Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, një nga ndërtesat emblematike të qytetit juglindor të Shqipërisë, është pikë tërheqëse për vizitorë vendës dhe të diasporës.
Sipas statistikave të vizitueshmërisë, në Muzeun e Arsimit në Korçë numri i vizitorëve gjatë vitit 2022 ka shënuar rritje. Ketë e ka bërë të ditur vetë institucioni muzeor.
“Specifikisht muaji gusht, i cili përgjithësisht është muaji më i vizituar, ka shënuar një rritje prej 40 për qind në krahasim me muajin gusht të vitit 2021. Konkretisht në muajin gusht Muzeu u vizitua nga 1428 vizitorë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga 1016 vizitorë”, ka njoftuar Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë.
Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë u rihap si Muze Kombëtar i Arsimit në marsin e vitit të kaluar, pas ndërhyrjeve që iu bënë për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Projekti nxiti jo pak debat. Muzeu i Arsimit është rikonceptuar dhe ofron edhe mundësi të shëtitjes digjitale nëpër historinë e arsimit në gjuhën shqipe, që nisi po aty në mars të vitit 1887. Është monument i kategorisë së parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për Shkollën Shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga mësuesi patriot Pandeli Sotiri.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin e sotëm, vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (“Evetari”, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.
Sipas shënimeve, më 1885, Naim Frashëri si zyrtar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllanë Sami Frashëri dhe me shqiptarë të tjerë me ndikim ia dolën të siguronin lejen nga sulltani për hapjen e një shkolle private shqipe për djem në Korçë. Mbështetja financiare u mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, nga anëtarët e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Patrikana e Stambollit refuzoi që të mbahej mësim në gjuhën shqipe në shkollat ekzistuese greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887. Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë. Gjatë vitit 1887, Sotirit iu desh ta linte Korçën dhe administrimi i shkollës u kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane u dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë që të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund të ndiqnin mësimet. Vitet e para në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe atij të krishterë. Sipas të dhënave, më 1888 shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë. Pandeli Sotiri e nisi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore, si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.