Kulturë

Koreografi që bashkon Kosovën në valle

“Pothuajse çdo opojar di të vallëzojë, është një talent kolektiv për vallet tradicionale. Pasi që vij nga familja e cila e kishte vallen në shpirt dhe vallëzonin bukur, atëherë dhe unë pse jo”, thotë koreografi Xhemali Berisha
 

Koreografi Xhemali Berisha ka shkuar nëpër të gjitha zonat e Kosovës për të mësuar për muzikën, vallet e traditën. Ato i ka gërshetuar më pas me punën e tij me ansamblin “Shota” me misionin që këto valle nëpërmjet ansamblit profesionist t’i bartë kudo në Kosovë e përtej. Një pjesë e kontributit të tij lidhet edhe me diasporën, atje ku u zhvendos në kohën kur aktiviteti i tij me “Shotën” u vështirësua. Opoja për të, jo veç si vendlindje, është edhe një vend i pasur inspirimi. Aty vallet edhe këndohen

Kur flet për jetën e tij si koreograf kujtimet kapërcejnë në pesë dekada. Por filli i tij me vallëzimin ishte qysh herët. Gjithçka nisi në Opojë, në fshatin Buçaj, aty ku u lind. Ritmi i valleve ishte përherë i pranishëm. Me plot gazmend është fëmijëria e koreografit Xhemali Berisha, i cili sivjet ka festuar 50-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike si koreograf. Vallet e tij janë përshkim i hartës së Kosovës. Por për t’i krijuar ato është dashur punë. Berisha ka shkuar nëpër të gjitha zonat e Kosovës për të mësuar për muzikën, vallet e traditën. Ato i ka gërshetuar më pas me punën e tij me ansamblin “Shota” me misionin që këto valle nëpërmjet ansamblit profesionist t’i bartë kudo në Kosovë e përtej. Një pjesë e kontributit të tij lidhet edhe me diasporën, atje ku u zhvendos në kohën kur aktiviteti i tij me “Shotën” u vështirësua. Opoja për të, jo veç si vendlindje, është edhe një vend i pasur inspirimi. Aty vallet edhe këndohen.

“Sa u përket traditave në Opojë, mund të them se vallet tradicionale të Opojës ku janë një cikël i valleve, ku janë 11 valle të burrave dhe 4-5 valle të grave që janë valle të kënduara, sepse ato edhe vallëzojnë, edhe këndojnë. Cikli i valleve të burrave merret ndër vallet më karakteristike ku dominojnë fusha epike dhe fusha epiko-lirike. Unë nga ky cikël i valleve të burrave kam shkëputur vallen e gjashtë, që e kam emërtuar ‘Vallen e Takisë’, ishte axha im që e vallëzonte këtë valle shumë mirë”, ka treguar Berisha në emisionin “Pro X” të KTV-së. Rrëfimi i tij është i tëri i lidhur me muzikën e vallëzimin. Thotë se s’kishte si të ishte ndryshe pasi që babai ishte valltar i dalluar e nëna i këndonte për mrekulli.