Kulturë

Manastiri i Mesopotamit me arkitekturën më të veçantë të stilit bizantin

Manastiri i Shën Kollit, i njohur ndryshe edhe si Manastiri i Mesopotamit, monument kulture i kategorisë së pare, i cili ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mesopotam në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetin antik të Finiqit, do t’i nënshtrohet procesit restaurues.

Kryeministri Edi Rama ka uruar mirëmëngjesi me pamje fantastike nga ky Manastir.

“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje fantastike të Manastirit të Mesopotamit, për të cilin është përfunduar projekti për ndërhyrjet e nevojshme mbrojtëse dhe puna nis së shpejti, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku, shkruan ATSH.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbehet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente me te vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë hapur. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845.