Përmes gjashtë projekteve, artisti kosovar do të vërë në pah historinë komplekse dhe transformimin socio-politik të Kosovës dhe regjionit. Disa nga veprat janë realizuar më herët, por nuk mungojnë as prurje të reja si “Above everyone” që prek çështjen e mbindërtimeve pastaj “Red Wall” (2021) për të cilën enkas është ndërtuar një mur brenda hapësirës ekspozuese në Vjenë
Artisti Alban Muja njihet për krijimtarinë artistike brenda së cilës gërshetohen disa mediume si: vizatime, piktura, fotografi, video-instilacione e performanca. Multidiale do të jetë edhe ekspozita e tij më e re. “In spite of everything, there is as wall”, (Përkundër çdo gjëje, aty ka një mur) është prezantimi i tij i parë në galerinë “Charim” në Vjenë. Përmes saj, sipas tekstit kuratorial, Muja do të vënë në pah historinë komplekse dhe transformimin socio-politik të Kosovës dhe regjionit. Do të shpalos vepra të mëhershëm, por edhe të reja. Përmes tyre do të eksplorojë çështje gjeopolitike, sociale dhe ekonomike. Apo siç është theksuar edhe në tekstin kuratorial të ekspozitës “Muja në mënyrë poetike – ndonjëherë ironike – kërkon lidhje në mes të gjinisë, familjes, territorit dhe përfundimisht shtetit”. Ekspozita që do të hapet më 8 qershor do të jetë e qasshsme për publikun deri më 23 korrik të këtij viti.
Krahas ekspozimit të veprave të artistëve “Charim Galllery” ka në fokus edhe ekspozitat që trajtojnë çështje sociale të cilat janë të vendosura në diskursin politik të së sotmes. Galeria njihet për ekspozimin e veprave të artistëve si Dorit Margreiter, Olga Neuwirth, Andreij Monastyrskij, Lisl Ponger, Dorothee Golz dhe Milica Tomic. Por gjithashtu vë në pah edhe artistë të rinj, duke prezantuar krijimtarinë e tyre para publikut.
Në këtë ekspozitë, Muja emri i njohur në fushën e artit – përfaqësuesi i Kosovës në edicionin e 58-të të Bienales së Artit në Venecie me veprën “Albumi Familjar” - ka thënë se titulli i ekspozitës së tij është një theksimin i asaj që paraqitet në këtë ekspozitë. “In spite of everything, there is as wall” bënë bashkë gjashtë projekte: “Red wall” (2021), “Legendary Dog” (2014), “My name their city” (2012), Brotherhood (2013-2014), “Above everyone” (2021) dhe “Borders without borders” (2016-2017).
“Është një përpjekje për të sjellë në diskutim, probleme të caktuara shoqërore, por meqenëse unë jam një artist nga Kosova, fokusi kryesor është të sjellë në diskutim problemet me të cilat përballemi si shoqëri përmes disa projekteve artistike, të bëra kohët e fundit dhe disa projekte të punuar herët”, ka thënë Muja.
Hapësira ku do të prezantohet krijimtaria e artistit 40-vjeçar do të ndahet në dy pjesë nga një mur me tulla, instilacion i ri me titullin “Red Wall” (Muri i kuq, 2021). Në tekstin kuratorial të ekspozitës është treguar se bëhet fjalë për një vepër të re të konceptuar posaçërisht për këtë ekspozitë dhe ndërtuar nga Gastarbeiters – një term që përdoret që në vitet e ‘60 në Gjermani dhe Austri për t’iu referuar punëtorëve nga Ballkani.
“Duke implikuar një vështrim të vëmendshëm dhe një grupazh të struktural të marrëdhënieve gjeografike dhe territoriale, Muja vë ne fokus njerëzit nga Ballkani që jetojnë në Vjenë, e që tradicionalisht kanë vënë rrënjë në punët në ndërtimtari, dhe fenomenin e punës së emigrantëve, që parashihen si qytetarë mysafirë, kështu që janë të privuar sigurimet ligjore dhe ekonomike”, është shkruar në tekstin kuratorial të Attilia Fattori-Franchini.
Muja do të prezantohet edhe me filmin “Legendary Dog” (2014) që do të shfaqet në një dhomë të vogël. Aty Muja ka dokumentuar historinë e Albës. Kujdestarët e tij, Ulay dhe Marina Abramovic tregojnë për udhëtimin e tyre të realizuar në vitin 1977 përgjatë kufijve të Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë që ishte në diktaturë, dhe sesi një qen Sharri u bë simbol i kufizimeve kufitare dhe identitetit. Lidhja në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndarja problematike përforcohet edhe në serinë fotografike “My name their city” (2012). Përmes kësaj vepre artistike, artistik vë në pah fenomenin e prindërve në Kosovë të cilët u lënë fëmijëve emra sipas qyteteve në Shqipëri si Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora.
“Duke përdorur shtëpinë, një infrastrukturë bërthamore, si shenjë e ideve kombëtare, Muja eksploron më çështje me të gjera dhe e konfliktet përmes kartës së subjektivitetit”, ka shkruar kuratorja Attilia Fattori Franchini.
Te “Brotherhood” (2013-2014), Muja në kanavacë portretizon një seri të shtëpive identike. Ky cikël shfaq fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta për vëllezër.
“Këto ndërtime arkitekturale të çuditshme, shpesh të spikatura për shkak të eksterierit të tyre, reflektojnë lidhjen familjare, mizogjininë, dhe përjashtimin e grave nga shoqëria. Seria e re e pikturave ‘Above everyone’ (2021), që ilustron rezidencat private të ndërtuara në kulme të ndërtesave publike, shikon me vëmendje antagonizmin social dhe zhvillimin e arkitekturës abuzive. Shënon dëshirat individuale dhe pohimin e refuzimin e principeve socialiste në territore ish-Jugosllave. Këto shtëpi qëndrojnë si një deklaratë e refuzimit dhe mos-integrimit”, ka shkruar kuratorja që vepron në Londër dhe Vjenë. Sipas saj, për artistin kosovar, dokumentimi vizual i këtyre strukturave arkitektonike është gjithmonë i lidhur me rrëfimtarinë dhe hulumtimin kualitative, përdor si një vegël për analiza sociale dhe antropoligjike. Ka theksuar se të “Borders without borders” (2016-2017), Muja, zmadhon reflektimin në monumente dhe idenë për ndarje territoriale. Bëhet fjalë për një seri me tetë fotografi bardhezi, që kapin në fokus ish-ndërtesa kufitare të braktisura përgjatë zonës së “Shengen-it”. Sipas saj, duke shprehur një mesazh të dyfishtë, të lirisë dhe vetëpërmbajtjes, pasi ndërtesat e braktisura japin një ndjenjë të frikshme, tregojnë funksionin e tyre neglizhues, dhe prezenca e tyre është një qëndrim që tregon ndarjen e mëparshme.
“Duke tërhequr vëmendjen te këto ndërtesa, Muja vë në pyetje vendlindjen e tij Kosovën, ku këto lloje të infrastrukturave akoma janë funksionale dhe lëvizja e lirë është e kufizuar, duke na konfrontuar ne me absurditetin dhe dhunën e ndarjeve politike”, ka shkruar tutje ajo në tekstin kuratorial.
Gjatë kësaj periudhe, edhe në Amerikë është duke u shfaqur krijimtaria e artistit kosovar. Vepra “Albumi familjar”, por me koncept tjetër kuratorial nga ai i Venecias, ka zënë vend në “International Studio & Curatorial Program” në Neë York. “Alban Muja: Albumi Familjar – gjurmimi i rrëfimeve gjatë luftës në Kosovë 1998-99”, është titulli i ekspozitës së hapur më 9 shkurt, e që do të qëndrojë aty deri më 13 korrik të këtij viti.