Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar” i është përveshur punës për edicionin e 12-të. Stafi është në kërkim të filmave që do ta plotësojnë mozaikun e edicionit të ardhshëm. Për këtë edicion, “Anibari” pret që të ketë animacione të cilët do të reprezantojnë ndryshimin e të menduarit dhe të jetuarit si rezultat i ngjarjeve të fundit dhe eksplorimin me teknika, forma dhe lirinë kreative që e ofron mediumi i animacionit. Këtë e ka bërë të ditur për KOHËN drejtoresha e Festivalit, Arba Hatashi. Thirrja është e hapur për animacione të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë nga të gjitha vendet e botës.
“Anibar” pranon filma në shtatë kategori të ndryshme duke filluar nga kategoria ndërkombëtare, studentore, ballkanike, ajo e të drejtave të njeriut, video-animacionit muzikor, e filmit të metrazhit të gjatë, si dhe kategoria për fëmijë dhe adoleshentë. Aty janë edhe programet speciale të cilat kurohen posaçërisht për atë edicion nga profesionistë të ndryshëm.
Arba Hatashi ka thënë se duke e parë zhvillimin e mediumit të animacionit në Kosovë si dhe krijimin e filmave të animuar në edicionin e 12-të “Anibarit” do të ketë edhe filma vendorë të cilët do të shfaqen krahas filmave ndërkombëtarë dhe do të garojnë së bashku me ta.
“Këta filma gjithashtu do të shikohen dhe do të vlerësohen nga profesionistë të mediumit të animacionit të cilët do të jenë pjesë e festivalit”, ka thënë ajo. Sipas saj, pandemia ka ndikuar në të gjitha fushat, ku disa prej tyre janë limituar në krijimin e formave të artit, por në fushën e animacionit pandemia dhe koha e karantinimit ka ofruar hapësirë e nevojshme për krijimin e animacioneve të reja dhe kualitative. Ka shtuar se trendi i krijimit të filmave të animuar në vitin 2020 është rritur dukshëm gjë që më 2021 do të rezultojë me numër më të madh të filmave për përzgjedhje. “Anibar” është në pritje të tyre deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Edicioni i 11-të i “Anibarit” ishte mbajtur këtë vit nga 17-23 gusht. Ishte një homazh për njerëzit që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë gjatë pandemisë. Pjesë e tij ishin 168 filma, 5 prezantime ndërkombëtare, 5 panele diskutimi, 3 punëtori për fëmijë dhe masterklase, 2 koncerte muzikore, si dhe u realizuan dy murale në qytetin e Pejës.
Hastashi ka thënë se realizimi i edicionit të 11-të ka qenë sfidues, pasi që janë përballur me një situatë të re e cila ka kërkuar adaptimin e festivalit në forma digjitale. Ka theksuar se angazhimi i gjithë stafit, por edhe komunitetit ka rezultuar që edicioni i kaluar të jetë mjaft i suksesshëm. E përballë pandemisë për edicionin e ri janë më të fortë, pasi që tani kanë eksperiencën që u ndihmon.
Drejtoresha e Festivalit ka thënë se “Anibar” dhe ekipi organizativ janë duke punuar në krijimin e formave të reja dhe vazhdimin e festivalit, qoftë në formën fizike me kinematë e hapura dhe me mysafirët e audiencën prezente fizikisht, apo në forma digjitale, gjithnjë duke u përpjekur të jetë pranë komunitetit.
“Përgatitjet për festival veç se kanë filluar prej muajit shtator duke shpresuar që edicionin e 12-të do të mund ta festojmë në formën fizike, por gjithnjë duke u përgatitur edhe për forma të tjera të organizimit duke e pasur parasysh mirëqenien e të gjithëve, e gjithashtu reprezentimin e mediumit të animacionit në nivel lokal, kombëtar dhe atë ndërkombëtar”, ka thënë ajo. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar”, shtrihet në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: Kinema “Liqeni”, kinema “Kubat” që gjendet në parkun e qytetit dhe kinemaja “Urban”.