(ART NEWS) - Ukraina e ka akuzuar Rusinë për transformimin e lokalitetit arkeologjik në Krime, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në një "park historik dhe arkeologjik" dhe i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të ndërhyjnë.
Vendi, një qytet antik i themeluar nga grekët në shekullin e 5-të para erës sonë në brigjet veriore të Detit të Zi, u shtua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2013. Një vit më pas, Rusia e aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë. Ukraina dhe aleatët e saj nuk e njohin sovranitetin rus mbi Krimenë, një hyrje kyçe në Mesdheun Lindor dhe kanë bërë fushatë për rimëkëmbjen e saj që nga fillimi i pushtimit.
Kompleksi i ri, i quajtur “New Chersonese”, përmban një manastir ortodoks rus dhe disa institucione, duke përfshirë Muzeun e Krishterimit dhe Muzeun e Krimesë. Kompleksi u ndërtua nga Ministria ruse e Mbrojtjes me fonde nga “Transneft”, një korporatë e kontrolluar nga shteti, dhe menaxhohet nga një klerik i emëruar nga presidenti rus Vladimir Putin. U hap zyrtarisht më 28 korrik.
Më 24 korrik, Dmytro Lubinets, komisioneri i parlamentit ukrainas për të drejtat e njeriut, i bëri thirrje OKB-së për ta mbrojtur vendin dhe e përshkroi rizhvillimin e tij si pjesë të planit të Rusisë për ta shkatërruar trashëgiminë ukrainase.
Rusia ka “shkatërruar plotësisht monumentin autentik me rëndësi botërore ‘Tauric Chersonese’”, tha Lubinets në një deklaratë të postuar në “Telegram”. “Ata kanë filluar punimet e paligjshme të ndërtimit në rrënojat e tij, duke ndërtuar në fakt një qytet të ri, të ashtuquajturin park historik dhe arkeologjik”.
Në një raport të ri, Evelina Kravchenko, nga Instituti i Arkeologjisë i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, tregoi se “Tauric Chersonese” ishte “shqetësues”. Për më tepër, Kravchenko shkroi se “dhjetëra mijëra gjetje” u shkatërruan. “Disa prej tyre u morën nga këto deponi nga banorët vendës si për ruajtje personale, ashtu edhe për shitje në tregun e zi. Kështu, së shpejti do të jemi në gjendje të shohim gjëra nga Chersonesos në ankandet online”.
Aneksimi ka krijuar probleme ligjore dhe etike për Ukrainën dhe sektorin kulturor ndërkombëtar. Në nëntor, muzeu “Allard Pierson”, një muze historik në Amsterdam, frymëzoi disa polemika kur ktheu 400 artefakte, përfshirë arin e çmuar “sithian”, në një muze të Kievit. Koleksioni iu dha Amsterdamit nga katër muzetë në Krime përpara aneksimit, dhe pas incidentit, si Ukraina, ashtu edhe Krimea kërkuan kthimin e objekteve.
“Ky ishte një rast i veçantë, në të cilin trashëgimia kulturore u bë viktimë e zhvillimeve gjeopolitike”, thotë në një deklaratë Els van der Plas, drejtor i Muzeut të Amsterdamit.
Që nga pushtimi i Ukrainës, ushtria ruse është denoncuar vazhdimisht nga grupet mbikëqyrëse ndërkombëtare për shënjestrimin e saj të dukshëm të trashëgimisë kulturore të Ukrainës. Në prill, Muzeu i Artit në Kherson në Ukrainë identifikoi 100 piktura që dyshohet se ishin grabitur nga trupat ruse, siç shihet në një video të filmuar në një muze në Krime. Sipas zyrtarëve muzeorë 100 veprat e artit të kapura në kamera ka të ngjarë të përfaqësojnë “më pak se 1 për qind” të asaj që është grabitur nga muzetë e Ukrainës.