Thika e luftëtarëve ilirë është reprodukuar përtej Oqeanit Atlantik, aty ku sot jeton shqiptaro-amerikani, Alban Kasapi, në Teksas të Amerikës.
Bëhet fjalë për thikën ilire të quajtur sika (Sica, sicarius), një armë e ftohtë me gjatësi 41-46 centimetra, e cila është sjellë në jetë nga mitrovicasi Alban Kasapi, i njohur si Bono. Bono thotë se gjithnjë ka qenë i obsesionuar pas thikave e sëpatave.
E këtë mjeshtri e kishte mësuar sa ishte në Kosovë, saktësisht në pjesën veriore të Mitrovicës, që tani njihet si “Lagja e Boshnjakëve”. Ai thotë se ishte babai i tij që i mësonte gjithçka rreth këtij zanati, dhe jo vetëm, shkruan sot Koha Ditore.
“Babai im më ka mësuar shumë gjëra, ai njeri ishte një gjeni pothuajse në çdo gjë. Vetëm t’i tregoje çfarë doje dhe ai do ta krijonte atë”, shprehet Bono. Që nga paslufta ai jeton në Austin, Teksas, së bashku me familjen e tij dhe atje ka filluar një jetë të re.
E ato që i kishte mësuar në Mitrovicë vazhdon t’i shpalosë në shtëpinë e tij të re. Më 2011 ai thotë të ketë nisur edhe biznesin e tij të punimit të thikave. E përkundër që këtë veprimtari e zhvillon në Amerikë, biznesi i tij i thikave mban një emër të veçantë në gjuhën shqipe.
Prerja e paragjykimeve “Më 2011 e themelova ‘BlackEaglesTactical (BETU)’, e cila e ka kuptimin për me u betu dhe betim, kështu që kjo frazë është dykuptimëshe”, thotë Bono.
Tutje ai shton se biznesi i tij është i vogël, e krijon thika vetëm me porosi në tregun amerikan, megjithatë thotë se nuk e di se çfarë mund të sjellë e ardhmja.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)
