Kulturë

Shqipja në Beograd: Katedra për Gjuhën Shqipe në kontekstin e konfliktit etno-politik

Hulumtimi i gjuhës shqipe në Beograd është kryer bashkërisht nga hulumtuesit e Institutit Ballkanologjik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe doktorantët nga Katedra për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd.

Kjo është pjesë e një projekti më të gjerë që studion praktikat e shumëgjuhësisë në Beograd dhe që, krahas gjuhës shqipe, përfshin edhe gjuhën hungareze dhe atë rumune. Andaj, qëllimi i studimit është i shumëfishtë: krahas përcaktimit të statusit të gjuhës shqipe, duam të nisim një dialog rreth Beogradit si një qytet shumëgjuhësor dhe shumetnik, në të cilin, në hapësirat publike, gjuhët e pakicave ende janë të padukshme. Rasti i gjuhës shqipe është i ndjeshëm për shoqërinë, sepse në statusin dhe përdorimin e saj në mënyrë të theksuar ndikon edhe konflikti serbo-shqiptar në Kosovë.