Kulturë

Letërsia vendore për fëmijë nën hijen e përkthimeve

Descriptive Text

Dikur letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë kishte jo pak autorë të shquar, sot nuk e gjen dot as edhe një për një çmim letrar si ai që mban emrin e Vehbi Kikajt. Krijues e botues vlerësojnë se oferta për lexuesit e rinj është e pasur, por se letërsia shqiptare ka mbetur pas dore. Disa alarmojnë se krijimtaria e letërsisë nuk po përkrahet, ajo ekzistuese “është vjetruar” në raport me kërkesat e sotme të fëmijëve.

“Prurje të varfra” ka qenë arsyetimi i jurisë që as sivjet të mos ndahet çmimi letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”. Mbeti pa laureat, në ceremoninë e Ministrisë së Kulturës javën e kaluar, por për njerëz të fushës, ky është vetëm një tregues për gjendjen e letërsisë vendore për fëmijë. Nëpër librari, raftet e librave për fëmijë janë kryesisht me vepra autorësh të huaj. Krijues e botues vlerësojnë se oferta për lexuesit e rinj është e pasur, por se letërsia shqiptare ka mbetur pas dore. Disa alarmojnë se krijimtaria e letërsisë nuk po përkrahet, ajo ekzistuese “është vjetruar” në raport me kërkesat e sotme të fëmijëve, e shkrimtarët vendorë për fëmijë numërohen në gishta.

Shkrimtarët larg trendëve

Shkrimtarja e librave për fëmijë, Drenusha Zajmi-Hoxha, ka thënë se letërsia për fëmijë është shumë e mangët sa u përket veprave autoriale vendore. Sipas saj, autorët nuk e shohin rëndësinë e krijimeve të tilla, të cilave u referohet si bazë për fëmijët.

“Letërsia për fëmijë është ekstrem e mangët, pasi po flas për letërsinë e autorëve tanë, sepse përkthime kemi sa të duash. Problemi është së pari te vetë autorët, sepse nuk merren me këtë letërsi. Nuk e konsiderojnë të rëndësishme përderisa ajo ka rëndësi shumë të madhe pasi është bazë për fëmijët. Problemin kryesor e shoh njëherë te vetë autorët që nuk kemi në Kosovë. Numërohen në gishtërinj, madje edhe aq nuk ka”, ka thënë Zajmi-Hoxha.

Ka vlerësuar se edhe nga ana e fëmijëve nuk ka interesim për të lexuar veprat e krijuesve vendorë, pasi ata nuk ndjekin hapin e kohës në botimet e tyre.

“Punë po bëhet, por në krahasim me librat e përkthyer të autorëve të huaj, nuk po shihet. Nuk ka interes[1]im as nga autorët e as nga fëmijët. Au[1]torët nuk e mbajnë hapin e fëmijëve të kohës së sotme. Duhet qenë në hap me kohën që të mund t’i mbajnë të lidhur për librin. Nuk duhet të ndale[1]mi nga kjo punë. Realisht unë dobës[1]inë e shoh më shumë tek autorët sesa te fëmijët”, Drenusha Zajmi-Hoxha.

Shkrimtari Xhevat Syla, ka thënë se në Kosovë nuk merret seriozisht botimi i librit për fëmijë nga botuesit. Sipas tij, problem është gjithashtu sh[1]përndarja e librave dhe arritja e tyre te lexuesi. Ka vlerësuar se letërsia për fëmijë ka marrë goditje me vdekjen e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë.

“Librat për fëmijë botohen nga rasti në rast, mirëpo edhe kur boto[1]hen problem më vete është shpërndarja e tyre, arritja te lexuesi. Libraritë janë të rralla nëpër komuna, mendoj në ato që mall kryesor e kanë librin. Këto deceniet e fundit letërsia për fëmijë ka pësuar goditje të rëndë me shkuarjen në amshim të shumë shkrimtarëve tanë të njohur. Megjithatë, shkruhet, sado që nuk kemi një brez të ri shkrimtarësh çfarë do të na nevojitej”, ka thënë shkrimtari Syla.

Sipas tij, duhet të bëhet më shumë përpjekje të nxiten fëmijët për të lexuar. Kjo sipas Sylës, bëhet me pasurimin e fondeve të bibliotekave shkollore me botime të reja.

“Në shkolla duhet të bëhet më shumë për afirmimin e librit si një vlerë e pazëvendësueshme për ngritjen dhe formimin intelektual të të fëmijëve dhe të rinjve. Si rezultat i këtij angazhimi, do të kishim edhe shtimin e kërkesave për librin dhe stimulimin e shkrimtarëve për krijimtari, do të kishim edhe më shumë botues që do të gjenin interes ta botonin librin për fëmijë, i cili do të mund të botohej në tirazh më të madh dhe të arrinte te sa më shumë lexues”, ka thënë ai.

Çmimi i Ministrisë së Kulturës që mban emrin e njërit prej shkrimtarëve të mëdhenj për fëmijë Vehbi Kikaj, ndahet bashkë me Çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli” tok me çmime në kategori të tjera.

Bardh Rugova, profesor i rregullt në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, edhe sivjet ka kryesuar Jurinë për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi. Ka thënë se për çmimin për veprën për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” ka pasur pak aplikime po kanë qenë të varfra për nga aspekti cilësor.

“Kanë qenë shtatë apo tetë aplikime. Ka pasur aplikime, por asnjëri nuk ka qenë i një niveli që ne mendojmë se ka qenë reprezentativ në atë masë sa të marrë një shpërblim të kësaj natyre. Kanë qenë të varfër në aspektin cilësor”, ka thënë Rugova.

Me vendimin për të mos e ndarë çmimin ka thënë se nuk kanë dashur të ulin standardet e çmimit, duke ia dhënë atë njërit prej aplikantëve.

“Në këta dy vjet nuk ka pasur mjaftueshëm prurje cilësore për një çmim të këtij niveli. Nuk kemi dashur që ta shpërblejmë dikë që krijimet e tyre nuk u përshtaten vlerave dhe kritereve”, ka thënë Rugova. Anëtarë jurie kanë qenë edhe: Azem Deliu, Vlora Ademi, Alban Beqiraj dhe Naime Beqiraj.

Studiuesi i letërsisë, shkrimtari, përkthyesi e mësimdhënësi universitar, Anton Nikë Berisha, ishte shpallur laureat i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”.

Shkrimtarja e piktorja Drenusha Zajmi-Hoxha ka thënë se ishte ajo që kishte propozuar të ndahej edhe çmimi për veprën për fëmijë e të rinj.

“Para tre vjetësh vetë kam propozuar te një anëtar jurie të jepej. Po atë vit iu nda çmimi post-mortem Abdullah Thaçit. Edhe pse kemi konkurruar, e kanë dhënë këtë çmim dhe më pas nuk kam dëgjuar që ia kanë dhënë dikujt”, ka thënë Zajmi-Hoxha, e cila ka treguar se veprat e saj janë në proces pune.

“Sa më përket mua personalisht, vazhdimisht kam punuar në libra për fëmijë, por dy vjetët e fundit jam kyçur në procesin e librave shkollorë. Mandej kam shkuar edhe lektyra, aktualisht dy janë në proces pasi shkojnë në shumë filtra jo vetëm të redaktorëve e recensentëve, por edhe të tjerë, si te psikologët”, ka thënë ajo.

Tregu i pasuruar me autorë të huaj

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se ka mjaftueshëm botime për fëmijë, por se një pjesë e mirë e tyre janë libra të përkthyer.

“Botime për fëmijë ka goxha shumë. Tregu është duke u pasuruar me letërsi për fëmijë. Sa prej tyre janë botime autoriale, kjo është çështje tjetër. Ka shumë më pak botime të autorëve shqiptarë krahasuar me sa ka përkthime”, ka thënë Zeneli, i cili është edhe udhëheqës i shtëpisë botuese “Pema”. Sipas tij, kjo shtëpi botuese është e profilizuar vetëm në libra për të rritur.

“Magjia e librit” ia dedikon një pjesë të mirë të botimeve lexuesve të vegjël. Besir Zyberi, menaxher në këtë shtëpi botuese, ka thënë se autori shqiptar është gati i harruar dhe se nuk investohet në librat e autorëve vendorë që shkruajnë për fëmijë.

“Kosova qëndron shumë mirë në botime për fëmijë, por pyetja duhet shtruar se a botojnë të autorëve shqiptarë apo të huaj. Autorët shqiptarë gati janë harruar dhe nuk shiten shumë. Ndoshta mungon tematika e shtjellimit në roman, ndoshta ilustrimet nuk janë të duhura dhe prandaj kjo letërsia shqiptare për fëmijë ka mbetur pas dore. Nuk investohet shumë pasi sot fëmijët lexojnë më shumë diçka që ua zhvillon imagjinatën, aventura, jo libra të letërsisë tradicionale për fëmijë”, ka thënë Zyberi, duke treguar se kjo shtëpi botuese merret kryesisht me përkthimin e veprave të huaja.

Ka bërë të ditur se janë duke punuar në libra për fëmijë të autorëve të mëhershëm, duke e bërë gjuhën më të kuptueshme si dhe duke i ilustru[1]ar këto vepra.

“Libra për fëmijë ka sa të duash. Mungesa është te letërsia shqiptare për fëmijë. Shpesh janë edhe familjarët e autorëve të vdekur që kërkojnë honorarë shumë të mëdha, ndërsa tregu te ne është shumë i vogël. Mund ta botosh një libër me 500 kopje, madje edhe ato ka peripeci të shumta për t’i shitur. Kështu që më shumë jemi fokusuar në letërsi të huaj ku shitja është e garantuar”, ka Zyberi.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, ka thënë se numri i paktë i autorëve të rinj të librave për fëmijë është sfidë edhe për hartimin e literaturës shtesë.

“Kam qenë në një komision të Ministrisë së Arsimit dhe ishte shumë problem t’i bëjmë nga dhjetë a pesë tituj, sa jemi përcaktuar. E kam fjalën për vepra të autorëve nga Kosova, ndërsa në Shqipëri ka më shumë. Këtu nuk stimulohet as kjo letërsi, as ajo, që të paktën të thuhet se është stimuluar për të rritur që të thuhet se ajo për fëmijë ka mbetur prapa”, ka thënë Galica.