Në ditën e dytë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj është dhënë shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” me autor amerikanin John Patrick Shanley dhe nën drejtim të regjisores maqedonase-bullgare Ana Bateva. Liridona Shehu, që luan karakterin e Robertës, dhe Alban Krasniqi, në rolin e Denit, kanë transmetuar diversitet ndjenjash brenda një ore lojë në teatër
Dy karaktere projektojnë para publikut përditshmërinë e kohëve të sotme mes dhunës, çmendurisë, urrejtjes dhe dashurisë. Krejt fillon nga takimi spontan i dy personave të gjinive të kundërta që simpatinë e kurorëzojnë me martesë. E kaluara e errët çon në rezerva e mosbesim ndaj ndjenjës për të dashur. Mirëpo kjo e fundit mbizotëron ndaj frikës e cila ofron shpresë për të ardhmen. Krejt historia – tërësi skenike e shfaqjes “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër”, ka shënuar ditën e dytë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.
Dritat që “veshin” hapësirën në oborrin e Teatrit e disa të tjera shumëngjyrëshe tek hapësira e rezervuar për koncerte, i sjellin ngrohtësi ambientit në mbrëmjet e freskëta të fillimvjeshtës në qytet. Kioska me mbishkrimin “biletaria” është pikërisht hapësira ku sigurohen “çelësat” e mundësisë për të qenë spektator i shfaqjes. Tashmë është bërë e njohur edhe arsyeja për mbledhjet e njerëzve, bisedat, të qeshurat e ngazëllimi në fytyrat e secilit. Kalimtarët e rastit shpesh vendosin të ndryshojnë destinacionin për t’ia mësyrë të sigurojnë biletat e mbetura. Vetë teatri “Adriana” në Ferizaj bëhet sinonim i Festivalit të Teatrove kur për një javë të plotë mirëpret dashamirët e artit, përkatësisht të shfaqjeve teatrale.
Po kjo atmosferë ka shoqëruar qytetin nikoqir edhe në ditën e dytë të Festivalit. Përgatitjet kanë filluar që herët nga stafi organizativ e vullnetarëve u janë ndarë detyrat derisa mysafirët janë pajisur me bileta. Dyert e Teatrit u hapën, dritat u fikën dhe në skenë u ngjitën dy aktorë. Në agjendën e Festivalit të Teatrove e diela ka qenë e rezervuar për shfaqjen “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër”. Me autor amerikanin John Patrick Shanley dhe nën drejtim të regjisores maqedonase-bullgare Ana Bateva, skenën e kanë ngjitur dy aktorë për të projektuar tragjikomedinë. Liridona Shehu, që luan karakterin e Robertës, dhe Alban Krasniqi në rolin e Denit kanë transmetuar diversitet ndjenjash brenda një ore lojë.
Një bisedë spontane që zhvillohet në Bronx nxjerr në pah historitë e shumta të dhunës, çmendurisë, urrejtjes dhe dashurisë. Shprehja e gjithë mllefit kundrejt jetës së tyre mund të dallohet edhe nga fjalori eksplicit si protestë ndaj saj. Ata janë dy persona që frikësohen të dashurojnë, megjithëse duan të dalin jashtë atyre që janë. Megjithatë, vendosin të kalojnë natën së bashku. Bisedat që ata i konsiderojnë romantike reflektojnë në dashurinë e kujdesin që nuk e patën kurrë. Mirëpo dashuria triumfon mbi frikën dhe Deni e Roberta vendosin për martesë.
Në dasmën e tyre, kushtimisht edhe publiku ishte i ftuar. Sa janë rikthyer në skenë me rroba solemne të martesës, kokrra orizi kanë qenë shënim i festës e bekim për lumturinë e tyre.
Dy karakteret pasqyrojnë njerëzit e vetmuar që luftojnë betejën e dëshpëruar për dashuri, falje e mirëkuptim. Shfaqja reflekton tek publiku për një dorë të shtrirë për ndihmë dhe shpresë se gjithçka do të jetë mirë. Shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” është përmbledhje mes tragjikes e komikes, ku ndjeshmëria e dhembshuria bëhen çdoherë më të nevojshme.
Shfaqja ishte dhënë premierë më 4 qershor të këtij viti në Prizren si shfaqja e parë kamerale e teatrit “Bekim Fehmiu”. Regjisorja Ana Bateva kishte theksuar për KOHËN se nëpërmjet shfaqjes ka synuar të vërë theksin mbi dukurinë e tjetërsimit të vetvetes nga njerëzit, që po haset gjithnjë e më shumë në përditshmëri.
“Çështja më me rëndësi për mua ka qenë tjetërsimi i vetvetes te njerëzit, që sot shumë shpesh haset në rrugë e në shoqëri. Dhe se si dy personazhet duan të jenë afër njëri-tjetrit, duan të jenë të sjellshëm, por nuk ndihen në rregull me këtë, sepse shoqëria e tyre është ndryshe dhe agresive ndaj tyre dhe për këtë arsye edhe ata sillen asisoj. Pra, nuk janë të mësuar që të jenë të sjellshëm e të mirë, të dashurojnë ose diçka tjetër”, kishte thënë ajo.
Aktorja Liridona Shehu që luan Robertën, kishte thënë se është ndjenjë e mirë kur publiku reagon, kur e do skenën. “Dua ta cek se pas një kohe të gjatë po luaj në një shfaqje me dy persona dhe vërtet për mua është një sfidë e madhe, sidomos me karakterin e Robertës. Ka qenë e vështirë, por falë regjisores, ekipit dhe partnerit po mendoj që kemi mbërritur një rezultat shumë të mirë”, kishte deklaruar ajo.
Gjatë gjithë dramës, Deni dhe Roberta kanë shtyrë publikun në mendime, të cilat në momente të caktuara janë ndërprerë nga të qeshurat me zë.
“Ishte atmosferë shumë e mirë, meqenëse të dy aktorët arritën ta mbanin energjinë për një orë. Më pëlqeu raporti që e kishin krijuar, ishte një shfaqje e lezetshme”, ka thënë aktorja Verona Koxha. Për Rilindje Sadikun që gjithashtu ka zënë vend në rendin e ulëseve të Teatrit, shfaqja pasqyron realitetin në vend.
“Shfaqja e tregoi një realitet të rinisë së Kosovës në përgjithësi. Një zhgënjim, jetë pa shpresë fatkeqësisht, por e tregoi një realitet dhe e pasqyroi në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pëlqeu shfaqja, besoj se do të ketë edhe të tjera, por sonte ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo. Nga publiku shfaqja është perceptuar edhe si përzierje ndjenjash. “Ishte një shfaqja e lezetshme, me shumë humor që na ka bërë të qeshim shumë. Në anën tjetër, ishin të dhimbshme ngjarjet në jetën e tyre, ato momente kur nuk di a të qeshësh apo të të dhimbsen karakteret për fatin e tyre. Festivalin mundohem ta ndjek sa më shumë që mundem, pasi përgjithësisht më pëlqejnë shumë shfaqjet teatrale”, ka thënë Gent Aliu.
Dita e dytë e Festivalit të Teatrove në Ferizaj është mbyllur me koncertin ku kanë interpretuar Semira Latifi dhe Sheki Hoxha.