“How do I see you - Kosova?” mëton të shpalosë horizontet e të rinjve për mënyrën si i konceptojnë moshatarët e komuniteteve të tjera në vend. Atij që Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” i është referuar si kamp ndërkulturor, synon të thyejë barrierat mes etnive që jetojnë në Kosovë. Vetë qytetin prej ku buron aktiviteti i Festivalit është shembull i diversitetit etnik. Projekti vjen si vazhdimësi e atij paraprak me titull “How do i see you?” që bashkonte të rinjtë nga Serbia dhe Kosova. Vjen me qëllim të përbashkët, por që pikë ndarëse është shtetësia e pjesëmarrësve.
“DokuFest” fton rreth 16 të rinj për të marrë pjesë në programin e organizuar bashkë me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ata do të ndajnë përshtypjet e tyre për komunitetet e tjera. Njohja me kulturën e tjetrit do të jetë çelës kryesor dhe vizion për rrëfimin e secilit. Prej tyre edhe do të marrë formë një ekspozitë audio-vizuale që zgjat rreth gjysmë ore. Rrëfimeve që do të burojnë prej kampit “How...” do t’u bëhet vend në kuadër të programit të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit” që do të mbahet këtë gusht.
Një e tillë ishte shpalosur gjatë dy edicioneve të kaluara të Festivalit. Në qendrën për kulturë e art “Shani Efendi” ekspozita “Zbatimi i Demokracisë” vinte si lojë shoqërore dhe prezantohej nëpërmjet dy ekraneve. Të vendosur përballë njëri-tjetrit, të rinj nga Kosova e Serbia u bënin pyetje oponentëve të tyre se “a është e mundur demokracia?” dhe të tjera rreth saj. Pyetjes i ishin përgjigjur 62 grupe qytetarësh, iniciativash, aktivistë, shoqata profesionale e parti politike. Autorë ishin Milica Pekiq, kuratore dhe historiane e artit dhe artistja Ana Adamoviq, nga Serbia.
Pikërisht pas suksesit të këtij projekti edhe ka marrë zemër kampi “How do I see you Kosova?” ku tashmë pyetjet do të parashtrohen ndaj komuniteteve që jetojnë brenda territorit të Kosovës. Kjo formë që do të praktikohet synon kapërcimin e hendekut ndërmjet individëve të etnive të ndryshme dhe të nxisë komunikim ndërmjet tyre përmes të krijuarit dhe vizitave në hapësirat kulturore.
Sipas organizatorëve, përgjatë tetë ditëve të aktivitetit synohet të krijohet hapësirë e sigurt, ku të rinjtë reflektojnë në mënyrë kritike, komunikojnë në mënyrë konstruktive dhe shprehen në mënyrë krijuese.
Zana Arapi, koordinatore e projekteve në “DokuFest” ka thënë se kampi është planifikuar të mbahet nga 30 prilli deri më 7 maj dhe se do të vizitohen qytete të ndryshme.
“Jemi duke u munduar të bëjmë një agjendë më të gjatë në Mitrovicë ku ta përfshijmë pjesën veriore dhe jugore. Po tentojmë të shkojnë në vendet më pak të njohura si për shembull në Janjevë, në disa fshatra të rajonit jugor të Prizrenit që janë të banuara nga komuniteti tërbesh dhe goran. Jemi duke u munduar të kurojmë një agjendë që t’i përfshijmë të gjitha vizitat në këto vende”, ka treguar Arapi. Ka thënë se ekspozimi i rrëfimeve nga aktiviteti do të hapet me ceremoni të veçantë.
“Në fund ata do t’i japin përshtypjet e tyre se a kanë pasur njohuri për këto komunitete në Kosovë, a kanë pasur mendime të mira apo negative, a u ka ndryshuar perspektiva e tyre gjatë këtyre tetë ditëve që kanë qëndruar dhe i kanë vizituar këto vende të reja”, ka thënë ajo më tej.
Sipas Arapit, e cila do ta menaxhojë “How do I see you - Kosova?”, brenda vitit do të realizohen edhe disa cikle të tjera të kampit në rast se ai rezulton i suksesshëm.
Në kuadër të programit trevjeçar të mbështetur nga zyra e BE-së në Kosovë përfshiheshin aktivitete të tjera që lidheshin me filmin dhe shkollat për filmin e trajnime të mësimdhënësve. Ishin mbajtur dy kampe në Serbi, i pari në vitin 2021, ndërsa tjetri në shtator të vitit të kaluar.
Drejtoresha e “DokuFest”, Linda Llulla-Gashi, ka thënë se të rinjtë serbë do të njihen me kulturën shqiptare në kuadër të kampit “How do I see you” që do të organizohet në Prizren.
“Qëllimi është që ata të njihen mes vete dhe të thyejnë barrierat që i dëgjojnë çdo ditë dhe t’i tejkalojnë paragjykimet. Ende nuk kemi datë të caktuar se kur do të mbahet, ajo varet edhe prej pjesëmarrësve, sepse gati të gjithë janë studentë, me siguri do të mbahet në shtator, por nuk ka asgjë të konfirmua. Do të udhëtojmë dhe të shohin se çfarë bëjnë organizatat këtu”, ka thënë drejtoresha Llulla-Gashi e cila ka përmendur se në agjendë do të jenë vizitat në festivalin e filmave të animuar “Anibar”, kinemanë “Jusuf Gërvalla” e Patrikana në Pejë dhe qytete të tjera si Gjakova, Prishtina e Mitrovica.
Versioni i kampit për komunitetet brenda Kosovës do ta ushtrojë aktivitetin nëpërmjet vizitave kulturore në vend, takime me artistë e aktivistë të kulturës, vizita në organizata që promovojnë shkëmbimet kulturore. Do të ketë gjithashtu shfaqje të filmave, ligjërata e diskutime të hapura si dhe do të shqyrtohet edukimi medial dhe filmi si mjete për mënjanimin e dallimeve në shoqëri.
Thirrja për pjesëmarrës qëndron e hapur deri më 3 prill e një prej kritereve për përzgjedhje është edhe dëshira për të takuar të rinj që u takojnë komuniteteve të tjera.