Kulturë

“Akte riparimi” si një histori solidariteti midis Kosovës e Izraelit

Ekspozita “Akte riparimi”

“Akte riparimi: Arkitektura e riparimit” synon të demonstrojë miqësinë, kujdesin reciprok dhe të qenit për njëri-tjetrin në kohë të vështira mes njerëzve të Izraelit dhe atyre të Kosovës

E titulluar “Akte riparimi: Arkitektura e riparimit”, spikat idenë se riparimi pas lufte nuk është një proces linear e as një ndërmarrje qeveritare. Është arkitekturë njerëzore, strumbullar i veprave dhe angazhimeve etike që përveç fizikisht, rikthejnë edhe praninë e botës së brendshme të njerëzve që janë prekur nga lufta. E shembull aktesh riparimi janë dy personalitete humanistësh si Eli Eliezri dhe Moshe Landsman

Kur Kosova ishte në krizë lufte, izraelitët vendosën t’i dalin popullit kosovar në ndihmë, si simbol reciprok ndaj aktit të strehimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. E theksin e kësaj dukurie e kanë sjellë në hapësirat e Qendrës për Praktikë Narrative me ekspozitën e figurave humanitare dhe jo vetëm, Eli Eliezri dhe Moshe Landsman, puna e të cilëve është personifikim i trashëgimisë së veçantë të rindërtimit strukturor.

E titulluar “Akte riparimi: Arkitektura e riparimit”, ekspozita ka bashkuar jo pak vizitorë pasditen e së martës, duke spikatur idenë se riparimi pas lufte nuk është një proces linear e as një ndërmarrje qeveritare. Është arkitekturë njerëzore, strumbullar i veprave dhe angazhimeve etike që përveç fizikisht, rikthejnë edhe praninë e botës së brendshme të njerëzve që janë prekur nga lufta. Eliezri dhe Landsman paraqesin një praktikë të dyfishtë riparimi: infrastrukturë dhe imagjinatë, strehim dhe psikikë. 

Eli Eliezri qe kryetar i “American Kewish Joint Distribution Committee”, ndër të parat organizata joqeveritare që hynë në Kosovë në qershorin e vitit 1999, fillimisht duke u koncentruar te meremetimi i shkollave. Vdiq në shtatorin e vitit 2010. Moshe Landsman njihet si bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së, më pas qe edhe profesor. Vdiq në janarin e vitit të kaluar. 

Ekspozita që është kuruar nga Gazmend Ejupi, ka nisur si ide nga Ambasada e Izraelit në Kosovë dhe ajo në Tiranë. 

Tamar Ziv ambasadore e Izraelit në Kosovë ka treguar se fisnikëria e shqiptarëve në kohë të vështira i ka nxitur Eliezrin dhe Landsmanin të nisin diçka për t’i nxjerrë shqiptarët nga tragjedia.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është ta demonstrojmë miqësinë, kujdesin reciprok dhe të qenit për njëri-tjetrin në kohë të vështira mes njerëzve të Izraelit dhe atyre të Kosovës, shqiptarëve në përgjithësi, sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët na qëndruan pranë në kohë të vështira, kanë rrezikuar jetët e veta për të shpëtuar shumë hebrenj gjatë luftës, duke i strehuar dhe lëvizur ata nga një vend në një tjetër, në mënyrë që të kishin një vend për t’u fshehur, dhe kur ju kishit nevojë ndiem obligim moral për të ardhur e t’ju qëndrojmë pranë në kohë të vështira”, ka thënë ambasadorja Tamar Ziv për mediat e pranishme në ekspozitë.

Krejt kjo histori kishte nisur kur Izraeli u bë shteti i parë që themeloi një spital fushor në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe një spital që sipas ambasadores, “ka trajtuar mijëra refugjatë që ishin lënduar ose që s’kishin shtëpi”.

“Kur mbaroi lufta, zoti Eli Eliezri arriti në Kosovë për të parë çfarë mund të bënte për t’u ndihmuar kosovarëve, për t’u ngritur nga kjo tragjedi që kishte ndodhur dhe të fillonin ta ndërtojnë shtetin dhe jetët e tyre. Ai nisi me çdo gjë që kishte të bënte me fëmijët, rehabilituan shkollat që ishin shkatërruar, dhanë donacione për pajisje shkollore, si çanta, uniforma, pajisje për spitale, rindërtuan xhamitë, krijuan trajnime të veçanta për fushën e shkencave kompjuterike në anglisht, sepse e kishin bindjen se të rinjtë do të punësoheshin në komunitetin ndërkombëtar, se do të ishin ata që bashkëpunojnë për ta ribërë shtetin, prandaj kjo ishte një mënyrë për të punuar me organizata të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë tutje ambasadorja.

Ekspozita është një narrativë e dy storieve në të njëjtën kohë. Në tërësi, ka frakturë dokumentare. Në formë ekranesh shfaqen imazhet e dy protagonistëve në misione të ndryshme

Vetëm atëherë ata do ta kuptonin se ka nevojë për psikologë, për shkak të traumave të mëdha nëpër të cilat kishte kaluar populli kosovar, andaj Eli Eliezri e solli doktor Moshe Landsman, i cili është një psikolog, që u lidh emocionalisht me popullin e Kosovës dhe ia dedikoi një pjesë të madhe të jetës së tij për ta krijuar një psikologji profesionale në Prishtinë. 

“Ata e kanë themeluar Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe deri tash kanë trajnuar mijëra psikologë, kanë krijuar një qendër për trajtimin e autikëve dhe kanë punuar gjithashtu në Shqipëri. Shumë njerëz që kanë ardhur në këtë ekspozitë kanë qenë nxënës të Landsmanit, kanë punuar me të ose kanë pasur mbështetjen e tij në nivel profesional dhe personal”, ka rrëfyer Tamar Ziv.

E kuratori Gazmend Ejupi ka treguar rëndësinë e saj për themelimin e institucioneve të psikologjisë.
“Është bashkëpunim me Ambasadën ku jam ftuar si kurator për ekspozitën për dy persona, të cilët kanë kontribuuar shumë për Kosovën në vitet 99-2000, kur është themeluar Fakulteti i Psikologjisë për herë të parë, me kurrikulë është dizajnuar dhe është intervenimi i parë kur kanë filluar me ringjalljen e shkollave mbas luftës. Ekspozita ka një përmbajtje shumë të fuqishme edhe sipas ndërtesës, e cila është trashëgimi kulturore që nuk guxojmë ta prekim dhe çdo send është lidhur me referenca të historisë së viteve 2000, në kuadër të dy personazheve që i kemi në ekspozitë”, ka thënë para mediave kuratori Gazmend Ejupi.

Ekspozita është një narrativë e dy storieve në të njëjtën kohë. Në tërësi, ekspozita ka frakturë dokumentare. Në formë ekranesh shfaqen imazhet e dy protagonistëve në misione të ndryshme. Por, rrëfimet nuk zbërthehet vetëm nëpërmjet tyre. 

“Nëse i prek bazamentet, janë të lëna me qëllim që të përlyhen duart, sepse kur kanë filluar të riparohen shkollat kanë qenë në kësi gjendje, kështu që referenca e këtyre është që të përlyhen duart”, ka shtuar kuratori Ejupi.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që është edhe arkitekt me profesion. Ai ka përgëzuar Ambasadën e Izraelit dhe kuratorin Ejupi për “bashkëpunimin e mrekullueshëm” duke kontribuuar në krijimin e kësaj ekspozite në Qendrën për Praktikë Narrative, e cila “tash po shfrytëzohet si një vend për art dhe kulturë”.

Në fakt Qendra për Praktikë Narrative dikur biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ka edhe një histori prapa. E përuruar si e tillë nga bienalja nomade evropiane “Manifesta 14” nuk “mbijetoi” as një vit si e vetmja shenjë e ngjarjes që buxhetit të Kosovës i kushtoi 4 milionë euro, që u mbajt për 100 ditë në verën e vitit 2022. Rreth 850 mijë euro u investuan aty, e në majin e vjetëm u bë Drejtori e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Të mërkurën “Manifesta” nëpërmjet një deklarate për media ka dalë me njoftimin se “do t’ia dhurojë pajisjet e Qendrës për Praktikë Narrative organizatave jofitimprurëse në Kosovë” dhe se “Bordi i fondacionit ‘Manifesta 14 Prishtina’ ka vendosur t’ia kthejë objektin Komunës së Prishtinës, që hapësira të mund të përdoret dhe menaxhohet nga komuniteti artistik i qytetit”, e fondacioni do të shpërbëhet “në një të ardhme të afërt”. 

“Kryeqyteti ka një kalendar të begatshëm të artit dhe të kulturës, çdo vit e më shumë po e shtojmë këtë kalendar dhe e kemi gjatë gjithë vitit një kalendar që po na ndihmon ta ngremë edhe turizmin e artit dhe kulturës, kemi vit më vit nga 30-35 për qind ngritje të turizmit në kryeqytet dhe në krejt Kosovën, kështu që nëpërmjet këtyre aktiviteteve të Javës së Kulturës, Prishtina është nikoqire e të gjithë këtyre popujve miq të vendit tonë”, ka thënë kryetari Rama në korridorin e ish-“Hivzi Sulejmanit”.

Ka thënë se përmes ekspozimit ndaj kulturave të tjera, krijohet një besim më i madh te populli, duke e vënë theksin te krijimi i mundësive të shumta për t’u ndërlidhur me popuj të tjerë me qëllim që të këmbehen programe kulturore dhe komuniteti artistik i Kosovës të bashkëpunojë me vende të tjera nëpër botë.