Kosova në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia do të dërgojë një problem jo të vogël: kushtet e pasigurisë në punë. Krahas kësaj çështjeje, instilacioni i artistes përfaqësuese do të shtjellojë edhe subjektivitetin e punëtorëve në kontekstin sociopolitik dhe ekonomik të Kosovës. Shteti më i ri i Evropës në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia do të përfaqësohet nga artistja Doruntina Kastrati. Është komisioni në përbërje të Zdenka Badovinac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk dhe Alban Muja që ka vendosur që Kastrati me projekt-propozimin e titulluar “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, të kuruar nga Erëmirë Krasniqi, të përfaqësojë Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë.
Vendimi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për përfaqësimin e Kosovës në Bienale është marrë të martën. Bashkë me të edhe arsyetimi i anëtarëve të jurisë. Sipas arsyetimit, pesëshja është bindur “nga projekt-propozimi i fuqishëm, koherent dhe i shtjelluar i Doruntina Kastratit, i cili zgjeron hulumtimin e saj artistik që ndërlidhet me kushtet e pasigurisë në punë dhe subjektivitetin e punëtorëve në kontekstin sociopolitik dhe ekonomik të Kosovës, rajonit dhe Evropës.
“Ne projektin e saj ‘Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës’ për Pavijonin e ardhshëm të Kosovës, të zhvilluar ngushtë me kuratoren Erëmira Krasniqi, Kastrati propozoi një instalacion skulpturor”, shkruhet në arsyetim.
Aty citohet edhe një pjesë e aplikimit të artistes.
“Pavijoni do të trajtojë punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe tëhuajësimin që vjen si pasojë. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër transicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kane prekur grupet më të cenueshme”, citohet projekti. Sipas arsyetimit të jurisë, aty ua ka tërhequr vëmendjen simbolika komplekse e formave skulpturore, të cilat janë të lira nga didaktika, megjithëse e kanë origjinën në angazhimin e artistes për të ekspozuar pasigurinë në punë.
Juria i ka besuar ekipit që në qendër ka artisten Doruntina Kastrati, emër i njohur i gjeneratës së saj në artin konceptual. E lindur më 1991 në Prizren, Kastrati punon kryesisht me skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Ajo hulumton dhe fokusohet në trupin dhe marrëdhënien e tij me pushtetin biopolitik. Në vitin 2014 është shpërblyer me Çmimin për Artistët e Rinj Vizualë nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Më pas ka fituar çmimin “Hajdex6” nga fondacioni “Hajde”. Ajo ishte artiste rezidente në “International Studio and Curatorial Program” në New York, në “Art House” në Shkodër dhe në “Initiators” në Athinë. Veprat e saj janë ekspozuar në institucione të artit si “Eugster” në Beograd në “Manifesta 14” në Prishtinë, muzeun “Hessel” në New York e në disa galeri e muze në Evropë.
KOHA ka provuar të marrë komente për përzgjedhjen e Kastratit nga artistë që kanë marrë pjesë në konkursin e Ministrisë dhe nga disa jashtë kësaj thirrjeje. Por nuk kanë pranuar ta komentojnë ani pse jozyrtarisht ka pasur jo pak kritika për përzgjedhjen.
Sipas jurisë, aspektet e ndryshme artistike dhe teknike të projektit, të cilat Kastrati me përpikëri i detajoi në propozim, përvijojnë një projekt gjithëpërfshirës, i cili është i bazuar në kontekstin lokal dhe njëkohësisht lidhet me narrativat komplekse globale për kushtet në vendin e punës.
“Koherenca e propozimit fuqizohet edhe me tej nga ekspertiza e gjerë e kuratores Erëmira Krasniqi dhe fokusi i saj në historitë gojore dhe përvoja hulumtuese në Kosovë”, shkruhet në arsyetimin për përzgjedhjen e Kastratit. Sipas jurisë, puna e Krasniqit përputhet me praktiken artistike të Kastratit pasi të dyja nxjerrin mësime nga përvojat personale të individëve dhe nga rrëfimet në vetën e parë.
Komisionere e Pavijonit do të jetë kuratorja Hana Halilaj.
Tema që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit, që vitin e ardhshëm ka kuratorin brazilian, Adriano Pedrosa, prek edhe temën e përgjithshme të ngjarjes. Pedrosa ka prezantuar se tema do të jetë “Foreigners Everywhere” (Të huaj kudo). Sipas konceptit të ekipit nga Kosova, punëtorët që nuk kanë kushtet e duhura në vendin e punës edhe mund të shihen si të huaj. Pedrosa ka sqaruar se titulli është marrë nga një seri e veprave të nisura në vitin 2004 nga kolektivi “Claire Fontaine”, nga Parisi e të cilët jetojnë në Palermo. Veprat e tyre përbëhen nga skulptura neoni me ngjyra të ndryshme që përkthejnë në një numër gjithnjë e më të madh gjuhësh fjalën “Të huaj kudo”.
Nga ana tjetër, tema po ashtu vjen edhe nga emri i një kolektivi nga qyteti i Torinos që luftoi racizmin dhe ksenofobinë në Itali në fillim të viteve 2000. “Stranieri Ovunque”, siç është emri i kolektivit fjalë për fjalë, përkthehet “Të huaj kudo”.
Ky titull i shkon fort për shtati edhe përfaqësimit të Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës. Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri është dyshja e cila në pavijonin e tyre “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 – lokaliteti transcendent) merr në trajtim ndikimin e emigrantëve në zhvillimin e vendeve të tyre të lindjes. Dyshja nëpërmjet instalacionit ka trajtuar transcendencën jo veç si term filozofik, por edhe në rrafshin praktik.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Vitin e kaluar, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.
Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen ka nisur më 2012-n. Në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi atë vit. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisioner ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku.
Pavijoni i Kosovës ngrihet në Arsenale, i cili bashkë me Giardinin janë vendet kryesore ku shtrihen veprat e shteteve pjesëmarrëse.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.