Titulli i albumit të dytë të jazz-kitaristit të njohur, Taulant Mehmeti, i cili po bën karrierë në SHBA, është çështje ditësh e lansimi pret me gjasë pranverën. Por ajo që dihet është se për projektin e tij të radhës janë bërë tok edhe emra të njohur botërorë. Njëri prej tyre – Peter Bernstein, të cilit Mehmeti i referohet si një prej jazz-kitaristëve më të mirë që aktualisht bëjnë muzikë. Albumi tashmë është incizuar përkundër sfidave në përballje me pandeminë
Prishtinë, 25 dhjetor – Shumë artistë gjatë këtij viti u përballën me dilemën nëse do të duhej të lansojnë albumet e tyre, për shkak të pandemisë. I vështirë ishte edhe procesi i realizimit. Ngjashëm ndodhi edhe me jazz-kitaristin kosovar, Taulant Mehmeti. Për këtë është e kuptueshme kur artisti që po bën karrierë në Amerikë, e nis bisedën për albumin e tij të dytë, duke thënë se fillimisht është me fat që është gjallë, në vitin kur bota po përballet me koronavirusin. E konsideron veten me fat edhe për bashkëpunimin me profesionistë të jazzit, instrumentistë të njohur të skenës ndërkombëtare, por edhe të Kosovës.
“Nuk jam shumë për kategorizimin e muzikës, por mund të them se është një album jazzi”, ka thënë Mehmeti. Një album, që përfshin ndikime të ndryshme dhe eksperienca gjatë udhëtimit të tij muzikor dhe kompozime nga njerëz të rëndësishëm për 28-vjeçarin. Një punë e madhe e finalizuar si album brenda një dite.
“Kemi pasur dy orë përgatitje në studio dhe rreth 4-5 orë ushtrime dhe incizim të tingujve: një ditë me 7 orë punë!”, ka thënë Mehmeti, i cili ka qenë duke punuar tash e një vit në aranzhimet dhe kompozimet origjinale që janë pjesë e albumit e po ashtu ka performuar nëpër vende të ndryshme me trion e tij. Për aq sa u ka lejuar situata me pandeminë.
Pianisti Marius van den Brink dhe bateristi Connor Parks, që janë pjesë e trios së tij, janë bashkëpunëtorë edhe në albumin e ri.
Marius van den Brink si solist dhe kompozitor konsiderohet thesar në skenën e gjallërishme të jazzit në New York. Pasi që u zhvendos nga Amsterdami në Brooklyn, New York, ka performuar dhe incizuar me artistë të njohur, si Jeff 'Tain' Watts, Joel Frahm, Fransesco Mela e Ingrid Jensen. Vitin e kaluar ai ishte fitues i çmimit “Pathways to Jazz”. E me bateristin Connor Parks kreu studimet bachelor për jazz në “New School for Jazz & Contemporary Music” në New York, nën ligjërimin e Jane Ira Bloom, Reggie Workman, dhe Dave Douglas, si dhe ndoqi mësime private me Matt Wilson, Johnathan Blake, Aaron Parks e të tjerë.
Por, padyshim bashkëpunimi që duhet pritur me kërshëri është ai me jazz-kitaristin e njohur amerikan, Peter Bernstein. Apo, siç i referohet Mehmeti, një nga jazz-kitaristët më të mirë që aktualisht bëjnë muzikë.
I lindur në New York, më 3 shtator të vitit 1967, Bernstein filloi që të luante në piano kur ishte tetë vjeç dhe më pas si 13-vjecar kaloi në kitarë, duke e mësuar këtë instrument kryesisht nëpërmjet dëgjimit. Ai studioi jazz në Universitetin “Rutgers” me Ted Dunbar dhe Kenny Barron. Si student në “New School” në New York, takoi kitaristin Jim Hall, i cili i ofroi që të performonte në “JVC Jazz Festival” në vitin 1990. Më pas, Bernstein luajti në albume me Jesse Davis, Lou Donaldson, Larry Goldings, Michael Hashim, Geoff Keezer dhe Melvin Rhyne. Po ashtu, lansoi albumin e tij të parë si lider me pianistin Brad Mehldau.

“Bernstein është, po ashtu, një ndër arsyet përse unë u zhvendosa në New York për ta ndjekur ëndrrën time”, ka thënë Mehmeti, duke mos zbuluar bashkëpunimet e tjera. Madje, as faktin nëse ky album do të jetë vetëm me kompozime apo do të ketë edhe këngë pasi që së fundmi ka bashkëpunuar edhe me solistë, si këngëtarja e jazzit, Malaya Sol nga Filipinet, por që tani bën muzikë në New York si artiste e pavarur. “Një pyetje e mirë, ta lëmë surprizë”, ka thënë ai.
Mehmeti vitin e kaluar publikoi albumin e tij të parë “Song to my Brother” (“Këngë vëllait tim”). Albumi i ishte dedikuar kujtimeve që ai ka për vëllain e tij, Kushtrim Mehmetin. Taulanti ishte 12-vjeçar, kur Kushtrimi humbi betejën me kancerin. Për realizimin e albumit, ishte ndikuar nga tingujt e muzikës së Ballkanit dhe asaj jazz, por kishte shkuar edhe përtej. Në mesin e kompozimeve në albumin e parë ishte edhe “Like Xhafa”, dedikuar kitaristit të njohur kosovar, Armend Xhaferi, i cili është përfshirë edhe në këtë album. Ka bërë miksimin dhe masterizimin e albumit, i cili do të lansohet nga “PlayEars label” me bazë në New York.

Mehmeti ka thënë se ndikimi i vendlindjes do të vërehet edhe në këtë album.
“Ndikimi i muzikës kosovare si gjithmonë është prezent në kompozimet e mia, aranzhimet dhe improvizimet. Kryesisht aspekti ritmik i këngëve të vjetra kosovare ose ritmi ballkanik në përgjithësi”, ka thënë ai. Ende nuk ka datë se kur do të lansohet albumi, por Mehmeti ka treguar se çmimi që u ndahet performuesve të talentuar, “Pathways To Jazz” – të cilin e fitoi në tetor të këtij viti – ia ka mbuluar shpenzimet për realizimin e tij.
Jazz-kitaristi, Taulant Mehmeti, përmes kompozimeve të tij autoriale dhe punës disavjeçare e që shpesh herë ishte në qendër të kritikave për inovacionin dhe lojën e shkëlqyer, ishte në mesin e dhjetë artistëve që u shpërblyen me këtë çmim. Ka katër vjet që ndahet nga organizata “Pathways To Jazz” e themeluar nga Alan Cogen, një adhurues i muzikës jazz. Kishte nisur si një dëshirë e themeluesit për të mbajtur gjallë dhe përkrahur skenën e jazzit në Colorado, por ndër vite ajo u bë e hapur edhe për muzikantë nga shtete të tjera. Këtë vit më shumë se 400 performues kishin synuar që të ishin në mesin e fituesve të çmimit “Pathways To Jazz”.
Mehmeti gjatë viteve ka performuar me artistë të njohur, si Vic Juris, Ingrid Jensen, Armend Xhaferi, Ilir Bajri, Marko Churnchetz, Linda Briceno, Baden Goyo, Nesim Maxhuni dhe Gabriel Chakariji. Ai përfundoi studimet në “The New School for Jazz and Contemporary Music” dhe studimet master në “SUNY Purchase”, si studenti i parë i jazz-kitarës që kreu studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri tani ka incizuar më shumë se 20 albume, si “side-man” duke luajtur në kitarë për grupe e këngëtarë të tjerë.