Kulturë

Recension: Të martohesh me një komunist

Ai mbahet të jetë shkrimtari më i mirë amerikan ende i gjallë.

Philip Roth, autori më i përfolur i letërsisë amerikane si fitues i mundshëm i Nobel-it për letërsi, është i mirënjohur për serinë e romaneve që në qendër kanë një shkrimtar me emrin Nathan Zuckerman.

Ndër to hyn dhe romani “Martesë me një komunist” i botuar më 1998.

Së fundi, ky roman është përkthyer edhe në shqip nga Shpëtim Myshketa dhe është botuar nga Skanderbeg Books, duke u bërë romani i pestë i Philip Roth-it që vjen në shqip.

“Martesë me një komunist” është një histori amerikane që shqiptarët, të cilët e kanë përjetuar komunizmin në historinë e tyre, dinë ta kuptojnë fare mirë. Një thurje komplekse dhe e mrekullueshme, e treguar nën yjet e qiellit përmes monologut të dy personazheve rrëfimtare të romanit: vetë Philip Rothit nën petkun e Natan Zukermanit dhe mësuesit të tij të dikurshëm të letërsisë, Merri Ringoldit. Vetë jeta e Natanit, është rruga nga mentori i vjetër, mësuesi i tij filozof me të cilën dekada më pas duhet të shqyrtojë të shkuarën e tij dhe të vetë Amerikës, te vëllai i mësuesit të tij të njohur rastësisht dikur, Ajras, idealistit rebel e të pakënaqur.

Natani do të kthehet nga djaloshi i etur për t’u bërë shkrimtar, në adhuruesin e udhëheqësit të tij shpirtëror, komunistit Ajra, një personazh kompleks, i edukuar dhe drejtuar nga zemërimi ndaj mjedisit, shoqërisë, parasë, pushtetit dhe pasigurisë së të ardhmes. Ajra ka bërë gjithçka në jetën e tij, punëtor në minierë zingu, kamerier, rrëmihës, doker, ushtar në Luftën e Dytë Botërore, aktor radio-dramash, e mbi të gjitha ithtar i Linkolnit, të cilit çuditërisht i ngjan aq shumë, sa ka nevojë t’u flasë turmave me të njëjtin zë e gjeste. Edhe pse do të përpiqet t’i shmanget përndjekjes së kohës së listave të zeza të McCarthy-t me martesën e tij të dyshimtë me aktoren e njohur Eva Frejm, Ajra nuk do t’i braktisë idetë e tij.

Por vjen një çast kur Eva e paaftë të çlirohej nga e bija, Sylfida, një ngjare e dhunshme anti-Semite, nuk do të mund ta mbajë dashurinë e saj dhe nën zemërim e sipër nga tradhëtia e tij ndaj martesës, do të hakmerret dhe do ta denoncojë, duke i kushtuar historisë së lidhjes me të, librin “Martesë me një komunist”, një libër i diktuar në fakt nga armiqtë politikë të Ajras, Grantët.

Karriera e Ajras merr fund dhe ai kthehet sërish atje nga e nisi, në minierat e zinkut, ku edhe e mbyll jetën e tij idealiste.

Image