Ministria e Kulturës kërkon logo të Muzeut të Artit Bashkëkohor. E konsideron si institucion pasi figuron në Ligjin për Artin dhe Kulturën. Këtë e ka përmendur edhe në konkursin ndërkombëtar për logo. Dizajni që përzgjidhet do të paguhet 7 mijë euro. Shteti ka bërë përpjekje për më shumë se 17 vjet për të pasur Muze të Artit Bashkëkohor. Njashtu ka edhe projekte të paguara e të hedhura në kosh për këtë institucion. Prej vjet ka edhe një koncept në letër me të cilin synohet që Muzeu i Artit Bashkëkohor të inaugurohet më 2028
Kosova ka përpjekje më shumë se 17 vjet për të pasur Muze të Artit Bashkëkohor. Njashtu projekte të paguara e të hedhura në kosh për këtë institucion. Pos këtyre ka edhe një ligj ku përmendet ky institucion e prej vjet edhe një koncept në letër me të cilin synohet që Muzeu i Artit Bashkëkohor të inaugurohet më 2028. Tash shteti është vënë në kërkim të një logoje për të. Kësisoj është vepruar edhe me Operën, që është institucion në letër, pa ansambël, por shërben si një lloj agjencie pagesash.
Ministria e Kulturës kërkon logo të Muzeut të Artit Bashkëkohor. E konsideron si institucion pasi figuron në Ligjin për Artin dhe Kulturën. Këtë e ka përmendur edhe në konkursin ndërkombëtar për logo. Dizajni që përzgjidhet do të paguhet 7 mijë euro.
Sipas konkursit, nëpërmjet të cilit do të konkurrohet në mënyrë anonime, kërkohet që logoja të jetë origjinale, unike, të ketë pasqyrim artistik të veprimtarisë së Muzeut, të shprehë funksionin dhe mandatin e Muzeut, të jetë e veçantë, kreative, kualitative, profesionale dhe prezantuese.
“Të jetë dinjitoze për identitetin e institucionit të lartë kulturor në vend; Të jetë lehtësisht e kuptueshme; Të përçojë mesazh të qartë; Të jetë e dallueshme, t'i rezistojë kohës dhe të jetë e lehtë për t’u mbajtur në mend”, janë disa nga kriteret e tjera. Midis të tjerash, kërkohet që të ketë shpjegim për secilin detaj të propozuar në logo.
Janë disa versione, por ende s’ka lokacion për këtë institucion që në letra është afër dekadës së dytë që si projekt sillet sirtarëve të Ministrisë së Kulturës. Kështu me logo qe vepruar edhe me Operën. Njëri prej anëtarëve të komisionit vlerësues pas krejt procesit kishte thënë se asokohe qe bërë gabim.
“Pa u bërë ndërtesa nuk duhet të ketë logo. Elementet e asaj arkitekture duhet të jenë aty. Ashtu siç ndodh rëndom me këto institucione”, kishte thënë ai në kushte anonimiteti.
Në tetorin e vjetëm koncepti themelues i Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës qe prezantuar në mensën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Artistë, kuratorë, përfaqësues institucionalë e të tjerë kishin marrë pjesë në ceremoninë ku është shpalosur koncepti si dokument me hapat e ardhshëm për themelimin dhe funksionimin e institucionit, që shteti tash e 16 vjet është në tentative për ta bërë. Si ide është më e vjetër. Ka hyrë në vitin e 23-të.
Ish-“Rilindja” është vendi i propozuar. Pos lokacionit, ish-“Rilindja”, Këshilli Iniciues ka punuar edhe në statut e organogram. Dokumenti i prezantuar sjell në detaje institucionin e synuar. Pret periudhat kohore se çka do të posedojë Galeria Kombëtare e Kosovës e çka ai që pritet të jetë muzeu i artit bashkëkohor.
Por gjithçka praktikisht duhet nisur nga pika A. Ministria e Kulturës posedon veç dokumentin udhërrëfyes.
Yll Rugova, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Iniciues të emëruar më 6 qershor 2022, kishte treguar se propozimin final e kanë dorëzuar më 8 qershor të vitit 2023. Janë dashur gati katër muaj veç që të prezantohet ky koncept.
Rugova ka sqaruar se grupi, në përbërje të tij dhe Petrit Halilajt, Flaka Halitit, Sislej Xhafës, Erëmirë Krasniqit, Zake Prelvukajt, Nita Salihu-Hoxhajt e Valdete Pacollit, ka mbajtur takime nga katër herë në muaj, ka pasur vizita studimore, punëtori e po ashtu është punuar edhe në nëngrupe. Fillimisht ka folur për lokacionin e propozuar.
“’Rilindja’ ka qenë për disa dekada shtylla qendrore e veprimtarisë kulturore në vend”, kishte thënë ai. Muzeu i Artit Bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën, sipas tij, dhe krahas GKK-së do të krijonte kuadro të reja institucionale me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë dhe në blerje dhe ruajtje të veprave të artistëve bashkëkohorë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Jemi marrë edhe me çështjen e statutit, që parasheh se si do të funksionojë institucioni i ri. Ky statut, që është në përputhje me ligjin e ri të kulturës, nxjerr një vizion të ri për kulturën që buron nga komuniteti. Statuti parasheh kompetencat e drejtorit të ri, drejtorit administrativ, organizimin e departamenteve kryesore, çështjen e koleksionit dhe të gjitha pikat me rëndësi të institucionit”, kishte thënë ai. Sipas hartuesve dhe atij dokumenti, MAB do të nisë një koleksion të ri të artit bashkëkohor. Do të ketë buxhet të veçantë vjetor dhe komision që përcakton blerjen e veprave. Koleksioni do të ketë për bazë dy shtylla: koleksionimin si formësim të rrëfimeve dhe koleksionim si avancim të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Sipas konceptit të paraqitur, muzeu do të jetë një platformë kulturore transformuese për artistët, publikun dhe komunitetet e ndryshme, duke ofruar hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog. Kurse thelbi i programit të muzeut është besimi i palëkundur në fuqinë transformuese të artit. Nëpërmjet një bashkëbisedimi me të pranishmit, anëtarët e Këshillit Iniciues kanë sqaruar se ideja është që të ruhet trashëgimia e ish-shtypshkronjës “Rilindja”, muzeu të jetë sa më gjithëpërfshirës për krejt komunitetet në vend dhe se aty do të prezantohen vepra të vitit 1990 e të mëpastajme. Veprat e viteve paraprake do t’i ngelin Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas konceptit, në qershor a korrik të vitit 2024 do të hapet konkursi ndërkombëtar për arkitekturën e muzeut, në shkurt 2025, thirrja për adaptim a ndërtim, e në gusht të atij viti të nisin punimet. Kurse në janar të vitit 2028 institucioni të jetë me koleksion, këshill dhe drejtor.
MKRS-ja ka 16 vjet që projekton buxhet për muzeun e artit bashkëkohor. Për sivjet ka bartur 500 mijë euro nga viti i kaluar.
Ndër vite janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar muzeun e artit bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro. Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Sa i përket lokacionit, Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 deri më 2020 kanë akuzuar njëra-tjetrën.
Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, Kishës Ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.
Më 2011 ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte thënë se e kishte marrë seriozisht idenë që ndërtesa e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor. Shqyrtimi i mundësisë që ish-objekti i “Gërmisë” të bëhej muze i arteve bashkëkohore qe hedhur qysh në vitin 2006. Ka qenë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i cili e kishte dhënë këtë ide në kohën kur komuniteti artistik po protestonte në mbrojtje të ish-hotelit “Union”, të cilin shteti e kishte privatizuar, ani pse një herë i ishte premtuar Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ish-“Gërmia” në planet e Komunës do të jetë galeri e një ndërtese të re ngjitur sallës koncertale.