Në mbledhjen e Asamblesë, të premten, akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat M. Dacit dhe Rauf Dhomit iu dha statusi akademik i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademik Dacit iu dorëzua diploma nga akademik Rexhep Meidani, ndërsa kolegut të tyre, Rauf Dhomit, iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi. Sipas njoftimit të ASH-së, ceremonia nisi me një minutë heshtje në nderim të akademik Luan Starovës, i cili vdiq të enjten në moshën 80-vjeçare.
Në po këtë ceremoni, u nda edhe “Çmimi i karrierës” për vitin 2021, me të cilin u laureua Bardhyl Golemi. Ai u vlerësua me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 1999; i shquar për studimet e tij bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike, autor i katër monografive dhe i gjashtë teksteve universitare...”.
Akademik Nexhat M. Daci është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 1993 në fushën e kimisë; anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve që nga viti 2014, anëtar i Akademisë Evropiane për Çështje të Mjedisit prej vitit 1987; anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve prej vitit 1985; me një karrierë akademike dhe universitare të shquar brenda dhe jashtë Kosovës; autor i rreth 100 artikujve shkencorë, një pjesë e madhe e të cilëve të indeksuar ndërkombëtarisht përmes listës “Scopus” dhe platformës “Web of Science”; me mbi 200 kumtime shkencore në një shumicë universitetesh evropiane; autor monografish dhe tekstesh universitare; fitues çmimesh e mirënjohjesh kombëtare e ndërkombëtare; veprimtar në jetën publike me merita gjerësisht të vlerësuara, si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të saj.
Akademik Rauf Dhomi është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që prej vitit 1993, kryetar i Seksionit të arteve dhe themelues i konservatorit artistik pranë saj; kompozitor e dirigjent i mirënjohur; figurë qendrore në këtë fushë krijimtarie në Kosovë dhe në të gjithë botën shqiptare; autor i mbi 300 veprave muzikore të formatit të vogël e të madh; për disa prej tyre edhe themelues; me një larmi të përplotë të llojeve e nënllojeve tradicionale dhe veçanërisht me ndihmesa origjinale në trashëgiminë e veprave skenike, të luajtura në Kosovë, në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit; i shquar për gjuhën e komunikueshme muzikore, mbështetur në stilin kombëtar dhe në rrjedhat evropiane; i identifikuar me vepra të tilla origjinale, si “Goca e Kaçanikut”, “Dasma arbëreshe”, “E bukura More”, “Vatra e urtësisë” dhe “Uratë vajzave”. Është fitues i disa çmimeve, dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare.
-
AShAK: Daci do të mbetet përgjithmonë i paharruar nga opinioni shkencor e arsimor i Kosovës
-
Në moshën 81-vjeçare vdiq akademiku Nexhat Daci, kryekuvendari i parë në Kosovën e pasluftës
-
U ndahen çmime dy shkencëtarëve të rinj për të arritura në inxhinieri elektrike e shëndetësi
-
Tre akademikë të Kosovës, anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
-
Haxhiu dekoron Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”