Kulturë

Teknologjia dhe arti çlirojnë njeriun në “Galeria 17”

Afrimi e provimi i mjeteve teknologjike e përballin vizitorin me vetveten. Duket sikur efektet më interesante të rrjeteve sociale të mblidheshin në një dhomë. Shikimi i vetvetes e vë qenien njerëzore në një tjetër dimension, përtej të zakonshmes
Afrimi e provimi i mjeteve teknologjike e përballin vizitorin me vetveten. Duket sikur efektet më interesante të rrjeteve sociale të mblidheshin në një dhomë. Shikimi i vetvetes e vë qenien njerëzore në një tjetër dimension, përtej të zakonshmes
 

“Forehead Vulva Channeling Research” është hapësira krijuese e artistes italiane S()fia Braga, në të cilën ajo ka kryqëzuar praktikat digjitale dhe diçka shumë të zakonshme, siç janë ndjenjat e gjendja aktuale e individëve. Tashmë edhe përmes ekspozitës së saj vizitorët ndeshen me teknologjinë. Në qendër ka njeriun dhe atë synon ta çlirojë. “Është një hulumtim spekulativ transhuman për potencialin e trupit dhe për kanalin e trupit që mund të japin një mendje më të shëndoshë”, ka thënë Braga

Larg prej formës tradicionale të të bërit art, teknologjia vihet në veprim në ekspozitën e artistes italiane S()fia Braga. Sikur arti të zhvillohej në të ardhmen ku mjetet e zakonshme nuk ekzistojnë më, ajo provokon njeriun dhe mendimin e tij duke synuar që të arrijë mirëqenie emocionale tek ata që e shohin. Për krejt këtë ka vënë në funksion mjete digjitale, duke e bërë të pranishme në “Galerinë 17” këtë formë të re arti.

“Forehead Vulva Channeling Research” është e titulluar ekspozita që galerinë në të cilën është vendosur e ka rikthyer në një hapësirë ku mbizotërojnë mjetet teknologjike. Kur roza e mureve të galerisë është përplasja e parë me vizitorët, ajo e dyta vjen me shtrojat e bardha, tabletët të vendosur afër tyre dhe një videoincizim me mjete po ashtu teknologjike për dëgjim. Pos tyre ka edhe një përplasje të tretë e cila nuk shihet me sy por ushtron efekt pas shëtitjes nëpër galeri, në mjetet e ndryshme të ekspozuara.