Kulturë

“Sunny Hill Festival” me kapitullin në shtëpinë e vet për 100 mijë vizitorë

sunnyhill

Pos skenës kryesore (në foto) janë edhe dy të tjera që ka ngritur “Sunny Hill Festival” në Bërnicë të Poshtme

Nëse do ta arrijë këtë numër, bilancet do të nxirren në fund, por programi – ku skenën kryesore në natën e parë (sonte), e enjte, do ta pushtojë këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha – është një dëshmi e fortë. “Sunny Hill Festivali” me edicionin e katërt për herë të parë është në shtëpinë e vet në Bërnicë të Poshtme. Edhe 24 orë pa u hapur dyert aty ende punohej. Skena është ngritur, gati për një edicion elektrizues. Bebe Rexha është ylli i hapjes, e Dua Lipa tashmë ka arritur

Me synimet që të ketë hiç më pak se njëqind mijë vizitorë për katër net, ky është “testi” i “Sunny Hill Festivalit” si i pari edicion në shtëpinë e vet në Bërnicë të Poshtme, nja dhjetë kilometra prej qendrës së Prishtinës. Kaherë është bërë e qartë se ia ka mësyrë të jetë jo vetëm njëri prej top-festivaleve më të mëdha në Evropë. Nëse do ta arrijë këtë, bilancet do të nxirren në fund, por programi – ku skenën kryesore në natën e parë (sonte), e enjte, do  ta pushtojë këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha – është një dëshmi e fortë. Shifra konkrete për shitje biletash nuk ka. 

Parku i Festivalit në Bërnicë veçse është transformuar një ditë para nisjes. Në çdo cep kanë qenë duke u punuar pa ndalur pasditen e së mërkurës. Rrugës për deri në Bërnicë kanë qenë të vendosura udhëzimet për lokacionin e Festivalit. Vizitorët fillimisht ndeshen me sigurimin disa qindra metra larg hapësirës kryesore e më pas me pjesën e parkingut për të cilën paraprakisht duhet paguar biletë. Aty është e ndarë hapësira e zakonshme dhe ajo VIP. Ashtu sikur edhe vendqëndrimet për publikun. 

Skena ka qenë ende duke u bërë gati, sikurse edhe në të tjerat pjesë. Janë tri skena në total. Anash janë ekranet gjigante për ta shijuar më qartë performancën e artistëve në skenë. Disa prej bizneseve ku publiku do të mund të shërbehet kanë bërë përgatitjet finale. Është veshur me plot ngjyra. Një sërë flamujsh valëviten në krejt hapësirën. Jo veç si dekor. Është kampanja e Festivalit: “A flag for her” (Një flamur për të). Flamujt me ngjyrë rozë vijnë si protestë e solidaritet për gruan në Kosovë. 

Festivali ka bërë të ditur të mërkurën se kjo ka ardhur si rrjedhojë e përballjes me përfundime tragjike. 

“Ne po ngremë flamujt tanë rozë në solidaritet e protestë e për një qiell më të ndritshëm për gratë e vendit tonë. Mënyra se si i trajtojmë gratë tona është mënyra se si e tretim të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm. Le të bashkohemi për të bërë zërin e tyre të dëgjohet! Duhet të qëndrojmë me nënat, vajzat, motrat tona! Le të dëgjohen gjithmonë zërat e tyre, të vlerësohen dhe të fuqizohen”, shkruhet në njoftimin e Festivalit. 

Parku i Festivalit në Bërnicë të Poshtme veçse është transformuar një ditë para nisjes. Në çdo cep punohej pa u ndalur pasditen e së mërkurës. Flamujt me ngjyrë rozë vijnë si protestë e solidaritet për gruan në Kosovë

Kampanja është shpërndarë edhe nga këngëtarja me famë botërore Dua Lipa në profilin e saj në “Instagram”. Ajo ka aterruar të mërkurën në Kosovë. Nuk pritet të këndojë. 

Hapësira tejet atraktive janë përgatitur për publikun. Si simbolikë për emërtimin e Festivalit një lloj “kodre” gjendet në njërën pjesë. Aty është imazhi i emrit të Festivalit. Duke sjellë edhe frymën e verës, kube kashte kanë zënë vend gjithkund ku do të vendoseshin ulëse. Me drita, zbukurime me ngjyra e tekstil janë transformuar disa pjesë të zonës ku sivjet zhvillohet “Sunny Hill Festival”, vjen me të katërtin edicion. Rreth 130 media, prej të cilave jo pak të huaja, tashmë janë akredituar. Në mesin e tyre edhe BBC-ja. 

Alban Kastrati, nga ekipi i “Sunny Hillit”, ka thënë se zhvendosja në hapësirë të re është përcjellë me sfida më vete. Sipas tij, relievi ka qenë i papërshtatshëm për zhvillimin e një ngjarjeje të tillë dhe  është dashur të punohet në të për ta kthyer në vendin ku do të zhvillohet edicioni i sivjetmë.

Vitin e kaluar “Sunny Hill...” qe anuluar pikërisht për shkak të përgatitjeve. 

“Këtë vit ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të Festivalit në Bërnicë”, do të njoftonte ekipi në majin e vjetëm kur njoftoi se do të pauzonte për t’u rikthyer fuqishëm. Viti ka kaluar shpejt. Punimet në një pjesë të hapësirës prej 16.9 hektarësh sa ka tash në shfrytëzim, do të nisnin në fillim të vitit. Me ekskavatorë është punuar edhe 24 orë para hapjes së dyerve për këtë edicion. 

“Natyrisht është dashur të përgatitet gjithë infrastruktura tjetër përcjellëse, prej rrethojave, rrafshimit, gjelbërimit, mbjelljes së drurëve dhe gjithçka tjetër, gjithashtu edhe nga aspekti i sigurimit dhe logjistikës natyrisht. Nuk ka qenë aspak e lehtë, por jemi shumë të lumtur që e kemi shtëpinë tonë të përhershme në të cilën çdo vit do të rritet dhe do të masivizohet festivali ‘Sunny Hill...’, siç edhe kemi kërkuar, sepse e kemi ditur se kemi nevojë për hapësirë të re e cila nuk i pengon qytetarët e neve na lejon ta kemi një hapësirë të dedikuar për Festivalin në formatin të cilin ne gjithmonë e kemi dashur dhe ëndërruar”, ka thënë Kastrati të mërkurën paradite. Pasdite nuk ka pasur kohë për bisedë. 

Bebe Rexha është figura kryesore e së parës natë që do të interpretojë në skenën kryesore. Emër tjetër i shquar është edhe DJ nga Parisi i njohur me emrin “BlackCoffee” që do të ngjitet në atë që është quajtur “Skena C4”. Ditën e parë do të interpretojnë edhe artistë nga vendi si Dafina Zeqiri, Mozzik, La Fazani, Zwada, The Milk Snatchers e DJ Set në skenën kryesore. Me muzikë elektronike do të argëtojnë Dj Regard, Adrian Berisha e Noki.

Këngëtari i njohur ndërkombëtarisht me prejardhje nigeriane “Burna Boy” dhe “The Martinez Brothers”, dyshja e këngëtarëve nga New Yorku do të sjellin krijimtarinë e tyre për publikun në natën e dytë. Reperi e kantautori britanik Stormzy do ta pushtojë skenën në natën e tretë të Festivalit, më 27 korrik, e në skenën tjetër do të jetë dyshja e muzikës elektronike “Groove Armanda”. 

DJ Snake i njohur botërisht do të performojë opusin e tij me muzikë elektronike në natën përmbyllëse. Në secilën mbrëmje skena do t’u lihet edhe artistëve të shquar vendorë. 

Alban Kastrati ka thënë se në secilën natë të Festivalit pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë njerëz. Në njëqind mijë shkon gjithsej nëse llogaritjet bëhen për një edicion të tërë. 

“Është shitur një numër shumë i madh i biletave. Është edicion shumë i madh sivjet. Biletat janë në shitje dhe nuk mund të japim një shifër të saktë sepse vazhdimisht, çdo orë po ndërron numri. Por ne presim që numri i njerëzve të sillet rreth 25 mijë njerëz në natë. Festivali i ka katër net, kështu që i bie që ne si ‘Sunny Hill’ t’u shërbejmë së paku rreth 100 mijë njerëzve për katër net të Festivalit”, ka thënë Kastrati derisa e ka konsideruar edicion masiv këtë të sivjetmin. 

“Veçse është edicion masiv. Kemi publik e artistë që vijnë nga vende të ndryshme të botës për herë të parë në Kosovë. Ka entuziazëm të shumtë dhe pafund interesim për të qenë pjesëmarrës në Festival qoftë si publik, qoftë si artistë e bashkëpunëtorë”, ka thënë ai. 

Në dy edicionet e para, më 2018 dhe 2019 dhe më pas edhe më 2022 – pas dy vjetësh pauzë shkaku i pandemisë COVID19 – “Sunny Hill Festival” kishte sjellë emra të mëdhenj të botës në muzikë me në krye Dua Lipën. Numri i atyre që merrnin pjesë në koncerte shkonte mbi 15 mijë çdo natë dhe Gërmia qe bërë vend që nuk  e akomodonte publikun e interesuar për Festival. Qysh prej 2019-s organizatorët kanë kërkuar që t’u jepet në shfrytëzim një hapësirë për ta rritur Festivalin. 

Hapësira prej 16.9 hektarësh për 99 vjet u bë shkas që për pak të sakrifikohej edicioni i vitit 2022 pas përplasjeve midis pushtetit lokal e atij qendror dhe organizatorëve të Festivalit. U zhvendos në Tiranë dhe pas pluhurit që u ngrit, u rikthye në Prishtinë në Parkun e Gërmisë, por edhe me një edicion në kryeqytetin shqiptar. Kohëzgjatja qe pika kryesore e përplasjeve, por ajo mbeti e pandryshuar në marrëveshjen e nënshkruar pa shumë bujë, në shkurtin e vitit të kaluar e ku përcaktohet edhe investim prej 6.6 milionë eurosh në pesë vjet nga kompania, e mundësia që Komuna ta shfrytëzojë hapësirën jokomercialisht deri në 60 ditë. 

Si simbolikë për emërtimin e Festivalit një lloj “kodre” gjendet në njërën pjesë. Aty është imazhi i emrit të Festivalit

Tri skena, kishte qenë zotim i “Sunny Hillit...” kur paralajmëroi zgjerimin. 

“Për vetë faktin që është hapësirë e re dhe më e madhe na ka mundësuar të kemi më shumë skena. Kemi dy skena kryesore: skenën e parë dhe skenën e muzikës elektronike, pastaj kemi edhe skenë të vogël të DJ gjatë ditës. Kemi skenë të muzikës alternative për artistë të rinj lokalë, sepse duam t’u japim hapësirë të rinjve të talentuar. Përveç pjesës artistike kemi edhe hapësira të tjera të cilat na mundësojnë ta mbajmë Festivalin në formatin të cilin kemi dashur dhe çfarë festivalesh mbahen në krejt Evropën”, ka thënë Kastrati për KOHËN. 

Një prej mundësive që organizatorët shohin në lokacionin e ri është që “Sunny Hill” të bëhet një prej festivaleve më të mëdha në rajon e më gjerë. 

“Jemi të përkushtuar të investojmë në këtë hapësirë në mënyrë që  të validohemi si festivali më i madh në Evropën Juglindore, nëse jo edhe më gjerë”, ka thënë Kastrati. 

Sonte dhe në tri net të tjera është shansi për ta konfirmuar këtë dhe për të hapur një kapitull të ri të “Sunny Hill Festivalit”.