ka bërë fort përshtypje në Kosovë. Disa herë e ka përmendur se edhe në rrugë njerëzit janë të gatshëm ta ndihmojnë dikë për gjithçka.
“Kjo nuk më ka ndodhur në ndonjë vend tjetër”, ka thënë ai disa herë. Në këtë rast ka përmendur dashurinë midis njerëzve dhe kjo vetvetiu është lidhur me temën e sivjetme të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit.
Por sa flitet për dashurinë me media, e sidomos për atë midis gjinisë së njëjtë, është një temë ku kritikat nuk mungojnë.

Industria e filmit, media dhe përballja me paragjykimet
Në panelin “Fifty shades of Love: Impact of Cinematography” treshja e filmbërësve, Marko Djeshka, Blerta Zeqiri e Erblin Nushi, ka kritikuar mediat tradicionale që u dhënë pak hapësirë komuniteteve të margjinalizuara.
Zeqiri, regjisore e njohur në vend, aktualisht drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se pajtohet me mendimin që dashuria është më e fortë se cilado drogë. Sipas saj, nga mungesa e dashurisë edhe shkaktohen luftërat. Më 2017 ajo kishte shfaqur në vende të ndryshme filmin e saj të gjatë, “Martesa”. Aty dy personazhet kryesore janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+. Përballen me luftën e Kosovës më 1998-1999 dhe më pas edhe me një tjetër luftë. Atë të brendshme. Megjithëse janë të dashuruar njëri me tjetrin, njëri prej tyre martohet me një vajzë.
“Në kohën e përgatitjes së filmit ‘Martesa’ kam qenë në gjendje që u pata lodhur nga disa projekte kinematografike qe shihja në raport me luftën. Në atë kohë mendoja se po ndërtoheshin konstrukte të familjeve të paqëndrueshme. Doja ta ekspozoja atë në atë kohë. Kur ke fokus diku atë, atëherë e bën një gjë më të madhe. Po ta realizoja tash, nuk do ta bëja filmin njëjtë”, ka thënë ajo. Sipas saj, me gjithë mungesat, çështja e lirive të komuniteteve të margjinalizuara dhe trajtimi i tyre në projekte artistike ka nisur të marrë frymë. Ka thënë se në ditët e sotme do të kishte tjetër fokus.
“Tash do të krijoja diçka më pozitive, më shpresëdhënëse. Ne si artistë jemi përgjegjës për atë që krijojmë. Tash po mundohem të sjell dashurinë në një fotografi më te madhe, nëpërmjet institucionit që drejtoj”, ka thënë ajo. Ka thënë se nëpërmjet punës së re e ka mundësinë që të japë më shumë dashuri në kuptimin që ta ndihmojë industrinë të flasë për dashurinë.
Ndërsa Erblin Nushi ka thënë se është rritur duke parë veç një lloj të dashurisë në media. “Fatkeqësisht mbetet në gjeneratat e reja që të jenë më gjithëpërfshirës në atë që shpërfaqim në media. Problemi më i madh mendoj që është të mos jesh në gjendje të shohësh dashuri midis gjinisë së njëjtë”, ka thënë ai. Ka treguar se para dy vjetësh ka përfunduar filmin e parë të gjatë ku nëna e sheh fëmijën duke pasur eksperiencën e parë të dashurisë.
“Por aty nuk e kam futur dramën. Ideja ka qenë që të tregoj se ka të ardhme edhe për atë fëmijë. Mendoj se mundësia për të krijuar filma është mundësi shumë e madhe me gjithë telashet e industrisë”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar filmin e radhës për datën 1 shtator në edicionin e parë të festivalit me përmbajtje të artit “queer” në Prishtinë.
Edhe Marko Djeshka ka një përvojë të gjatë në filmbërje. Sidomos në animacion. Filmi i tij, “All Those Sensations in my Belly” ka ndezur projektorin e “Anibarit” sivjet. Produksioni kroat në 13 minuta shpërfaq rrëfimin e Matias. Bëhet fjalë për një djalë që e ndien veten vajzë. E kjo për shoqërinë ku jeton nuk është gjë e vogël. Madje është hall i madh. Rrëfim i tij nis prej shkollës ku mësimdhënësit e pyesin se “përse vishet si peder”, duke përdorur një prej shprehjeve më pezhorative për komunitetin LGBTIQ+. Por Matia nuk heq dorë. Me thjeshtësi maksimale, por nëpërmjet një marrëdhënieje komplekse të personazhit me veten dhe botën që e rrethon, ekipi i filmit të animuar zhvesh telashet e komunitetit. Matia e ka të vështirë të gjejë një partner. E në fund zgjedh veç të rrethohet me njerëz të mirë e të vazhdojë jetën. Shkon deri në pikën ku thotë se vajzat ose bëhen prostituta, ose kanë padronë të pasur. Këtë me gjasë e bën edhe nga mllefi. Djeshka ka thënë se ka bërë disa intervista para se të realizonte këtë dokumentar.
“Personazhi kishte sfidë për të gjetur partnerë pasi u tregonte se është transeksual. Ne rritemi me stereotipa dhe është vështire të shmangesh prej tyre”, ka thënë ai derisa ka bërë thirrje që artistët duhet të jenë të kujdesshëm për atë që shfaqin në publik. Këtë thirrje e bën edhe festivali sivjet.
Kurse rastet si ai i japonezit Motomichi, që përshkruan qytetarët se si i ofrojnë ndihmë pa e njohur fare, janë dëshmi se tema e sivjetme e Anibarit “Love|Dashni” është e prekshme gjithandej.
