Kulturë

Rileximi i Jakov Xoxës dhe Petro Markos – njohje mjeshtërve të letërsisë

Jakov Xoxa e Petro Marko janë kujtuar të mërkurën në Panairin e Librit në Prishtinë nëpërmjet aktiviteteve ku janë shpalosur veçantitë e veprës së tyre, përderisa rileximi i tyre është konsideruar si domosdoshmëri
 

100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës dhe 110-vjetori i lindjes së Petro Markos janë shënuar të mërkurën në Panairin e Librit në Prishtinë dhe aktivitete si këto janë cilësuar si të domosdoshme për rinjohjen e peshës së tyre dhe njohjen e vlerave të letërsisë shqipe nga brezi i ri. Të dy shkrimtarët janë cilësuar si të papërsëritshëm në botën e letrave shqipe

Portretet e penave të letrave shqipe janë përherë imazhe të Panairit të Librit në Prishtinë. Ekspozita më e madhe e këtij lloji përherë u ka dhënë peshë përkujtimeve të ikonave të letërsisë e në ditën e dytë janë shënuar 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës dhe 110-vjetori i lindjes së Petro Markos.

Në dy aktivitete të ndara në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë rrëfimet e shtrira për dy shkrimtarët kanë sjellë perspektiva e histori. Krejt çfarë mund të përthekohej si e përbashkët e dy përkujtimeve është pavdekshmëria që ua dha vepra e tyre.