Filharmonia me mjeshtër në dirigjim e violinë lidh tinguj shprese
Mbrëmja ka filluar me koncertin për violinë në D-mol të kompozitorit Aram Khachaturian. Vepra e viteve ’40 të shekullit të kaluar është mjaft vibrante. Zbërthimin e lojës e bën edhe më të veçantë koncertmjeshtrja nga Kazakistani, Aiman Mussakhajayeva (Foto: Arben Llapashtica)
Ka kohë që është bërë nikoqire e emrave të shquar botërorë, e me dy prej tyre Orkestra e Filharmonisë së Kosovës hapi këtë sezon. Në harmoni me nivelin e tyre, me solisten Aiman Mussakhajayeva në violinë, dirigjuar prej maestros zviceran Antoine Marguier ka sjellë një koncert energjik në një sallë që është larg potencialit të instrumentistëve. Ka pasur edhe një tjetër simbolikë: një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjaku nuk ka qenë vetëm simbolikë. Koncerti ka lidhur tinguj shprese
Është koncerti i parë Orkestrës për këtë sezon. Dhe ky rrugëtim ka nisur me dy profesionistë, si dirigjenti Antoine Marguier dhe violinistja Aiman Mussakhajayeva. Si zakonisht edhe ky sezon nis në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Por, para se publiku të nisë rrugëtimin muzikor, shkaku i zhvillimeve në veri të Kosovës, mbrëmja ka pasur tjetër intro. Ka nisur me një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, u është drejtuar të pranishmëve duke thënë se janë në koncertin e hapjes së sezonit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe njëkohësisht e gjejnë veten në një ditë të rëndë për vendin. Ka përmendur se rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka humbur jetën duke bërë sakrificën më të madhe në mbrojtje të integritetit dhe sigurisë së Kosovës.
Pasi ka kërkuar një minutë heshtjeje, ka thënë se përballë kohëve të tilla sfiduese është e rëndësishme të njohim se këto ngjarje, sa tragjike qofshin, nuk do të ndalojnë institucionet në rrugën drejt stabilitetit për një jetë të qetë dhe paqësore.
“Sot, përmes fuqisë së muzikës dhe bashkërendimit, le të dërgojmë një mesazh se ne mbetemi të vendosur në përkushtimin tonë për të ndërtuar një Kosovë më të mirë. Faleminderit që jeni bashkuar me ne në këtë moment të përbashkët shprese!”, ka përfunduar ai.
“Ata dhe audienca meritojnë një vend me akustikë koncertesh, pasi kjo hapësirë nuk është me akustikë reale për koncerte. Sa herë që vij shoh përparim të tyre dhe kjo më jep kënaqësi të punoj me këta instrumentistë”, ka thënë Antoine Marguier (Foto: Arben Llapashtica)
Më pas mbrëmja ka filluar me koncertin për violinë në D-mol të kompozitorit Aram Khachaturian. Vepra e viteve ’40 të shekullit të kaluar është mjaft vibrante. Zbërthimin e lojës e bën edhe më të veçantë koncertmjeshtrja nga Kazakistani, Aiman Mussakhajayeva. Me edukim në shkollat më të mira të ish-Bashkimit Sovjetik deri te konservatori “Pyotr Ilyich Tchaikovsky” në Moskë, Mussakhajayeva ka sjellë tjetër energji në Orkestër. Në veprën ku vërehet edhe ndikimi i muzikës tradicionale armene, Orkestra e Filarmonisë nën dirigjimin e Antoine Marguier ka bërë që ajo të zbërthehet në detaje për publikun e shumtë në sallë. Pikat kulmore të veprës i kanë dhënë tjetër jehonë sallës që gjithmonë është e mangët sa u përket krejt aspekteve. Dhe ky fakt nuk i shpëton kurrë asnjë dirigjenti.
“Është gjithmonë kënaqësi të luaj me Filharmoninë e Kosovës pasi anëtarët e kësaj orkestre janë vërtet të motivuar dhe duan të bëjnë më të mirën që munden. Është vërtet kënaqësi të punosh me njerëz energjikë, sidomos pas një jave si kjo, ku kemi punuar shumë, kemi ushtruar shumë dhe kjo është më të vërtetë një arritje”, ka thënë Marguier, i cili ka dirigjuar këtë orkestër për të tretën herë, dy herë në koncertet hapëse të sezonit. Sipas tij, kjo orkestër më të vërtetë ka nevojë për një sallë reale koncertesh, një auditorium që do të ishte në përputhje me nivelin e tyre.
“Ata dhe audienca meritojnë një vend me akustikë koncertesh, pasi kjo hapësirë nuk është me akustikë reale për koncerte. Sa herë që vij shoh përparim të tyre dhe kjo më jep kënaqësi të punoj me këta instrumentistë”, ka thënë ai.
Pas pauzës së pjesës së parë, anëtarët e Orkestrës janë kthyer pranë instrumenteve për t’u zhvendosur në një tjetër periudhë muzikore, atë të shekullit XIX me simfonitë e gjermanit Johannes Brahms në E-mol. Bëhet fjalë për veprat e shkruara në fund të karrierës së njërit prej kompozitorëve më të njohur evropianë. Luhen gjithandej nga orkestrat botërore. E nën dirigjimin e Antoine Marguieri, kanë sjellë tjetër frymë të klasikes në Sallën e Kuqe. Ishin edhe një lloj testi për Orkestrën në fillim të sezonit.
Pavarësisht ngjarjeve të së dielës salla ishte plot, duke dëshmuar se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës rrit audiencën çdo ditë. Por telashi kryesor mbetet hapësira ku interpretojnë tash e 24 vjet pas luftës së fundit (Foto: Arben Llapashtica)
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se kanë bërë përgatitje serioze duke ftuar muzikantë me peshë si dirigjentin zviceran Antoine Marguier.
“Në dy koncertet e para të sezonit, vjet dhe sivjet ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm me Orkestrën tonë. Ka ngritur nivelin e interpretimit dhe natyrisht solisten nga Kazakistani, Aiman Mussakhajayeva, e cila ka një karrierë të bujshme në mbarë botën, të cilën edhe e dëshmoi me koncertin e kompozitorit Aram Khachaturian”, ka thënë Jashari. Përgatitjet, sipas tij, kanë qenë që koncerti hapës i sezonit të jetë një festë për institucionin.
“Ajo çfarë na e ka prishur shijen e këtij koncerti sonte natyrisht që janë ngjarjet në veri të Kosovës dhe viktima në radhët e Policisë. Kemi qenë edhe në dyshime për ta mbajtur koncertin, por në konsultim me Ministrinë e Kulturës është vendosur që koncerti të mbahet dhe të kemi një minutë heshtje”, ka thënë Jashari.
Pavarësisht ngjarjeve të së dielës salla ishte plot, duke dëshmuar se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës rrit audiencën çdo ditë. Por telashi kryesor mbetet hapësira ku interpretojnë tash e 24 vjet pas luftës së fundit. Gjithnjë, në secilin koncert, kërkohet një sallë adekuate. Aso që jehon në nivelin e Filharmonisë.