Kulturë

“Më shumë për Mitrovicën” si vizion për trashëgiminë e qytetit

Të hënën në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës është hapur ekspozita “Më shumë për Mitrovicën”. Ajo ka ardhur si vizionim i trashëgimisë industriale të ndërtesave historike në qendër të qytetit të Mitrovicës. Në ambientet e Modelariumit do të qëndrojë e hapur deri më 1 shkurt. Aty gjenden, ndër të tjera, harta me zonat e trashëgimisë kulturore, të popullsisë e dendësisë së saj, të vendbanimeve, hidrografitë, relievi, resurset natyrore, harta e diellosjes, e shpejtësisë së erës dhe e zhvillimit ekonomik

Ekspozita “Më shumë për Mitrovicën” ka zënë vend në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë. Puna e studentëve, profesorëve e hulumtuesve ka rezultuar me shpalosjen e pasurive kulturore të qytetit të veriut të Kosovës. Para një numri të madh të publikut janë ekspozuar rrëfime të ish-punëtorëve të “Trepçës”, të dhëna për zonat e trashëgimisë kulturore, planet e tyre, si ajo e Shtëpisë së Xhafer Devës e të Qendrës Kulturore të Mitrovicës.

Hapësira e Modelariumit ka shërbyer shpesh si vend i aktiviteteve kulturore të kryeqytetit. Ngjarja e së hënës ka qenë tipike në përshtatje me funksionin e saj. Për publikun janë hartuar plane të objekteve të trashëgimisë kulturore e të ndërtesave të tjera, si ato për intervenime emergjente në Postën e Vjetër e në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës. Nëpër posterë është vendosur Shtëpia e Xhafer Devës, gjendja e saj, rreziqet e jashtme dhe plani për restaurimin e saj.

Në anën tjetër janë prezantuar të dhëna demografike e gjeografike të cilat kanë kompletuar aspektet për Mitrovicën. Aty gjenden, ndër të tjera, harta me zonat e trashëgimisë kulturore, të popullsisë e dendësisë së saj, të vendbanimeve, të hidrografisë, të relievit, resurset natyrore, harta e diellosjes, e shpejtësisë së erës dhe e zhvillimit ekonomik. Kompleksi industrial “Trepça”, depoja e industrisë kimike, Mensa e Punëtorëve të kësaj industrie e Hoteli i Inxhinierëve, janë disa prej objekteve që u janë bashkëngjitur të dhëna e fotografi.

Punimet për ekspozitën kishin filluar gjashtë muaj më parë në kuadër të projektit “Vizioni i hapësirave industriale të Mitrovicës”. Profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës, Florina Jerliu, e ka vlerësuar ekspozitën si mision përtej detyrës akademike. Sipas saj, studentët e shohin veten në një mision më shumë sesa në përfundim të një detyre akademike.

“Angazhimi në një projekt konkret, dalja në terren, marrja drejtpërsëdrejti me problematikën e qytetit, natyrisht se i bën ata më të ndjeshëm ndaj realitetit, dhe sjellja e imputit prej tyre dhe puna hulumtuese e kombinuar me standardet akademike, natyrisht se sjellin rezultate më të prekshme”, ka thënë ajo.

Për këto hapësira, studentët e profesorët e UP-së në Prishtinë dhe organizata “7Arte” nga Mitrovica kanë projektuar ide e vizion për angazhimin e institucioneve qendrore e lokale.

“Me të vërtetë ka propozime që konsideroj se institucionet e Kosovës do të duhej të tregonin, para së gjithash, njëfarë empatie ndaj punës së studentëve, Universitetit të Prishtinës, por edhe të jenë të vëmendshëm ndaj propozimeve që i japin këta të rinj”, është shprehur Jerliu, e cila ka treguar se ekspozita brenda Fakultetit organizohen çdo vit. Ato përfshijnë punimet e studentëve nga viti i parë deri në të pestin. “Nga këtu shohim se këto ekspozita do të duhej të bëheshin pjesë e planifikimeve buxhetore të Fakultetit”, ka shtuar më tej profesoresha Florina Jerliu.

Një pjesë e ekspozitës, ajo e rrëfimeve të ish-punëtorëve të “Trepçës”, pritet të lansohet shumë shpejt në format audiovizual. Ekspozita shumëdimensionale vjen si dëshmi se ka ide dhe vizion për të kontribuar më tej në zhvillimin e Mitrovicës.

Sipas drejtorit të “7Arte”, Lulzim Hoti, organizata ka punuar edhe më parë në projekte të tilla, por jo në një kaq të zgjeruar. “Deri më tash kemi arritur të sigurojmë 100 intervista nga ish-punëtorë të “Trepçës”, tash pensionistë, dhe të nxjerrim rezultate konkrete si këto të ekspozuara të cilat janë vizione të arrira përmes punës me studentë dhe që do të rezultojnë qoftë me publikime si format libri”, është shprehur Hoti. Këto aktivitete gjithashtu i ka konsideruar si hapa konkretë për të kërkuar mbështetje të vazhdueshme që ato të zbatohen në praktikë.

Derisa ka folur për detyrat e palëve, Lulzim Hoti ka thënë se “7Arte” kishte dhënë idenë konkrete fillimisht, e më pas janë ndarë përgjegjësitë. Fakulteti i Arkitekturës kishte marrë përgjegjësinë të punojnë mbi analizën e gjendjes së objekteve, ndërsa nga Fakulteti i Filozofisë ishin mbledhur rrëfimet e ish-punëtorëve të “Trepçës”.

“Në aspektin e vizionimit që e kanë nxjerrë studentët bashkë me profesorët, ka qasje të ndryshme, qoftë nga aspekti regjional, ndikimi i faktorëve mjedisorë e gjeografik i qytetit të Mitrovicës. Të gjitha janë analizuar”, ka thënë Hoti, drejtues i “7Arte”.

Në implementimin e ekspozitës kanë marrë pjesë 50 studentë të vitit të katërt dhe të pestë, në kuadër të lëndëve semestrale. Ekspozita të brendshme ishin organizuar më parë, por për herë të parë një e tillë që synon publik më të gjerë.

Studentja Dafina Raci, e cila ka qenë e angazhuar në projektin për “Trepçën”, e ka vlerësuar punën tejet të rëndësishme për ta.

“Kemi punuar në grupe të nxjerrim diçka të mirë. Siç e dimë, ‘Trepça’ ka rëndësi të madhe për Mitrovicën dhe për gjithë Kosovën, prandaj kemi qenë të përkushtuar ta prezantojmë sa më mirë ‘Trepçën’. Kemi pasur ekspozita më të vogla të brendshme në kuadër të Fakultetit, por jo diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Këngët e mitrovicasit Muharrem Qena dhe një koktej rasti u kanë ofruar rehati të pranishmëve teksa janë njohur më shumë me Mitrovicën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës deri më 1 shkurt.