Kulturë

Zeja e filigranit pret mjeshtrit për të mos e shkëputur lidhjen

Të dhënat e para për argjendarët e Prizrenit dalin në shekullin XIII. Mirëpo shënime më të strukturuara, sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman
 

I dështuar ka dalë të jetë tenderi për organizimin e trajnimit në ruajtje të zanatit të moçëm të filigranit në Prizren, dhe autoritetet komunale në të njëjtën mënyrë synojnë të gjejnë mjeshtër për të mos e shkëputur këtë mjeshtëri me gjeneratën e re. Mjeshtrit e dalluar të filigranit që prej vitesh janë angazhuar për aftësimin e pjesëmarrësve të rinj në këtë artizanat kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të informuar. Por kanë një tjetër propozim. Sipas tyre, opsioni më i mirë do të ishte hapja e një paraleleje në shkollimin e mesëm për filigran

Përpjekja e parë gjatë këtij muaji e Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, për gjetjen e një operatori për organizimin e trajnimit për ruajtjen e zejes së filigranit, ka dështuar. Në aktivitetin e prokurimit të shpallur për këtë qëllim, prej 8 deri më 15 shtator, nuk është paraqitur asnjë operator dhe rrjedhimisht tenderi është anuluar. Në këtë situatë, organet komunale kanë vendosur që këtë javë ta rishpallin tenderin përkatës, ku vlera e parashikuar e kontratës është 9 mijë e 900 euro, me ç’rast kërkohet një operator që ka katër mjeshtër të diplomuar filigrani, si dhe një mori pajisjesh e materialesh.

Drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Lirije Xhemaj-Bytyqi, ka konfirmuar anulimin e aktivitetit të prokurimit gjatë javës së shkuar për organizimin e kursit tetëmujor për zejen e filigranit dhe rishpalljen e të njëjtit gjatë kësaj jave, me synimin që të ruhet një traditë e vjetër e Prizrenit.