Një “Boing 737” i “AeroMéxico” i Meksikës tashmë është veshur me veprën e Petrit Halilajt dhe fluturon në qiellin e dy kontinenteve. “Nga Runiku me dashni”, është mesazhi që lë artisti i njohur botëror. “Është një vepër e cila përtej vështirësive kulturore, politike e kufijve fluturon në të gjitha këto vende e lirë dhe trajton temat që unë i trajtoj në ekspozitën personale në Muze”, ka thënë ai për KOHËN duke iu referuar ekspozitës “Runik” e hapur në Mexico City. Muzeu Metropolitan i New Yorkut është destinacioni i radhës për veprat e Halilajt
Shpezët e Petrit Halilajt nga Runiku kaherë kanë marrë rrugë për në botë. Kanë shkuar edhe përtej oqeanit. Kanë shpalosur histori e kanë përçuar mesazhe. Por tash, një prej tyre nuk do të ndalet në fluturim me qiejt amerikanë.
Është një pulë, ilustrimi i së cilës ka veshur një “Boing 737” të “AeroMéxico”, kompanisë meksikane të fluturimeve. Me vete bart mesazhin: “Nga Runiku me dashni!”. Nëse zbërthehet pak lidhshmëria e Halilajt me ilustrimet si ai në aeroplan, menjëherë del në pah një fshat i Skenderajt, djegia e tij më 1999, lufta në Kosovë e deri te ëndrrat për liri të një adoleshenti që ishte refugjat. Historia zbërthehet edhe më në hapësirën që muzeu i artit bashkëkohor “Tamayo” në Mexico City i ka rezervuar Halilajt për ekspozitën e tij personale, “Runiku”, e hapur javën e kaluar.
Institucioni – një prej më të rëndësishmëve të artit bashkëkohor në Amerikën Latine – nën kurimin e José Esparza Chong Cuy, deri në prillin e vitit që vjen ka hapur fole për zogjtë e Halilajt bashkë me veprat e tjera të tij. Hapësira është transformuar në një alamet ekspozite ku vizitorët bëhen pjesë e një shtegtimi që buron nga shteti më i ri në Evropë.
Për Muzeun, veprat shtjellojnë nocione sfiduese të kombësisë, vendit dhe përkatësisë. “Runik”- që është edhe ekspozita e parë personale e Halilajt në Amerikën Latine, prek tema të ndryshme.

Një zë aktiv i Kosovës në botë
“Për Halilajn, arti nuk ka qenë vetëm mjeti nëpërmjet të cilit udhëtonte dhe mësonte botën, por edhe një medium nëpërmjet të cilit ai mund të shprehë dhe eksplorojë emocione të ndërlikuara për historinë e atdheut të tij”, është përshkrimi që u ka bërë Muzeu veprave të artistit kosovar. Sipas këtij institucioni, gjatë viteve puna e Halilajt është shndërruar në njëlloj agjencie të fortë politike në shtetin e ri të Kosovës, “ku ai është bërë një zëdhënës aktiv i kulturës”.
“Ndërsa tani jeton në Berlin, artisti ruan rrënjë të forta në Kosovë dhe lidhje të ngushta me Italinë. Ashtu si krijesat e tij të imagjinuara, Halilaj ka mësuar të bëjë një shtëpi kudo që ndien një lidhje”, është përshkrimi që i ka bërë Muzeu profilit të Halilajt.
Refugjati adoleshent i vitit 1999 para nja 10 vjetësh, kur qe goxha emër në artin bashkëkohor, ia kishte mësyrë Meksikës.
“Kërkesa ime ishte refuzuar nga Ambasada e Meksikës me arsyetimin se Kosova nuk është e pranuar si shtet”, ka rrëfyer ai për KOHËN. E tash Halilaj – emër i pakontestueshëm në botën e artit bashkëkohor – jo veç që ka shkuar në Meksikë. Ka shpalosur vepra jo veç për ata që ia mësyjnë muzeut “Tamayo” të themeluar këtu e 42 vjet më parë. “Nga Runiku me dashni!” do të ketë audiencë nëpër aeroportet e të dyja kontinenteve. Njashtu siç bashkë me të do të fluturojë edhe emri i autorit dhe i Muzeut. Halilaj ka treguar me goxha ngazëllim se mundësia që i është dhënë për ta transformuar aeroplanin është diçka mahnitëse.
Vepra që vjen prej skicës si refugjat më 1999
“Vepra që fluturon është një pulë, krahët e së cilës bashkohen në aeroplan dhe është një vepër e cila përtej vështirësive kulturore, politike e kufijve fluturon në të gjitha këto vende e lirë dhe trajton temat që unë i trajtoj në ekspozitën personale në Muze”, ka treguar ai. Ka thënë se kjo vepër vjen prej një vizatimi në fletë të vogël dhe është e ndërlidhur me zogjtë dhe me vizatimet e vendeve që ëndërronte t’i shihte kur ishte në kampin e refugjatëve në Shqipëri më 1999. Sikurse tash, edhe atëherë si 13-vjeçar ishte marrë me shpendë. Do t’i binte në sy edhe BBC-së dhe punimet do të bëheshin shkas që pranë tendës së familjes së tij të ndalej edhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Veprat e Halilajt, asokohe në kartonë të pakove të ndihmave, ishin një arritje prej fëmijë në botën e artit e njëkohësisht paraqiste skena të shtëpive të djegura të fshatit të tij.

Pranvera në Muzeun Metropolitan të New Yorkut
Zogjtë e asaj kohe tashmë kanë marrë botën. Prej Meksikës në prill të vitit që vjen, kur edhe mbyllet ekspozita, disa prej tyre do të ndalen në institucionin prestigjioz të Muzeut Metropolitan të New Yorkut. Halilaj do ta transformojë tarracën e kulmit të Muzeut të themeluar më 1870. MET ka shpalosur se Halilaj është i ngarkuar të krijojë një instalacion specifik për kopshtin e tarracës së kulmit. Sipas Muzeut, bëhet fjalë për një instalacion të gjerë skulpturor.
“Puna e Halilajt është thellësisht e lidhur me historinë më të re të vendit të tij të lindjes - Kosovës- dhe me pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon. Pas një periudhe formimi në Itali, ku studioi art në ‘Accademia di Brera’ në Milano, ai u transferua në Berlin në vitin 2008, ku jeton dhe punon ende. Projektet e tij përfshijnë një shumëllojshmëri mediash, si skulpturë, vizatim, poezi dhe performancë”, shkruhet në njoftimin e MET-it. Halilaj këtë e ka përshkruar si një lajm të madh, për të cilin nuk mund të flasë në hollësi.
“Në prill të vitit të ardhshëm do të kem prezantimin e parë në Muzeun Metropolitan të New Yorkut, që do të jetë në tarracën e kulmit të Muzeut. Kjo është shumë e rëndësishme pasi e dimë rëndësinë e këtij institucioni dhe të këtij qyteti për ne”, ka thënë ai.
Krejt këto projekte janë diçka e pritshme për Halilajn. Në mars të këtij viti, Akademia e Arteve në Berlin, që është pikë reference sa u përket instituteve artistike në Evropë me traditë 327-vjeçare, ia ka ndarë Çmimin për Arte Vizuale pikërisht Halilajt. Bazuar në krijimtarinë e tij, juria ka vlerësuar se këtë vit ai duhet të jetë laureat i këtij çmimi prestigjioz si një artist që vazhdimisht hulumton të kaluarën personale e kolektive, duke ngritur pyetje me bazë politike të cilat eksplorojnë ndërlidhshmërinë midis realitetit e imagjinares.
E në gusht një tjetër akademi e kishte nderuar artistin e lindur më 1986 në Runik të Skenderajt. Akademia e Artit Botëror në Köln të Gjermanisë kishte zgjedhur që Halilaj të jetë anëtar i saj.
Sipas Akademisë, që për anëtarë ka personalitete globale të artit dhe kulturës, projektet e Halilajt janë të rrënjosura në biografinë e tij dhe përfshijnë një shumëllojshmëri mediash, duke prekur skulpturën, vizatimin, tekstin dhe performancën. “Duke inkorporuar shpesh materiale nga Kosova dhe duke u shfaqur si instalacione hapësinore ambicioze, puna e tij i shndërron marrëdhëniet personale, vendet dhe njerëzit në forma skulpturore”, shkruhet në prezantimin që i ka bërë Akademia Halilajt. Skulpturat e tij gjithnjë kanë rrënjë në vendlindje.
Veprat e këtij artisti që përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias më 2013, janë gjithnjë të lidhura me vendlindjen. Çojnë anekënd botës përvoja të luftës dhe nevojën për një tjetër realitet – atë të lirisë.