Kulturë

Panairi i Botimeve Albanologjike – dritare botimesh të tri institucioneve

Janë tri institucione nga Prishtina, Tirana e Shkupi që janë bërë tok, në prezantimin rezultateve të tyre shkencore, nëpërmjet botimeve të prezantuara në të parin Panair të Botimeve Albanologjike, i hapur të martën në kryeqytet. Vjen si nismë për të hapur dritare të re të botimeve albanologjike, shteg projektesh e aktivitetesh të përbashkëta

Janë nëntëdhjetenjë vëllime që Instituti Albanologjik i Prishtinës ka arritur t’i botojë në tre vjetët e fundit, pavarësisht pengesave dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Këto vepra kanë strukturë të ndryshme nga njëra-tjetra, përfshirë revista shkencore, monografi, përmbledhje materialesh albanologjike, përmbledhje punimesh studimore, fjalorë, si dhe kompletin e veprave të profesor Anton Çettës.

Të gjitha këto së bashku edhe me botimet e fundit të Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit janë ekspozuar në hollin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në edicionin e parë të Panairit të Botimeve Albanologjike, nismë e këtyre tri institucioneve.

“Pa u bërë një vit nga takimi i përbashkët i të tri institucioneve shkencore albanologjike të hapësirës shqiptare, kemi nisur të jetësojmë idetë e bashkërendimit të aktiviteteve dhe të projekteve që janë me interes të përbashkët”, e ka nisur fjalimin hyrës Hysen Matoshi, drejtor i IAP-it.

Të tri këto institucione përballen me vështirësi të shumta, të cilat nuk është se kanë ndonjë dallim nga njëri institucion te tjetrit. Për t’i minimizuar ato, tri institucionet kanë nisur krijimin e rrugëve të përbashkëta të cilat çojnë drejt një bashkëpunimi më të thellë dhe më serioz.

“Krahas identifikimit të sfidave të veçanta, me të cilat përballen institucionet kërkimore-shkencore të sferës së albanologjisë, e përbashkëta më e madhe kishte të bënte me kërkimin e rrugëve më të mira dhe më frytdhënëse duke pasur për objektiv makro-projekte shkencore të përmasës gjithëkombëtare, aktivitete shkencore e veprimtari të përbashkëta kërkimore, kryesisht të tilla që lidhen me punën në terren; këmbimin e literaturës, ndihmën e ndërsjellë profesionale, me prezantimin e rezultateve shkencore në mbarë hapësirën tonë kombëtare e të tjera”, është shprehur Matoshi

Nisur nga kjo, tri institucionet erdhën në përfundim të krijimit dhe themelimit një panairi të studimeve albanologjike i cili gjatë viteve do të sillet në rotacion midis tri vendeve.

“Pas konsultimeve intensive u arrit një marrëveshje trepalëshe, e cila parashihte veç të tjerash një agjendë të përbashkët vjetore të aktiviteteve. Sivjet krahas konferencës shkencore, ‘Një komb një gjuhë’, e cila do të mbahet për nder të Kongresit të 50-vjetorit të Drejtshkrimit, është paraparë edhe organizimi i edicionit të parë të Panairit të Botimeve Albanologjike”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq në këtë panair që Matoshi e ka quajtur eksperimental, meqenëse është edicioni i parë e edhe nuk ka marrë formën e duhur, përveç ekspozimit janë bërë edhe përurime të vëllimeve të botuara nga të tri institucionet.

“Kemi rënë dakord që të kemi të ekspozuara botimet e tre vjetëve të fundit, ngaqë në këtë periudhë kanë munguar aktivitet përuruese të librit edhe për shkak të përhapjes së pandemisë. Krahas ekspozimit të librit, kemi paraparë edhe mundësinë e përurimit pjesë të korpusit albanologjik që do të prezantohet në ambientet e Institutit Albanologjik”, ka shpjeguar ai.

Pas fjalimeve përshëndetëse të Luan Përzhitës , rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, dhe Skënder Asanit, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nisi përurimi i korpusit albanologjik të këtyre tri institucioneve albanologjike.

Sevdail Demiri, këshilltar shkencor i ITSHKSH-së, ka folur për “Ditët e Alfabetit” një manifestim i karakterit kulturor- shkencor i cili organizohet për çdo vit nga ky institucion, ndërsa këtë vit do të organizohet në muajin nëntor.

“Këshilli i Institutit, në mbledhjen e 144-të të mbajtur më 6 qershor 2019, vendosi që të organizohet manifestimi i përvitshëm kulturor - shkencor me emrin ‘Ditët e Alfabetit’. Kështu, deri më tani janë botuar dy numra të edicionit ‘Ditët e Alfabetit’ ndërsa në shtyp është edhe numri i tretë, i cili pritet ta shohë dritën e botimit këto ditë, dhe do të promovohet në ditën e parë të fillimit të edicionit të katërt të këtij manifestimi më 14 nëntor 2022”, ka bërë të ditur ai.

ITShKSh – ja e Shkupit për çdo vit organizon edhe konferenca të ballkanologjisë prej kah botohet edhe revista periodike shkencore “Ballkanologjia”.

Kjo nismë, sipas Sefer Tahirit, anëtar i ITShKSh-së, ka nisur duke pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendet ballkanologjia e me këtë rast edhe krijimi i raporteve më të mira midis ballkanologëve.

Image
“Pa u bërë një vit nga takimi i përbashkët i të tri institucioneve shkencore albanologjike të hapësirës shqiptare, kemi nisur të jetësojmë idetë e bashkërendimi të aktiviteteve dhe të projekteve që janë me interes të përbashkët”, ka thënë Hysan Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës

“Donim t’i mblidhnim tok ballkanologët e ta thonë fjalën e tyre hapur për çështje të ndryshme që i preokupojnë ata. Mëtimi i këtij kuvendi të ballkanologëve është që, duke njohur më mirë njëri-tjetrin në takime të tilla me rezultatet që do të arrijë Seminari ynë, të kalojmë nga një ballkanologji vulgare e politike në një ballkanologji evropiane shkencore, që e ndriçon dhe e thotë të vërtetën, që e afirmon të vërtetën shkencore, që i afron gjuhët, kulturat e religjionet e popujve të Ballkanit e jo që i ndan”, ka shpjeguar Tahiri.

Po ky institucion këtë vit ka nisur edhe botimin e revistës shkencore-kulturore “Drita e Gonxhës”, e cila i kushtohet Gonxhe Bojaxhiut, përkatësisht Nënës Terezë.

“Nga sivjet ITSHKSH-ja starton me revistën e re shkencore-kulturore, ‘Drita e Gonxhës’, si pjesë e strategjisë për studimin dhe afirmimin e figurës së Nënës Terezë. Duke qenë e para në botë e këtij lloji, kjo revistë me një mënyrë është edhe organ i Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut - Nëna Terezë dhe synon të sintetizojë mendimin intelektual e shpirtëror mbi këtë figurë të madhe, e cila doli nga Shkupi si shqiptare dhe u bë ‘pronë pa kombësi’ e gjithë njerëzimit”, ka bërë të ditur Emin Azemi nga ITShKSh-ja

Ndërkaq institucioni nikoqir, Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, në këtë ditë ka bërë edhe promovimin e “Vjetarit” përgatitur nga Nuridin Ahmeti, Valon Shkodra dhe Faton Krasniqi. Ky libër, i cili pritet të vazhdojë edhe me numra të tjerë, përfshin në strukturën e vet të dhëna të rëndësishme të aktiviteteve të Institutit Albanologjik të Prishtinës që përfshijnë një periudhë dhjetëvjeçare, 2010-2020.

“Ky botim është konceptuar në këtë format, ku përveç parathënies në gjuhën shqipe e angleze dhe hyrjes, janë prezantuar në kapituj të veçantë edhe: aktivitetet, duke përshirë, veprimtaritë shkencore, si përurimet e ndryshme të veprave, tryezat shkencore, sesionet, simpoziumet, konferencat shkencore, pjesëmarrja e studiuesve tanë në aktivitet shkencore ndërkombëtare, aktivitete hulumtuese në terren, arkiva e të tjera”, ka thënë Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Ndërkaq për botimet e Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë ka folur Valter Memishaj, zëvendëssekretar i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Memishaj ka bërë të ditur se që nga themelimi i saj më 1 mars të vitit 2008, Akademia e Studimeve Albanologjike ka botuar rreth 600 tituj shkencorë. Në pika të shkurtra ai ka shpjeguar edhe për përbërjen dhe fushën e studimit të mbi 40 vëllimeve të reja të këtij institucioni.

Panairi i Botimeve Albanologjike do të vazhdojë me aktivitetet edhe sot.