Kulturë

Ministria del prej planit, prej 500 mijë jep 2 milionë euro për projekte

Për thirrjen e hapur në fillim të shtatorit, Ministria e Kulturës kishte planifikuar 500 mijë euro. Por këtë shifër e ka katërfishuar. Në listat e publikuara del se organizatat joqeveritare janë përkrahur me 1 milion e 342 mijë e 296 euro, kurse projektet individuale me 605 mijë e 650. Krejt bashkë kapin shifrën 1 milion e 947 mijë e 946 euro. Bëhet fjalë për 186 individuale dhe 137 të organizatave joqeveritare

Sa u përket projekteve kapitale Ministria e Kulturës ka dështuar si gjithnjë, sipas shifrave të vetë Qeverisë, me dhjetë për qind të buxhetit të shpenzuar deri në fund të shtatorit. Por institucioni më i lartë kulturor ka gjetur rrugë për të rritur shpenzimet. Këtë po e bën nëpërmjet subvencionimit të skenës së pavarur kulturore. Për thirrjen e hapur në fillim të shtatorit MKRS-ja kishte planifikuar 500 mijë euro. Por këtë shifër e ka katërfishuar.

Në listat e publikuara del se organizatat joqeveritare janë përkrahur me 1 milion e 342 mijë e 296 euro, kurse projektet individuale me 605 mijë e 650. Krejt bashkë kapin shifrën 1 milion e 947 mijë e 946 euro. Bëhet fjalë për 186 individuale dhe 137 të organizatave joqeveritare. Lista e organizatave është e aprovuar. Ajo e projekteve individuale, preliminare. Të dyja janë në afat ankesash. Janë publikuar të mërkurën pasdite.

Krejt ndryshe qenë planet kur në shtator të këtij viti MKRS-ja kishte hapur thirrjen e titulluar: “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023”.

“Buxheti bazë për thirrjen e shtatorit për art dhe kulturë është 500 mijë euro. Në bazë të aplikimeve të pranuara do të shqyrtohen mundësitë për rritje të këtij buxheti”, kishte thënë Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas saj, duke marrë parasysh që skena e pavarur kulturore vazhdon të ketë aktivitete kulturore gjatë gjithë vitit dhe duke u bazuar edhe në rritjen e mbështetjes për këtë skenë nga Ministria e Kulturës, është paraparë që aktivitetet të mbështeten nëpërmjet thirrjes së shtatorit.

“Projektet mund të realizohen gjatë gjithë vitit fiskal 2023 dhe përtej këtij viti”, kishte thënë Fetiu.

Për subvencione MKRS-ja përgjigjet edhe për media, por jo edhe për investimet kapitale. Sipas tabelave të shpenzimeve të Ministrisë së Financave projektet e kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore, me buxhet ishin paraparë 22.6 milionë euro investime, kurse për nëntëmujorin e parë të vitit janë shpenzuar vetëm 2.5 milionë.

Por sivjet MKRS-ja pavarësisht shumave të mëdha që ka ndarë për skenën e pavarur kulturore, është përballur edhe me avari jo të zakonta në këtë proces. “Dramë” më vete kishte qenë publikimi i rezultateve në qershor.

Fillimisht ishte publikuar Lista preliminare dhe ishte hapur afati i ankesave. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtojë ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106.

Dallimi në buxhet: 1.7 milionë euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë. Po atë ditë që u publikua kjo listë edhe u fshi nga ueb-sajti. Pas gati 24 orëve u publiku Lista e re bashkë me ndryshime. Qe fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro. Ishin shtuar edhe 11 projekte. Me listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit, ishin 106 projekte.

E në të renë 116, plus një pa numër rendor. Në Listën e re në mesin e 117 përfituesve ishin edhe qendra për art bashkëkohor “Stacion” me 20 mijë euro, Organizata Kulturore e të Rinjve me 11 mijë euro, Sh.K. “Gjurmët” me 10 mijë e 760 euro, shtëpia teatrore filmike “AKT” me 25 mijë euro, shoqëria kulturore artistike “Malsori” me 27 mijë e 100 euro për “Hasi Jehon 2023”, galeria “Qahili” me 30 mijë euro, orkestra frymore “Prizreni” me 20 mijë euro, Fondacioni Kosovar i Arkitekturës me 20 mijë euro, shoqata “Qendra e Artit Muzikor DAM” me 20 mijë euro e po aq ka marrë përkrahje edhe qendra kulturore “Pre Art”. Pa numër rendor, në Listën e re figuronte edhe festivali ndërkombëtar i teatrit “Prizren Fest” me 30 mijë euro.

Ministria e Kulturës kishte “rihapur” kuletën edhe për disa organizata duke ua përmirësuar shifrat.

Një natë më parë “Artpolisi” ishte përkrahur me 60 mijë euro. Në Listën e re i ishin shtuar edhe 20 mijë. Kishte “përmirësuar” shifrat edhe për “DokuFestin” duke ia shtuar 10 mijë, prej 90 mijë sa ishte lansuar një ditë më parë. Buxhetin ia kishte shtuar për 17 mijë e 745 euro edhe organizatës “Ec Ma Ndryshe”, duke e rrumbullakuar në 80 mijë. Gati po aq ia kishte rritur edhe teatrit “Oda”. Në “listën e zhdukur” u përkrah me 62 mijë e 200 e me listën e rishfaqur me 80 mijë. Organizatës joqeveritare “Integra” për projektin “Dokumentimi i trashëgimisë artistike në Kosovë – edicioni i 4-t”, ia kishte dyfishuar buxhetin nga 15 mijë të enjten pasdite, në 30 mijë të premten e 30 qershorit.

Krejt kjo rrëmujë ishte kritikuar fort nga zëra të pavarur të skenës kulturore. Shumica kishin përtuar të flisnin pasi i kishin parë projektet e tyre me shifra të rritura.

LEXO EDHE: