Ojani Noa, ish-bashkëshorti i këngëtares së njohur, Jennifer Lopez, pas paraqitjes së saj në emisionin “Howard Stern Show”, ka shkruar në rrjete sociale duke e akuzuar këngëtaren për mashtrim.
Noa, i cili ishte i martuar me Lopezin për më pak se një vit gjatë vitetve ’90, e ka sulmuar ish-bashkëshorten përmes një postimi, të cilin e ka bërë në formë reagimi pasi në emisonin “Howard Stern Show”, ajo ka thënë se asnjëri nga ish-burrat e saj “nuk ishin të aftë ta donin me të vërtetë”, ka raportuar The New York Post.
“Mjaft na poshtërove. Mjaft më poshtërove mua me lojën tënde prej viktime. Problemi nuk jemi ne. Nuk jam unë. Ti je ajo që ‘nuk mund ta mbaje në pantallona’”, ka shkruar Noa.
Ajo ka vazhduar duke thënë se Lopezin e kanë dashur shumë herë, pasi ka qenë e martuar katër herë, ndërkohë që ka pasur lidhje të tjera romantike ndër vite, kur nuk ishte e martuar.
“Ke pasur lidhje të mira. Atë me mua për shembull”, ka shkruar ai.
Noa, i cili është ish-kamarier, ka insistuar se ka qenë i dashuruar me aktoren e filmit “The Kiss of the Spider Woman”, dhe ka pretenduar se është shpërngulur nga vendi ku ka jetuar në mënyrë që ta mbështesë, e ta mbrojë atë.
Ai tutje ka shkruar se është njeri i mrekullueshëm, që është i aftë të dojë dhe se ishte i sinqertë e besnik ndaj saj.
“Por ti. Ti zgjodhe famën e pasurinë duke u larguar nga marrëdhënia jonë. Ti vendose të gënjesh, të mashtrosh, ani pse unë qëndrova. Madje u mundova ta mbaja martesën. Ti më përgjërove që ta mbanim martesën mirë, në mënyrë që të mos merrnim vëmendje nga shtypi i keq”, ka thënë Noa.
Ai gjithashtu ka shtuar se ajo dëshironte të vazhdonte mashtrimet e gënjeshtrat, ndërkohë që ai nuk mund ti bënte ballë më, prandaj u divorcua nga ylli.
“Trego të vërtetën një herë të vetme. Tregoju njerëzve që ti je problemi. Duhet të të vijë turp nga vetja”, ka shkruar ndër të tjera Noa.
Lopez dhe Noa janë njohur në restorantin e artistes Gloria Estefan, në vitin 1996, në Miami.
Ata u martuan në muajin shkurt të vitit 1997 dhe u divorcuan pas 11 muajsh.
Vitin e kaluar, kur Lopez u divorcua nga aktori Ben Affleck, në një interviste për Daily Mail, Noa pati thënë se nuk ka “hatër mbetje” me ish-bashkëshorten.
“Do të mund të isha gjithmonë shoku i saj”, ka thënë ai.
Pas Noas, Lopez është martuar me valltarin e saj, Chris Judd, nga viti 2001 deri në vitin 2002 dhe më pas është martuat me këngëtarin latin, Marc Anthony, nga viti 2004 deri në vitin 2011, me të cilin ka binjakët 17 vjeç, Max dhe Emme.
Më pas ajo është martuar me Affleckun, në vitin 2022, dy dekada pasi kishin anuluar martesën në vitin 2004. Lopez ka dorëzuar kërkesën për divorc nga Affleck, në muajin gusht të vitit 2024, ndërkohë që procesi u finalizua në muajin janar të vitit 2025.
Gjatë intervistës së saj në emisionin “The Howard Stern Show”, Lopez është përgjigjur me “JO”, kur u pyet nëse mendon se e kanë dashur ndonjëherë.
“Ajo që kam mësuar është se nuk është që nuk mund të më duan, por nuk janë të aftë. Nuk e kanë në vetvete. Dhe më kanë dhënë gjithçka, të gjithën, çdo herë. Të gjitha që do të mund t’i dëshiroja. Shtëpitë, unazat, martesën. Gjithçka. Por...”, ka thënë aktorja.
Ajo gjithashtu ka thënë se ndonjëherë nuk e donte as veten.