Kulturë

UNESCO-ja mobilizohet për rikuperimin e trashëgimisë kulturore në Brazil

Pasi asetet kulturore u dëmtuan nga rebelët që sulmuan vendbanimet e Qeverisë së Brazilit, UNESCO-ja do të bashkojë forcat për të përcaktuar se cilat vepra arti kërkojnë restaurim. UNESCO-ja i është bashkuar Ministrisë së Kulturës së Brazilit në rimëkëmbjen e trashëgimisë kulturore të Brasilias pasi rebelët sulmuan lagjet e Qeverisë më 8 janar 2023, duke dëmtuar veprat e artit dhe duke shkatërruar tipare arkitekturore, me rëndësi ndërkombëtare.

UNESCO-ja publikoi deklaratat e saj pas raportimeve të mediave se turma në Brasilia dëmtoi vepra të shumta arti, përfshirë skulptura, piktura dhe një vitrazh, kur ata sulmuan ndërtesat qeveritare.

“Këto janë akte kriminale që dëmtojnë trashëgiminë tonë publike”, ka thënë për të përditshmen “Folha de S. Paulo” Jose Nascimento, ish-president i Institutit Brazilian të Muzeve. Sipas raportimeve të mediave, rebelët mund të ndiqen për grabitje të pronës publike dhe përdhosje të pronës së mbrojtur.

Pothuajse dy vjet pas sulmit në Kapitolin e SHBA-së në Washington, mijëra mbështetës të ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, sulmuan më 8 janar rrethin qeveritar në Brasilia, duke hyrë në Kongres dhe në ndërtesa të tjera. Pasi hynë në Kongres, ata vandalizuan ndërtesën dhe muret me grafit, si dhe përmbytën disa pjesë të ndërtesës.

Sulmi konsiderohet si një tentativë për grusht shtet: gjatë organizimit të sulmit, rebelët kishin krijuar grupe bisedash me emra si “zaptimi i pushtetit”.

“Terroristët që pushtuan Pallatin Planalto këtë të diel shkatërruan dhe prishën një pjesë të rëndësishme të koleksionit artistik dhe arkitekturor, i cili përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare”, thuhet në një deklaratë nga zyra presidenciale.

Edhe pse shumë prej protestuesve ishin mbështjellë me flamuj brazilianë ose kishin veshur fanellën e Kombëtares së futbollit, ata qartësisht nuk u interesuan shumë për kulturën apo historinë e vendit të tyre. Në galeritë e të gjithë krerëve të shteteve braziliane, fotografitë u grisën, u hodhën në dysheme dhe u “shkatërruan plotësisht”.

Ndër veprat e dëmtuara të artit është dritarja e projektuar nga Marianne Peretti më 1977. Artistja, e cila vdiq vitin e kaluar, ishte e vetmja grua në ekipin e arkitektit Oscar Niemeyer, pionierja e arkitekturës moderne braziliane.

Piktura e vitit 1962 e Di Cavalcantit, “As mulatas”, vepra kryesore në Sallën e Fisnikërisë së Pallatit Planalto, pas sulmeve të rebelëve mbeti me shtatë të çara të madhësive të ndryshme.

Skulptura prej bronzi "The Pied Piper" nga Bruno Jorge u shkatërrua plotësisht dhe u gjet e shpërndarë nëpër sallë, thonë zyrtarët. Një skulpturë murale prej druri nga Frans Krajcberg është dëmtuar në disa vende. Tavolina e ish-presidentit Juscelino Kubitscheck, gjatë mandatit të të cilit Brasilia u themelua dhe u bë kryeqytet, u përdor nga protestuesit si një barrikadë.

“Vlera e asaj që u shkatërrua është e pamatshme për shkak të historisë që përfaqëson. Koleksioni në tërësi përfaqëson të gjithë presidentët që kanë përfaqësuar popullin brazilian gjatë kësaj periudhe të gjatë”, citoi agjencia portugeze e lajmeve “Lusa” drejtorin e Bordit të Administrimit të Pallatet Presidenciale, Rogerio Carvalho.

Sheshi i Tri Fuqive ("Praca dos Tres Poderes") është shtëpia e Pallatit Presidencial Planalto, Kongresit Kombëtar dhe Gjykatës së Lartë, që përfaqësojnë tri degët e një qeverie demokratike: ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Arkitektët Oscar Niemeyer dhe Lucio Costa filluan projektimin e sheshit, në fund të viteve 1950, dhe ndërtesat në këtë shesh u përfshinë në listën e Institutit të Trashëgimisë Kombëtare, Historike dhe Artistike më 2007. Kryeqyteti Brasilia ka qenë vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1987.

Marrë nga DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku.