Kulturë

“Jericho” me gegë-rock shkund Mitrovicën me traditë e identitet

Mbrëmja nisi me “Nëntor i ftohtë”. Fillimi i këngës përçon një ndjenjë nostalgjie derisa rrit intensitetin edhe te publiku. Secili i zhytur në ambientin patriotik u transportua në një arenë euforie muzikore me hitet si “Zgjohu”, “Shkaba”, “Albanian rhapsody” dhe “Kur do të pushojë kjo kangë”
 

Sapo “Jericho” doli në skenë, tingujt e parë janë lidhur me thelbin e Ditës së Flamurit. Shkrirja e tingujve me nëntorët patriotikë krijoi ndërthurje harmonike duke përforcuar rëndësinë kulturore të ngjarjes. Ishte një festë muzikore për trashëgiminë e identitetin që shkoi paralelisht me ditën e veçantë për shqiptarët. Mitrovica është shkundur me gegë rock

Në një natë feste për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, qendra “7 Arte” në Mitrovicë u shkund prej një performance elektrizuese nga rock-grupi i njohur “Jericho”. Bendi njihet për shkrirjen unike të rockut alternativ, tingujve elektronikë dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare. Është gegë-rocku për të cilin shquhet “Jericho” me një karrierë mbi çerekshekulli.

Shpalosja e kësaj palete të larmishme muzikore shtroi skenën për një natë të paharrueshme që ndërthur pa problem bashkëkohoren dhe tradicionalen.