Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Ana dhe Zefi” për kapërcimin e realitetit ku vritet liria

Prishtinë, 28 qershor – Nga të katër anët e skenës dëgjohen gumëzhimat e kusisë së hekurt. Avulli që del prej tyre e copat e sapunit që prehen me thikë për t’i hedhur në kusi, lënë të kuptosh se diçka po lahet brenda tyre. Shpejt merret vesh që bëhet fjalë për këmisha të bardha me shenja gjaku. Ai është kryefjala e rrëfimit. Shpejt merret vesh se Zef Bunga (Erson Zymberi) është vrarë nga Edi Markaj.

E kësaj i paraprinë udhëzimi: “Para se m’e gjujtë, bani za. Kujdesu mos m’e lanë të plagosun. Vraje me nji plumb. Ktheje trupin n’shpinë. Vendose pushkën te kryet e tij”, përsëritet disa herë nga katër aktorët. Është një botë shqiptare ku gjakmarrja e mbështetur në Kanun ua shkurton jetën burrave se në gra e fëmijë s’mund të merret gjaku.

Zefi kishte qëndruar i mbyllur për dy vjet. Ruhej nga gjakmarrësit. Familja e tij dhe ajo e Markajt kishin rënë në gjak sherri i një prone. E ëma e Zefit, Mara (Irena Cahani) është një grua e fortë që do zbatim të Kanunit dhe nuk lëshon pe për këtë. Këtë e bën pavarësisht që familjarët i shpjegojnë se ky zakon a ligj i popullit do të marrë në qafë familjen e saj dhe të Markajve.

Në shfaqjen “Ana dhe Zefi” me tekst të holandezit Ad de Bont e regji të Erson Zymberit, që është dhënë premierë të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, rrëfimi shpejt bartet në botën e përtejme. I riu shqiptar pas vdekjes takon vajzën më të njohur hebraike që ishte viktimë e holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore, Anne Frank (Verona Koxha). Ata nisin t’ia qajnë hallet njëri-tjetrit. Frank e njohur për “Ditarin” e saj ku përshkruante rrethanat e përjetimet në kampet naziste, ka të përbashkët me Zefin, ngujimin.

Këngët në shqip e hebraisht, ia shtojnë domethënien rrëfimeve në shfaqjen me kompozitor Trimor Dhomin, me skenografi e kostume të Bekim Korçës, përkthim të tekstit e dramaturgji të Doruntina Bashës, ku luan edhe Kushtrim Qerimi.

Regjisori Erson Zymberi ka thënë se “Ana dhe Zefi” në konceptin e vet regjisorial bashkë me shenjat e simbolet teatrale të gërshetuara brenda saj, shpalos idenë e ngujimit e të qenët i fshehur, i ndjekur dhe nevojën themelore të njeriut – lirinë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).