Kulturë

Andrew Jack, aktori i filmave “Star Wars” vdiq nga koronavirusi

Trajneri i njohur i dialektit, Andrew Jack, vdiq të martën në një spital në Surrey, pas betejës me koronavirusin. Jack i cili njëherësh njihej si aktor i filmave “Star Wars”, ishte 76-vjeçar.

Agjentja e tij, Jill McCullough tha përmes një komunikate për media: “Andrew Jack vdiq sot në mëngjes nga COVID-19, në spitalin “St Peter's”. Ai shquhet si person tejet i pavarur i cili e adhuronte gruan e tij, Gabrielle Rogers, me të cilën e ndante të njëjtin profesion. Fatkeqësisht ajo është ngujuar në karantinë në Australi, ku kishte udhëtuar javën e kaluar nga Zelanda e Re. Ajo nuk pati mundësi ta shoh ose të flasë me të në minutat e fundit të vdekjes, dhe ka gjasa që të mos ketë funeral për të ndjerin.”

Jack ka luajtur në disa filma “Star Wars” në rolin e gjeneralit Ematt, përfshirë këtu: “Star Wars: Episode VIII - The Last Jedi”, “Solo: A Star Wars Story” dhe “Star Wars: Episode VII - The Force Awakens”.

Bashkëshortja e tij Gabrielle Rogers, aktualisht po qëndron e izoluar në Australi, ku të gjithë pasagjerët që së fundmi kanë arritur në këtë shtet, janë detyruar të mbyllen në hotel për dy javë,transmeton Koha.

Me ta kuptuar lajmin e vdekjes së bashkëshortit, ajo e postoi një mesazh në rrjetet sociale: “Andrew Jack ishte diagnostikuar me koronavirus para dy ditësh. Ai nuk kishte dhimbje në minutat e fundit të jetës, dhe vdiq i qetë duke e ditur se është shumë i dashur nga familja e tij.”

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Andrew Jack, ka punuar si trajner i dialektit me yje të njohur të hollywoodit si, Robert Downey Jr. dhe Chris Hemsworth.