Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Aleanca të reja me ide të vjetra

Koncepti i integrimeve regjionale, përkatësisht të bashkëpunimit në mes të vendeve përkatëse, është bërë pjesë e fjalorit politik të strukturave qeverisëse. Në këtë aspekt, aspiratë e vendeve të Evropës Juglindore është anëtarësimi në kuadër të Bashkimit Evropian, çështje që është me interes jetik për qytetarët e shteteve të këtij regjioni.

Në lidhje me çështjet e tilla, si më parë edhe tash, janë realizuar projekte të ndryshme ku duhet veçuar ata të zonave kufitare, të cilat u kanë paraprirë integrimeve të ndryshme regjionale. Por, për të realizuar një bashkëpunim të tillë, fillimisht duhet të mos ekzistojnë çështje kontestuese kufitare në mes të vendeve përkatëse, por edhe dëshira dhe vullneti politik për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara, shkruan sot Koha Ditore.

Kohë më parë, pas dështimit në tetor për marrjen e ftesave për negociata me BE-në, duke mbetur në margjina të politikës shtetërore dhe asaj regjionale, kryeministri i Shqipërisë, E. Rama, inicioi në Ohër më 10 nëntor 2019 takimin midis Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, për formimin e aleancës regjionale e emërtuar si Shengeni ballkanik, e cila ka marrë përmasa të politizimit me qasje shumëdimensionale.

Të gjithë politikanët shqiptarë të Shqipërisë si shteti amë, kur kemi të bëjmë me çështjet e bashkëpunimit regjional, duhet të jenë nismëtarë kur janë në pyetje çështjet e bashkëpunimit mbarëkombëtar, ku marrëdhëniet me Kosovën duhet të jenë parësore. Por në bazë të informacioneve që i kemi, më gjithë angazhimin e deritashëm nuk mund të jemi të kënaqur, sepse pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. Sepse siç dihet, shumë marrëveshje janë nënshkruar në mes të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, por ka munguar vullneti për realizimin e tyre praktik. Andaj, ka qenë e udhës që vite më parë të formohej “Shengeni shqiptar” në mes të dy shteteve shqiptare e më pas edhe me fqinjët. Por, ndonëse deri më tash në këtë aspekt nuk kanë munguar deklarimet e rastit, jemi dëshmitarë se ka munguar vullneti politik për qasja konkrete. Duke marrë parasysh se nga lufta, përkatësisht çlirimi i Kosovës (1999) kanë kaluar dy dekada, është pritur që në kuadër të komunikimit brendashqiptar të bëhet më shumë./Nail Draga