Kosova ishte qendra e luftës brutale në fund të viteve ‘90 mes shqiptarëve vendës dhe serbëve, në të cilën mijëra njerëz humbën jetën përpara se ndërhyrja e NATO-s ta mbyllte atë. Shumë vjet më pas Kosova shpalli pavarësinë e saj, por vendi vazhdoi të përjetojë konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve. Nils Westergard ishte artisti i parë i Richmond-it i cili mori pjesë në “MuralFest” në vitin 2019, sikur edhe grafistja tjetër nga Richmond-i, Emily Herrr në fillim të 2022-s
Dy qytete. Dy luftëra. Në dy kontinente. Mbi 100 vjet ndarje. Qyteti i Richmond-it dhe Ferizaj në Kosovë: një milion botë larg njëri-tjetrit, por të ngjashëm në mënyrë mahnitëse.
Mickael Broth, artist nga Richmond-i i njohur si Night Owl, së fundmi është kthyer nga një udhëtim në Kosovë, ku ishte i ftuar të marrë pjesë në “MuralFest Kosova” që mbahet në Ferizaj.
“Kam kaluar kohë të mrekullueshme gjithandej, por u ndjeva më i lidhur me faktin se komuniteti i tyre po përpiqej të kalonte luftën e së kaluarës së tyre. Për ta lufta është e freskët pasi ndodhi rreth 20 vjet më parë. Sa na përket neve, ne përjetojmë një qytetet i cili ende përballet me luftën që ndodhi 150 vjet më parë”, ka thënë Broth.
Kosova ishte qendra e luftës brutale në fund të viteve ‘90 mes shqiptarëve vendës dhe serbëve, në të cilën mijëra njerëz humbën jetën përpara se ndërhyrja e NATO-s ta mbyllte atë. Shumë vjet më pas Kosova shpalli pavarësinë e saj, por vendi vazhdoi të përjetojë konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve.
Nils Westergard ishte artisti i parë i Richmond-it i cili mori pjesë në “MuralFest” në vitin 2019, sikur edhe grafistja tjetër nga Richmond-i, Emily Herrr në fillim të 2022-s.
Puna e Westergard-it është bërë pikë referimi në Richmond, e dallueshme menjëherë për stilin e tij të mrekullueshëm të shabllonit bardhezi që përshkruan kulturën rinore si vajza e dy historive që mbulon fytyrën me duar. Westergard ka udhëtuar shpesh dhe veprat e tij mund të gjenden edhe në vende si Berlini dhe Kroacia, të cilat janë nënshkruar me një flutur të zezë.
Westergard kishte punuar një shqiponjë dykrenore si muralin e tij të parë në Kosovë, e cila u përball gati menjëherë me polemika.
“Si shqiptarët, edhe serbët përdorin një shqiponjë dykrenore në stemat dhe flamujt e tyre dhe duke i bashkuar të dyja në një, shpresoja të krijoja një lloj ‘yin-yang-u’ që i bashkonte të dy palët, duke pranuar si dallimet ashtu edhe ngjashmëritë e tyre”, ka thënë Westergard.
Murali ishte etiketuar menjëherë me mbishkrime – viti “1998” u shkarravit dhe mbi të u hodh ngjyrë.
“Unë kam folur me atë djalë pothuajse çdo ditë. Ai ka qenë në luftë”, ka thënë Westergard për dëmtuesin e muralit.
“Lufta ishte vetëm njëzet vjet më parë. Është ende shumë e freskët. Dëgjonim të rinj që thoshin ‘serbët erdhën dhe vranë mikun tim më të mirë. Nuk do t’i falim kurrë ata’”, ka thënë Broth.
Westergard ka thënë se e kuptonte reagimin emocional ndaj veprës së tij dhe se derisa pikturoi mësonte më shumë për konfliktin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, duke folur shpesh me vendësit, sikurse edhe nga njeriu që hodhi ngjyrë në muralin e tij.
“Ishin disa momente të sikletshme. Ti nuk je prej atje dhe nuk e di thellësinë e konfliktit”, ka thënë Herrr. Ajo është e njohur në vend për projektin e muralit udhëtues “Girls! Girls! Girls!” për të përfaqësuar më mirë gratë në artin publik. Gjithashtu murali i saj me ngjyrë rozë të ndezur të një gruaje dhe një fëmije mund të gjendet pranë hotelit “Quirk”.
Ajo ka vizituar Kosovën vitin e kaluar dhe pikturoi gjatë festivalit “MuralFest 2021” i cili kishte temën “Home”.
“Ky program ka një ndjesi vërtet të fortë të artit për të krijuar një identitetet për Ferizajn. Ishte vërtet frymëzuese të jem pjesë aty. Ndieja se isha një hap përpara, veprim pas veprimi”, ka thënë Herr, e cila kishte marrë një makinë me qira për të kaluar disa ditë me ndjesinë e qytetit.
Për festivalin ka pikturuar një mural me peizazhin e frymëzuar nga fshatrat e Kosovës.
“MuralFest” ka shtatë vjet dhe që nga ajo kohë ka krijuar mbi njëqind murale, kryesisht në qytetin e Ferizajt.
“Çdo vit ne vendosim të punojmë në një temë për të cilën duam të rrisim ndërgjegjësimin, ose thjesht një temë për t’u shtjelluar në shoqërinë tonë”, ka thënë Lebibe Topalli, drejtoreshë ekzekutive e “MuralFest” nëpërmjet adresës elektronike.
Dhjetë artistë ftohen çdo vit, shpesh në përzierje me dy amerikanë.
“Që nga fillimet e tij, ‘MuralFest’ ka kontribuar në kultivimin e artit dhe trashëgimisë kulturore në qytetin tonë dhe në mbarë Kosovën. Filluam të synojmë t’i japim një identitet Ferizajt si qytet i muraleve, të frymëzuar nga murali i parë i krijuar në këtë qytet gjatë viteve ’60, ‘Kamarieri’, që është edhe një nga pikat kryesore të identitetit të qytetit”, ka thënë Topalli.
Broth, i cila ka vizituar Kosovën në tetor, ka ndërtuar një skulpturë publike që ishte në shkallë të gjerë e fabrikuar në vend dhe që u instalua në Universitetin e Shkencave të Aplikuara.
Ai ka krijuar një portë për të cilën u inspirua nga shqiponja dykrenore në flamurin e Kosovës.
“E kam fabrikuar pjesën në atë terren duke përdorur një saldues të cilit nuk mund t’i lexoja udhëzimet dhe një material, hekur, me të cilin nuk kisha punuar kurrë më parë... Sigurisht se ishte sfiduese”, ka thënë Broth. “Njerëzit kanë qenë tejet të mrekulluar derisa janë përballuar me të”.
Tema e “MuralFestit” të kaluar ishte “On(Off)line”. Broth kishte vendosur të krijojë një portë “për të përfaqësuar dualitetin e vetvetes: si e prezantojmë veten në internet dhe sesi në të vërtetë jemi. Porta e ka simbolizuar gjithmonë këtë për mua: Ti je një person në njërën anë dhe një tjetër kur kalon në tjetrën”.
“MuralFest” kishte zbuluar punën e Westergard-it në rrjete sociale. Pasi punoi me të kishe sugjeruar Herrin, e që ky i fundit kishte sugjeruar Brothin.
“Ishte një zinxhir i mrekullueshëm artistik”, ka thënë Topalli. “Ju mund të shihni punën e tyre të stampuar në muret e qytetit tonë, duke kontribuar në qëllimin kryesor për ta shndërruar Ferizajn në Qytetin e Muraleve dhe për t’u bërë pjesë e galerisë urbane të krijuar në këtë qytet të vogël”.
“MuralFest” gjithashtu kërkon të përfshijë talentin e të rinjve dhe të ndihmojë artistët e rinj të rriten në karrierën e tyre. Të gjithë artistët kanë punuar me të rinjtë vendës në punëtori.
Topalli ka thënë se Westergard ua ka mësuar artistëve të rinj të Kosovës teknikën e “stencilit”; Herr u ka treguar si të krijonin artin “en plein air”; dhe Broth ka krijuar skulpturën me materiale të rëndomta. Të gjithë krijuan “diçka të bukur dhe domethënëse për vendin tonë”.
Westergard e ka përshkruar qendrën e Ferizajt si një shesh thelbësor me apartamente të mëdha me murale mbi to. “Kudo jep ndjenjën e një galerie në hapësirë”.
Sa u përket lidhjeve apo mësimeve që Richmond mund të mësonte nga Kosova, Broth ka thënë se “’MuralFest’ është shumë i qëlluar për ngritjen e muraleve. Ato janë pjesë shumë domethënëse. Këtu në Richmond mund të jetë më shumë si një mendim i mëvonshëm.”
“Në ‘MuralFest’ ata nuk janë duke kërkuar për një pjesë të bukur arti apo foto të mrekullueshme në Instagram. Ata po kërkojnë diçka kuptimplotë për historinë e tyre dhe për njerëzit që do ta shohin atë”, ka thënë Broth.
“Gjithmonë jam ndier i irrituar nga turizmi mural. (Ndërsa në Kosovë) ndihesha shumë vetvetja dhe i fuqishëm. Kanavacë bosh si një qytet që vendos karakterin dhe identitetin e tij”, ka thënë Herr.
Derisa Ferizaj po përdor artin për të krijuar një identitet të ri për veten, Broth beson se diçka e ngjashme ka ndodhur në Richmond gjatë së kaluar.
“Ndjeva shumë paralele me ndryshimin që kam parë në Richmond gjatë dekadës së kaluar, ndërsa ne luftojmë për të kapërcyer historinë tonë të konfliktit dhe për të krijuar një pamje më të ndritshme për të ardhmen”, ka thënë ai. Muralet mund t’u ndihmojnë të ecin përpara. Njerëzit kanë përqafuar pikturat në murale atje. Është një mënyrë për të ndryshuar peizazhin dhe për të thënë “ky vend mund të jetë një komunitet shumëngjyrësh dhe argëtues i të shprehurit. Është fuqia transformuese e artit publik.
Dhe tani të dy qytetet janë të lidhura bashkë: qytete simotra muralesh. (Richmond.com)