Kulturë

Arti i Petrit Halilajt fluturon për liri në qiellin e dy kontinenteve

Dikur Meksika ia refuzonte hyrjen. Tash në këtë shtet ka veshur një aeroplan me artin e tij. Vepra e Petrit Halilajt fluturon me emrin e tij e të vendlindjes
 

Një “Boing 737” i “AeroMéxico” i Meksikës tashmë është veshur me veprën e Petrit Halilajt dhe fluturon në qiellin e dy kontinenteve. “Nga Runiku me dashni”, është mesazhi që lë artisti i njohur botëror. “Është një vepër e cila përtej vështirësive kulturore, politike e kufijve fluturon në të gjitha këto vende e lirë dhe trajton temat që unë i trajtoj në ekspozitën personale në Muze”, ka thënë ai për KOHËN duke iu referuar ekspozitës “Runik” e hapur në Mexico City. Muzeu Metropolitan i New Yorkut është destinacioni i radhës për veprat e Halilajt

Shpezët e Petrit Halilajt nga Runiku kaherë kanë marrë rrugë për në botë. Kanë shkuar edhe përtej oqeanit. Kanë shpalosur histori e kanë përçuar mesazhe. Por tash, një prej tyre nuk do të ndalet në fluturim me qiejt amerikanë.

Është një pulë, ilustrimi i së cilës ka veshur një “Boing 737” të “AeroMéxico”, kompanisë meksikane të fluturimeve. Me vete bart mesazhin: “Nga Runiku me dashni!”. Nëse zbërthehet pak lidhshmëria e Halilajt me ilustrimet si ai në aeroplan, menjëherë del në pah një fshat i Skenderajt, djegia e tij më 1999, lufta në Kosovë e deri te ëndrrat për liri të një adoleshenti që ishte refugjat. Historia zbërthehet edhe më në hapësirën që muzeu i artit bashkëkohor “Tamayo” në Mexico City i ka rezervuar Halilajt për ekspozitën e tij personale, “Runiku”, e hapur javën e kaluar.