Baleti Kombëtar i Kosovës të dielën mbrëma ka dhënë premierën e parë për sivjet. Shfaqja “Time” me koreografi të Taulant Shehut, nëpërmjet stilit bashkëkohor peshon barrën e durimit. Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë balerinët nëpërmjet lëvizjeve kanë thurur rrëfime për dashurinë, forcën e dhimbjen. Me lëvizje të ngadalta dhe paralele nga e gjithë trupa e herë më me temperament, balerinët kanë shkrirë rrëfime nëpërmjet gjuhës së trupit
Kur u fikën dritat e atij që tashmë është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar në kryeqytet, para publikut u shfaq silueta e njërës prej balerinave të trupës. Midis lojës në errësirë e ndriçim, shpesh janë servuar të papriturat që e kanë bërë edhe më thelbësore premierën e shfaqjes “Time” me koreografi të Taulant Shehut.
Me lëvizje të ngadalta dhe paralele nga e gjithë trupa e herë më me temperament, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë shkrirë rrëfime nëpërmjet gjuhës së trupit. Nën ritmin e erës së furishme, tingujve të violinës, pianos e harpës kanë rrjedhur edhe lëvizjet e anëtarëve të BKK-së. Skenat emocionale i shkojnë mjaft për shtati prapavijës së muzikës.
Shfaqja “Time” me stil bashkëkohor ka vënë shpesh balerinët përballë njëri-tjetrit. Lëvizjet e kanë peshuar barrën e durimit. E lëvizjet që nganjëherë vijnë më të shthurura transmetojnë kaos. Vëmendje e kohë u jepet secilit kur dritat fokusohen tek ata apo kur mbesin të vetëm në skenë.
Sikurse “Time” është dedikim për kohën, paralelisht shpërfaq dhimbjen, forcën e dashurinë. Kur kjo e fundit lihet në hije, më së shumti shpërfaqen plagët që lënë vragë në brendinë e tyre. Qëndrueshmëria emocionale e gruas e pavarësia e saj në tërësi kanë dëshmuar se nganjëherë gjuha e trupit është më e fuqishme se fjalët, siç disa herë e ka përmendur koreografi Taulant Shehu.
“Puna më e madhe është bërë që të sillnim këtë butësinë edhe të mashkullit shqiptar. Kemi punuar shumë që përmes kërcimit, përmes lëvizjeve të tregojmë si flet shpirti. Kjo ka qenë puna më e madhe që është bërë pasi është një rrymë e re e gjithë artistëve këtu dhe jam munduar shumë që sonte të fliste gjuha e trupit”, ka thënë Shehu pas përfundimit të shfaqjes.
Premiera e “Time” ka ardhur të dielën gati gjysmë viti prej kur institucioni kryesor i baletit në vend shënoi 50-vjetorin e tij me rikthimin në skenë të shfaqjes “Halili e Hajria” në tetor të vitit të kaluar.
Trupa e ka bërë të qartë mesazhin për publikun. Lëvizjet e trupit nganjëherë u përballojnë dinamikave të situatës, e nganjëherë shfrenohen në rrethana krejt paqësore. Kur u shmangen publikut, simbolika vjen për tërheqjen një hap më larg shoqërisë. E kur hapësira hesht, ata komunikojnë pa fjalë. Fuqia e tyre shpesh ndikohet nga fuqia e tjetrit kur partneri lëndohet deri te mbështetja te tjetri.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se përgatitjet për premierën e shfaqjes kanë qenë procese intensive, por me atmosferë shumë të mirë mes balerinëve, koreografit Taulant Shehu e asistentes së tij, Diletta Antonilit.
“Jam tejet i lumtur që si proces, duke pasur parasysh që jemi duke kaluar në një fazë të rinovimit të Teatrit, kemi arritur që prapë të kthehemi para publikut në Prishtinë pas 50-vjetorit të Baletit që e patëm në tetor të vitit të kaluar. Dua t’i përgëzoj balerinët, koreografin e asistenten për një punë jashtëzakonisht intensive për të dalë një rezultat i jashtëzakonshëm si shfaqja e baletit ‘Time’”, ka thënë Kajtazi.
Disa herë para shfaqjes, në prova e në komunikatë për media, Kajtazi i kishte vlerësuar jo të pakta sfidat e funksionimit në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit me rastin e mbylljes së Teatrit Kombëtar për rinovim, korrikun e kaluar.
“Në pajtueshmëri me koreografët e projekteve të reja do të shqyrtojmë qoftë skenën e Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, por nëse është nevoja duhet të shohin alternativa të tjera”, është shprehur Kajtazi, drejtor i BKK-së. Mirëpo për stilin bashkëkohor të “Time”, Amfiteatri është vlerësuar si ambienti më i përshtatshëm, bashkë me krejt atmosferën aty, e veçanërisht me ndriçimin.
Kur hapësirën aty e ka kapluar qetësia, çelës i komunikimit për balerinët kanë qenë lëvizjet e tyre. Jo veç ato, por pjesë e rrëfimit janë bërë edhe shprehjet e fytyrave që ndryshojnë në raste të caktuara.
Balerina Aulona Nuhiu është shprehur se janë munduar të hynin në botën e koreografit dhe të kuptonin më thellë esencën e krejt shfaqjes. “E gjithë tema e shfaqjes ka qenë me personalitetin e secilit balerin, domethënë secili ka shprehur personalitetin e tij. Interesante e kësaj shfaqjeje ka qenë që në skenë të mos shfaqemi vetëm si balerinë, por edhe si personalitete që jemi. Ecjet e fytyrat kanë qenë të një personi jashtë baletit”, ka thënë Nuhiu, duke theksuar edhe vështirësitë në lojë të shfaqjes.
Për një muaj trupa e Baletit punoi me intensitet për shfaqjen, fillimisht me asistenten e koreografit, Diletta Antonilin, e më pas edhe me vetë Taulant Shehun.
Nga Baleti Kombëtar kanë njoftuar se në tërësi gjatë vitit do të jepen 5 shfaqje premierë. Premierën e së dielës e pason ajo që për koreograf ka portugezin Daniel Cardoso, provat e së cilës parashihen të fillojnë në maj dhe premiera planifikohet të jepet më 8 qershor. Ndërkohë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës po vazhdon rrëfimin me “Time” nëpërmjet dy reprizave, të hënën e sot (e martë).