“Parimet tona janë të qarta. Kjo do të jetë enciklopedi shqiptare. Do të përpiqemi që të ndjekim parimet shkencore, të mos jemi pjesë e polemikave që zhvillohen jo vetëm brenda mileut ballkanik. Parimi ynë është objektiviteti shkencor”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, pas prezantimit të redaksisë qendrore të projektit që synon hartimin e Enciklopedisë Shqiptare. Synohet që për rreth 5 vjet, ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë të rrumbullakojnë projektin që do të paraqesë personalitete, ngjarje e zhvillime politike, historike, kulturore, sociale e ushtarake, të shenjuara nga gjithë hapësira kombëtare shqiptare
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpallën të hënën në Tiranë redaksinë qendrore për krijimin e Enciklopedisë Shqiptare, projekti i tretë madhor, pas fjalorit dhe historisë së Shqipërisë. Enciklopedia Shqiptare ka tanimë një redaksi qendrore në bazë të një rregulloreje të akorduar midis dy institucioneve më të larta shkencore të të dyja vendeve.
Në përbërje të saj, krahas një anëtari nga Maqedonia e Veriut, dy akademitë kanë nga 5 anëtarë, përfshirë dy kryetarët përkatës. Ndërkaq, në vijim priten të shpallen edhe emrat e Redaksive Vendore. Do të jenë dy të tilla, në Tiranë e Prishtinë me nga 7 deri në 9 anëtarë, kurse drejtuesit e tyre do të jenë në listën e emrave të Redaksisë Qendrore. Akademik Skënder Gjinushi bashkë me kolegët, Dhimitër Haxhimihali, Marenglen Verli e Shaban Sinani dhe profesoresha Ajula Jubani janë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në redaksinë qendrore. Në anën tjetër, nga Kosova janë akademik Mehmet Kraja bashkë me kolegët Rexhep Ismajli, Nexhat Daci, Jusuf Bajraktari e Rauf Dhomi. Përfaqësuese nga Maqedonia e veriut është profesoresha Valbona Toska.
Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, në një konferencë të përbashkët për medie në Akademinë e Shkencave në Tiranë shpjeguan vijueshmërinë e punës. Akademikët Gjinushi e Kraja bënë të ditur se tanimë kanë gati një platformë të përbashkët, ndërsa puna pritet të nisë vitin që vjen. Kohëzgjatja, sipas tyre, mund të shkojë mbi 5 vjet.
“Rëndësi mbi afatet ka cilësia, disa thonë mund të shkojë 5, të tjerë deri në 7 vjet në varësi të punës. Çdo vit dy qeveritë do të akordojnë një buxhet në bazë të kërkesës së palëve”, ka thënë akademik Skënder Gjinushi. Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar me 24 nëntor, në seancë plenare, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin financiar e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia shqiptare”. Kjo marrëveshje është miratuar në parim dhe është nënshkruar në Prishtinë me 20 qershor 2022.
Akademik Mehmet Kraja ka thënë se nuk do t’i bëjnë oponencë askujt, duke iu referuar historisë që paraqesin enciklopeditë e vendeve të rajonit.
“Parimet tona janë të qarta. Kjo do të jetë enciklopedi shqiptare. Do të përpiqemi që të ndjekim parimet shkencore, të mos jemi pjesë e polemikave që zhvillohen jo vetëm brenda mileut ballkanik. Parimi ynë është objektiviteti shkencor”, ka thënë Kraja.
Edhe
“Enciklopedia shqiptare” në hapin e radhës drejt hartimit
Projekti “Enciklopedia shqiptare”, objekt i kësaj marrëveshjeje, paraqet në mënyrë të gjithanshme dhe përpjesëtimore, mbështetur në kriterin e rëndësisë objektive historike: “personalitete, ngjarje e zhvillime politike, historike, kulturore, sociale e ushtarake, të shënjuara nga gjithë hapësira kombëtare shqiptare; nga ngulmimet e hershme historike dhe nga diaspora; dukuri e personalitete të huaja me kontribut për promovimin ndërkombëtar të identitetit kombëtar, të gjuhës, kulturës, trashëgimisë dhe historisë kombëtare; si dhe për mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare”. Projekti përfshin të gjitha proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes deri te shtypshkrimi. Projekti “Enciklopedia shqiptare” hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqesh për vëllim.
Për realizimin e projektit, palët zbatuese do të bashkëpunojnë me institucionet kërkimore-shkencore publike ose me studiues të tyre. Ato mund të ftojnë për bashkëpunim institucione jopublike e studiues të pavarur në vendet e tyre dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Palët zbatuese do të veprojnë, sipas një rregulloreje të përbashkët që është miratuar në tetor të këtij viti. Projekti do të zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, duke filluar prej datës 1 janar 2023. Projekti “Enciklopedia shqiptare” konceptohet e realizohet si një vepër e hapur, e këshillueshme “online”, në plotësim të vijueshëm. Tirazhi i shtypur i saj u drejtohet bibliotekave publike të institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve promovuese të identitetit shqiptar në botë, qendrave albanologjike, e më gjerë. Projekti “Enciklopedia shqiptare” dhe arkivi shkencor që krijohet gjatë punës për hartimin e veprës do të jenë pronësi intelektuale e të dyja institucioneve zbatuese të kësaj marrëveshjeje. Arkivi shkencor i projektit do të ruhet pranë Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike dhe palët zbatuese kanë të drejta të barabarta përdorimi shkencor.
Financimi i projektit bëhet nga buxheti i të dyja palëve nënshkruese. Shuma e vënë në dispozicion për këtë projekt parashikohet në buxhetin e vitit 2023 të secilës prej palëve nënshkruese, përfshirë vitet e tjera vijuese buxhetore, deri në përfundim të projektit. Administrimi i fondeve të vëna në dispozicion për këtë projekt bëhet sipas një protokolli të veçantë, të nënshkruar nga palët e kësaj marrëveshjeje në tetor të këtij viti. Kompensimi për personat e angazhuar nga palët zbatuese të marrëveshjes do të jetë i barabartë.