Kulturë

“Artistët...” shpërblen peizazhin e së ardhmes

 Qendra për art bashkëkohor “Stacion”, që funksionon në atë që dikur shërbente si klubi i boksit “Prishtina” e ka dhënë verdiktin final në rrugëtimin artistik të sivjetmë me “Artistët e së nesërmes”. Kishin qenë gjithsej 11 artistë të kualifikuar për garë. Më 10 nëntor u hap ekspozita e tre finalistëve. Bashkë me Begollin u kualifikuan edhe Shkamb Jaka e Arbesa Musa. Begolli mori Çmimin e sivjetmë me veprën që shtjellon ndërhyrjet teknologjike në ekosistem

“Artistët e së nesërmes” si ngjarje është pasqyrë e krijimtarisë së artistëve të rinj. Në esencë është edhe motivi e njohja me skenën ndërkombëtare. Ky edhe është shpërblimi për çmimin e parë - rezidenca artistike dymujore në New York. Të shtunën mbrëma fituese u zgjodh Renea Begolli për veprën “Skies extended” (Qiej të zgjatur). Pozicioni teknologjik është parësor në vepër duke mos përcaktuar kufij se sa larg mund të shkojë ajo.

Qendra për art bashkëkohor “Stacion” që funksionon në atë që dikur shërbente si klubi i boksit “Prishtina”, e ka dhënë verdiktin final në rrugëtimin artistik të sivjetmë me “Artistët e së nesërmes”. Kishin qenë gjithsej 11 artistë të kualifikuar për garë. Më 10 nëntor u hap ekspozita e tre finalistëve. Bashkë me Begollin u kualifikuan edhe Shkamb Jaka e Arbesa Musa.

Në ceremoninë e shpalljes së fituesit, u bë i ditur edhe arsyetimi i jurisë profesionale.

“Koherenca e praktikës së Reneas dhe artikulimi i qartë i motivimeve dhe ambicieve të saj, pozicionimi më i mirë i vetes dhe praktikës së saj në rrjetin më të gjerë dhe linjën e diskursit socio-politik në Kosovë shtron pyetje të mprehta në lidhje me marrëdhëniet midis njerëzimit dhe natyrës dhe aludon për mundësinë e trupit, një tjetër që mund të zhbllokohet”, u tha në deklaratën e jurisë në shqip, anglisht e serbisht.

Juria e këtij edicioni ka qenë e përbërë nga artistja gjermane, Julieta Aranda, artistja serbe, Miljana Dungjerin, Agrina Vllasaliu nga Kosova, që është edhe fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2022”, kuratori dhe shkrimtari turk Alper Turan, si dhe artisti kosovar, Driton Selmani.

Në arsyetimin e jurisë për përzgjedhjen si finaliste, veprën e Begollit e kishin vlerësuar se “e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj”.

Vepra e Begollit duket tejet estetike, por edhe mjaft domethënëse. Piktura shumëngjyrëshe paraqet qartë bukuritë e peizazhit. Qielli ngjan në paraqitjen e perëndimit, por aty është më shumë se aq. Janë pasojat e teknologjisë së “mbjelljeve të reve”, teknologji që përdoret në disa vende për të krijuar re me qëllim të shkaktimit të të reshurave. Një peizazh jo i zakonshëm që e bën të dukshme, të padukshmen e qiellit, njerëzit poshtë të cilit nuk janë në dijeni se çfarë ngjan me të.

Është edhe një provë se deri ku mund të shkojë mendja e njeriut dhe mundësitë që sjell teknologjia. Piktura realiste “Pink little clouds” me shenjat e ndërhyrjes në qiell sjell një lloj tentative për të ndërhyrë edhe përtej tij duke e “demonstruar” me hedhjen e ngjyrës edhe jashtë tij.

Me art, Begolli mundëson “ngjitjen” në qiell. Instalacioni me tekstil, nëpërmjet materialit të kaltër të thurur në formë të shkallëve e lidh tokën me qiellin në një formë. Artistja e zbret atë, por e bën të duket të paarritshëm praktikisht për njerëzit. Krejt rrëfimi artistik në të është ai në pikturë ku “faktohet” ndërhyrja edhe aty.

Autorja e veprës ka thënë se pikënisja e veprës ka qenë pikura, derisa instalacionin e ka cilësuar si zgjatim të saj.

“Është ndërtuar prej dy elementeve: prej pikturës dhe prej instalimit me tekstil. Ideja e punës fillimisht është ndërtuar përmes pikturës që është punuar në fillim të këtij viti dhe ka të bëjë më shumë me peizazhet e së ardhmes. Duke e menduar pikturën specifikisht, sepse kam dashur që vepra ime të ndërtohet duke filluar prej saj”, ka thënë artistja Renea Begolli për veprën “Skies extended” me të cilën ka fituar edicionin e sivjetmë të garës “Artistët e së nesërmes”.

Artistja ka thënë se ka qenë hera e parë që ka punuar me tekstil duke e parë të nevojshme shpjegimin e mëtejshëm të veprës nëpërmjet artit të saj.

“Piktura është më ekspresive, unë kombinoj materialet ndërsa për herë të parë kam përdorur tekstil për ta krijuar një vepër. Është diçka që kam dashur ta bëj qe një kohë të gjatë”, ka thënë artistja 25-vjeçare.

Ajo është artiste pamore, puna artistike e së cilës “eksploron intimitetin, gjininë, kujtesën, izolimin, trupin, hapësirat, çështjet ekologjike dhe sociale, të shprehura kryesisht përmes pikturave, vizatimeve digjitale, instalacioneve dhe video-artit”, siç shkruhet në biografinë e saj.

Në vitin 2021, Begolli u diplomua në Pikturë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin “Bournemouth” në Londër në Sociologji dhe Antropologji Sociale. Aktualisht punon si asistente kuratoriale për Bienalen e Kievit në Vjenë si pjesë e programit “Artist-in-Residence” në “MuseumsQuartier”. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo ka punuar në Iniciativën e Historisë Gojore si studiuese dhe arkiviste. Në vitin 2022, ajo ka punuar edhe si koordinatore e programit dhe bashkëkuratore për Kosovën në Arkivin Sekondar. Si artiste, Renea ishte pjesë e disa ekspozitave grupore dhe pati një personale këtë vit të titulluar “Pragu” në galerinë “Qahili” në Prishtinë.

Vepra ngre pyetje për qiellin e së ardhmes. Se si do të jenë retë në të ardhmen.

“Kam filluar të hulumtoj më shumë rreth saj dhe idesë së ‘cloud seeding’ që është një teknologji që përdoret në shumë vende të botës për t’i stimuluar retë për të rënë shi. Për mua kjo ka qenë diçka shumë interesante, që ka provokuar shumë ide të mia. Më ka krijuar shumë pyetje mua si artiste se si do të ndryshojnë qiejt në të ardhmen, deri ku do të shkojë kontrolli i njerëzve në qiej”, ka thënë Begolli, duke përjashtuar çdo gjykim për ndërhyrjen në qiell.

Vepra ngjall diskutime rreth fenomenit të “mbjelljeve të reve”. Artistja ka thënë se i takon publikut ta vlerësojë.

“Nuk është ideja e punës të them se ky lloj i teknologjisë është i mirë apo i keq, sepse duhet më shumë studim, por më shumë është ideja që njerëzit të kenë këso lloj kontrollesh për mua ka qenë shumë kontradiktore dhe e ka inspiruar pjesën e shkallëve në instalacion”, ka thënë artistja Begolli më tej.

Në qershorin e vitit në ardhje ajo do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim që të përjetojë dinamikën e skenës artistike të New Yorkut. Për dy muaj bëhet pjesë e rezidencës dymujore “Residency Unlimited”. Pas kthimit, bëhen pjesë e programit vjetor të “Stacionit” me ekspozitë personale. Ky është edhe shpërblimi për fituesin e “Artistët e së nesërmes”.

Begolli ka thënë se rezidenca do t’i ndihmojë të mendojë më thellë për punën dhe idetë e saj artistike.

“Jam entuziaste të shoh çfarë ka atje, çfarë lloj muzesh, çfarë lloj galerish, të njoftohem më shumë me njerëzit dhe të shoh, për shkak se shumica e përvojës sime si artiste ka qenë brenda Kosovës dhe kam mundur të shoh pak brenda Evropës, New Yorku është krejt tjetër lloj dinamike. Do të jetë diçka shumë e re për mua, por jam shumë entuziaste të shoh. Mendoj se do të jetë inspirim për të marrë shumë elemente të ndryshme të jetës, kulturës, artit atje”, ka thënë ajo më tej.

Me punën kuratorialë janë marrë Vala Osmani dhe Albert Heta.

Heta, drejtor i qendrës për art bashkëkohor “Stacion”, ka thënë se çdoherë e më shumë ka rritje të kualitetit të veprave artistike tek artistët e gjeneratës së re.

“Për ne si institucion, jo veç tash, por artistët e rinj çdoherë kanë pasur një vlug më të madh të punës, sidomos menjëherë si e kryejnë fakultetin, ende është një hapësirë dhe një motivim shtesë. Çdoherë e më tepër ka rritje të kualitetit, edhe pse në shumë raste ndikimi i njëfarë pritshmërie të veprave ndikon edhe në artistë të rinj. Domethënë cilat janë temat që zgjedhën, produksioni është çdoherë më i mirë, por në anën tjetër ka shumë hapësirë për investim”, ka vlerësuar Heta derisa ka thënë se “Stacion” e ka mision të zhvillojë praktikën e pavarur artistike dhe shoqërinë civile.

Sipas tij ideja fillestare e çekut Vaslav Havel për ta depërtuar artin jashtë vendit dhe mendimi se arti atje ishte i izoluar qëndron edhe në vend me mosliberalizimin e vizave. Për këtë qëllim edhe shpërblimi është qëndrimi në rezidencë artistike për dy muaj në New York. Heta ka thënë se prejse “Stacion” e organizon, janë munduar të rrisin çdoherë reputacionin e ngjarjes.

“Prej asaj kohe, ‘Stacion’ ka tentuar të rrisë ndikimin e çmimit, jurisë, të jetë ajo çdoherë kredibile, çmimi të jetë stimulim për artistët e rinj. Prej fillimit të mund të përkrahet prodhimi i veprave të reja, që në disa periudhe ka qenë shumë e vështirë. Gjetjet për kulturë kanë qenë më të pakta”, ka thënë ai.

Me Begollin, në finale ishin artistët Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa. Jaka ka garuar me instalacionin e tij pamor e zanor që e lidh ishullin e tij artificial me planetin Tokë. Artistja Musa e ka trajtuar çështjen e identitetit kombëtar nëpërmjet instalacionit me tulla. Ka gërshetuar edhe vitet ’90 duke sjellë filmime nga viti 1996.

Anëtari i jurisë vlerësuese të garës “Artistët e së nesërmes”, artisti Driton Selmani, ka thënë se vlerësimi nuk ka qenë i lehtë për shkak të garës e për shkak se i takon së njëjtës skenë artistike me garuesit.

“Për mua, edhe vitin e kaluar edhe sivjet ka qenë eksperiencë shumë e rëndësishme, sepse i mësoj disa dukuri që ndoshta edhe vet nuk i kam ditur si artist. I takoj një gjenerate të artistëve që kam fituar tepër pak çmime, por nuk do të thotë se çmimet në fund të fundit janë gjithçka, aq më pak që klubi i boksit sonte e prezanton një ekspozitë të kuruar shumë mirë, kompakte dhe me shumë potencial”, ka thënë artisti Selmani, që ka qenë anëtar jurie edhe në edicionin e kaluar të ngjarjes.

Ka thënë se është kritik me artistët vendorë ngase sipas tij, nuk punojnë mjaftueshëm. Sipas tij, krejt e kundërta ka ngjarë me artistët në këtë garë. Ka konsideruar se duhet punë më e afërt me institucionet shtetërore e private dhe ndërmjet artistët midis vete. E ka vlerësuar edhe punën e artistes fituese.

“Mendoj se Renea është në një fazë eksperimentale. Vjen prej një sfondi të pikturës që është art pak më tradicional, por gjithmonë me një tendencë për të shtuar diçka që flet për problemet, shqetësimet e saj, por edhe bashkëkohoren me të cilën ajo po jeton. Bashkëkohorja është një urgjencë, si ekologjike, si politike, ajo po provim t’i inkorporojë. Mendoj se New Yorku do t’i shërbejë shumë, aq më shumë në një periudhë kur ajo është në një moment të karrierës kur i duhet edhe një katapultim”, ka thënë artisti e ligjëruesi Selmani për punën e Begollit.

Juria në ceremoni i ka vlerësuar veprat e artistëve Jaka dhe Musa si dhe i ka inkurajuar të vazhdojnë fuqishëm drejt punës së tyre si artistë.

“Jurisë i bëri përshtypje mënyra se si finalistët diskutuan idetë e tyre dhe procesi i sjelljes së tyre në hapësirën e ekspozitës, si dhe ndjeshmëria me të cilën ata morën parasysh arkitekturën e Klubit të Boksit për prezantimin e projekteve të tyre. Për produksionin dhe instalimin e veprave të tyre, të tre artistët bashkëpunuan me ekipin kuratorial dhe ekipin e produksionit të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë”, është thënë nga juria të shtunën mbrëma në ish-klubin e boksit “Prishtina”.

Puna e tyre është vlerësuar se e prezanton vizionin dhe qasjen unike në ekspozitë. U hap më 10 nëntor.

Artisti Shkamb Jaka me veprën e tij që formonte një lloj ishulli jashtë botës e çonte atë përtej reales. Por ndërlidhej me atë nëpërmjet disa zgjatimeve që ngjanin në simbolin për të qëndruarit në lidhje me teknologjinë. Veprës i kishte bashkëngjitur edhe një audio-instalacion abstrakt.

Finalistja tjetër e garës, Arbesa Musa, e cila vepron midis Zvicrës dhe Kosovës, artin e saj e kishte bazuar në çështjet e identitetit. Puna e saj me tulla mbante ato që ngjanin në vijat e kufijve derisa vetë objektit i kishte dhënë formën e një anijeje si simbol për udhëtimin. Aty kanë qenë edhe filmimet e viteve 90’ që tregonin përditshmërinë e asaj kohe. Ishte një lloj lidhje me vendlindjen.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamorë – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe të shoqërisë civile.

Deri në vitin 2014, “Artistët e së nesërmes” organizohej nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Atë vit u mor vendimi që të organizohej çdo dy vjet. Por prej vitit 2016 çmimi kaloi në kompetencë të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” dhe mbeti ngjarje e përvitshme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor në qendrën e artit bashkëkohor “Stacion” në kryeqytet.