Kulturë

Përurohet shtatorja e Anton Çettës

Si simbol të unitetit ndër shqiptarë, studiues e pajtues të pashoq e kanë përshkuar të pranishmit Anton Çettën, në përurimin e shtatores së tij në Prishtinë.

Mbledhësi i folklorit e prijësi i Lëvizjes së pajtimit të gjaqeve është përjetësuar në bronz përballë Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Pas telasheve 4-vjeçare për caktimin e lokacionit, shtatorja e Çettës, vepër e skulptorit Agon Qosa, ka bashkuar të pranishmit të hënën, në Ditën e Flamurit.

Bashkëpunëtori i Çettës në Lëvizjen për faljen e gjaqeve, Riza Krasniqi, ka thënë se nuk kishte ditë më të mirë për përurimin e shtatores se ajo e 28 nëntorit që ishte edhe festa e vetme e profesorit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar Çettën si një prej personaliteteve më kuptimplote të historisë.

Në nëntor të vitit 2020, Kuvendi i Komunës së Prishtinës kishte vendosur që shtatorja e mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, të vendoset afër udhëkryqit në oborrin e Fakultetit të Filologjisë. Kjo shtatore për katër vjet qëndroi në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në Ferizaj. Kushtoi 60 mijë e 800 euro.

Në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit.

Image
Image
Image
Image

Në nëntor të 2020-s, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte vendosur që shtatorja e Çettës të vihej në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor.

Çetta është i njohur si pajtimtar mes popullit shqiptar. Ndër pajtimet më të mëdha në Kosovë ishte bërë te Verrat e Llukës, ku ishin mbledhur mbi 500 mijë persona, në vitin 1990.