Libri “69 Gra” i Arbër Ahmetajt mund të konsiderohet si një dhuratë e çmuar e autorit jo vetëm për lexuesit besnikë të tij me rastin e 25-vjetorit të botimit nga libri i parë në vitin 1993, por edhe për çdo lexues të kultivuar e potencial që e adhuron mjeshtërinë e rrëfimeve të shkurtra dhe që lehtësisht e gjen te ky libër.
Është një botim i shtëpisë botuese prestigjioze “Skanderbeg Books”, që në vite ka sjellë edhe librat e tjerë të Arbër Ahmetaj e ka rezultuar si një bashkëpunim shumë i suksesshëm.
Në këtë vëllim janë përmbledhur 13 proza, që sipas autorit vijnë si një “gërmadhë letrare: as tregime, as novela, aq më pak romane.” Ky përcaktim më rikthen në retrospektivë, pikërisht te fillesat letrare të Ahmetajt.
Shënjimi i rrugëtimit letrar
Fryma imponuese e letërsisë cilësore dhe ndikimi i saj shpeshherë krijojnë një marrëdhënie sa magjike aq edhe të çuditshme me shpirtin njerëzor. Më tepër sesa e pashpjegueshme në dukje, vihen në lojë “receptorë” të nënndërgjegjes, sepse vetëm prej tyre mund të perceptohet gjithçka që është gatitur brenda unit të autorit nën efektet e muzës dhe jo vetëm që të bëjnë ta njohësh, ta duash e ta vlerësosh atë vepër. Është pikërisht ky libër, ky impakt e kjo lidhje, që të jep besueshmërinë dhe garancinë e mëpastajme për të marrë në duar pa frikë veprat e radhës së të njëjtit autor dhe të ndiesh se prej tij e ke të garantuar kënaqësinë estetike.
Dhe pikërisht, kështu ka qenë takimi im i parë me autorin Arbër Ahmetaj dhe me librin e tij “Fletëhyrje për në varr” në vitin e largët 1994 (një vit pas botimit). Ishte koha kur një brez studentësh dhe dashamirës të letrave, të etur për një letërsi cilësore dhe jashtë kornizave të letërsisë së mëparshme, ditëm ta mirëprisnim këtë autor dhe veprën e tij, fragmente të të cilit ishin prezantuar si risi në shtypin e kohës. Perceptimi i parë ishte i një libri “ndryshe”, ku në vend të përcaktimit të llojit të prozës, vinte si nëntitull: “Shënime për s’di se çfarë dreq vepre letrare”. Jo vetëm për strukturimin e pazakontë, por edhe për idetë e pasura brenda lakonizmit, për fatet tragjike të personazheve, për rrugëtimin rrëqethës në ferrin shqiptar të dhënë përmes ferrit letrar të krijuar nga Ahmetaj, ku çdokush gjente sadopak nga shpirti i vet, “Fletëhyrja për në varr” u bë “fletëhyrja” e sigurt për një shteg të ri letrar të përfaqësuar nga Arbër Ahmetaj, ku gjurma e tij është origjinale, unike dhe e pangatërrueshme. / Irena Gjoni
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)