Kulturë

Artisti i zhvendosur nga lufta në Kosovë gjen lirinë në fluturim

Petrit Halilaj artin e tij e krijon i bazuar në kujtimet e tij gjatë kohës së kaluar në një kamp refugjatësh gjatë luftës së Kosovës, ku pamja e zogjve dhe planet për migrim ishin të vetmet që i dhanë shpresë. Dëshmi është ekspozita e tij “Runik”, në Meksiko

“Runiku”, titulluar sipas një vendbanimi neolitik në Kosovë, është një simbolikë për historinë, kujtesën, luftën, shpërnguljen dhe konceptin e shtëpisë. Ekspozita në Museo Tamayo është hapësira e parë nga Amerika Latine që i bëhet nikoqire veprës së Petrit Halilajt, një artist shqiptar nga Kosova që tani jeton në Berlin. Artisti, i lindur në vitin 1986, krijon zogj nga pëlhura ose vendos këmbët metalike të shpendëve në enë balte në kujtim të kohës së tij në një kamp refugjatësh gjatë luftës së Kosovës, kur pamja e zogjve dhe mendimi për migrimin i dhanë shpresë. Halilaj filloi të vizatonte në kamp që në moshën 13-vjeçare dhe u bë i njohur në media me mbështetjen e një psikologu. Imazhet e tij të ndërlikuara, të sofistikuara dhe me ngjyra të ndezura përshkruajnë luftën, tanket, ushtarët, ndërtesa të djegura.

Halilaj ende vazhdon të inspirohet nga kjo pjesë e jetës së tij. Nga papastërtia dhe plehu organik, ai skulpturon kafshë që duket se vëzhgojnë kaosin e krijuar nga njerëzit. Kafshët u zhvendosën simbolikisht nga lufta kur u mbyll Muzeu Historik Natyror i Kosovës. Halilaj kishte qenë dëshmitar i neglizhencës dhe shkatërrimit të shumë eksponateve nga ky muze, duke kujtuar shumë flutura dhe zogj që u shkatërruan. Një strukturë gjigante prej druri shtrihet në dy dhoma mbi kokat e vizitorëve, duke ndërvepruar me nivelet e shumta prej betoni dhe guri dhe dritaret e bollshme të muzeut. Në mënyrë të zhdrejtë sugjeron shtëpinë e tij të fëmijërisë të rindërtuar, e cila ishte djegur gjatë luftës. Ai e titullon poetikisht, dhe ndoshta me dëshpërim, “Vendet që po kërkoj, janë vende utopike, janë të mërzitshme dhe nuk di si t’i bëj reale” (2010/2023).

Image
Pamje nga ekspozita e Petrit Halilajt, “Runik” në Museo Tamayo, Mexico City

Aty pranë, lulëzojnë lule gjigante dhe pendët e zogjve i bëjnë hije dyshemesë, së bashku me copa druri, një grumbull puplash dhe dy breshka të vogla në tokë. Ndjenja e përgjithshme është pazgjidhshmëria, kthesat e fragmentuara të një procesi të krijimit të artit që, megjithëse është biografik, nuk ngurtësohet, por përkundrazi shpërbëhet si një pasazh i spërkatur me mbetjet e shpresave, kujtimeve dhe gëzimeve të artistit. Një nga mjetet më efektive të përpunimit të traumës, siç mësoi Halilaj në fëmijëri, është gjetja dhe shkëmbimi i ekuivalentëve të saj shprehës, për të lidhur temat personale me ato universale. Dhe kjo është ajo që ai bën, duke lëvizur nga gjestet e vogla të intimitetit në madhështi teatrale, duke e zhvendosur gjendjen shpirtërore nga ndjenjat e zhvendosjes në një përqafim fluturues, fëmijëror të lirisë.

Përveç instalimit në Tamayo, artisti pikturoi një pulë në një aeroplan funksional “Boeing 737” të “AeroMexico”, si një mesazh për kufijtë dhe udhëtimin e kufizuar ndërmjet Kosovës dhe Meksikës. Lejet komplekse që kërkohen për të arritur këtë, nënvizojnë dëshirën e tij për t’i rezistuar kontrollit, për të mos u kufizuar ose mbajtur nga muret e muzeut ose ndarjet politike.

“Petrit Halilaj: Runik” vazhdon të jetë në Museo Tamayo (Paseo de la Reforma 51, Polanco, Bosque de Chapultepec I Secc, Miguel Hidalgo, Mexico City) deri më 7 prill. Ekspozita u kurua nga José Esparza Chong Cuy me asistente kuratoriale Ana Sampietro Brosa.

Marrë nga Hyperallergic.com. Përktheu: Enis Bytyqi